Raporti/ BSH: Besimi i shërbimeve ra me 5% në kulmin e sezonit veror! Apartamentet stok, ndërtuesit parashikojnë ulje çmimesh

2 Shtator, 21:45| Përditesimi: 2 Shtator, 21:48

  • Share

Milionat e turistëve, janë të pamjaftueshëm për bizneset e sektorit të shërbimeve, të cilët shprehen pesimistë për aktivitetin e tyre edhe në kulmin e sezonit. Besimi i sektorit të shërbimeve në gusht regjistroi rënie me 5% thotë Banka e Shqipërisë, dhe shkak për këtë sipas vrojtimit janë vlerësimet jo optimiste të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre, ashtu dhe nga ato për nivelin e kërkesës.

Po ashtu bizneset kanë deklaruar se presin ulje të kërkesës në sezonin e vjeshtës. Por nga ana tjetër nuk heqin dorë nga shtrenjtimi i shërbimeve të tyre, pasi ata deklarojnë se  çmimet do të rriten. Për muajin e kaluar besimi në ekonomi rezultoi 1% me i lartë se me parë, dhe u ndikua më së shumti nga industria, tregtia dhe ndërtimi. Edhe pse në shifra minimale pozitivisht në këtë muaj kanë ndikuar edhe qytetarët.

Shtimi i importeve, pritshmëritë pozitive për punësimin dhe pritjet për rritje çmimesh në të ardhmen kanë bërë që tregtia të kryesojë besimin në ekonomi me rritje prej 6%. Ndjekur nga sektori i industrisë me rritje të besimit me 3.4%, si rezultat i shtimit të kërkesës për porosi, që po shoqërohet edhe me rritje të prodhimit. Sektori pret shtrenjtim te produkteve, ndërkohë pesimist është vetëm për punësimin, për të cilin parashikojnë rënie të mëtejshme.

Sektori i tretë me rritje është ndërtimi. Si rezultat i shtimit të aktivitetit, bizneset kanë rritur besimin me 2%. Por nga ana tjetër ky shtim i ndërtimeve nuk po shoqërohet me më shumë porosi, për pasojë çmimet raportohen në rënie. Kurse konsumatorët nga ana tjetër janë 1.2% më optimist se në korrik, pasi vlerësojnë se situata financiare po përmirësohet dhe se do t'i rikthehen blerjeve në shuma të mëdha.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?