Shqiptarët duket se nuk i ndahen fjalorit online. Sipas një raporti të publikuar nga DataReportal, për vitin e gjashtë radhazi fjala “translate” kryeson listën e termave më të klikuar në motorin e kërkimit Google në Shqipëri, e ndjekur nga vetë fjala "google", Albania, Moti dhe "Youtube".
Kur bëhet fjalë për “argëtim”, shqiptarët kanë pasur shije të larmishme. Filmat më të kërkuar gjatë vitit përfshijnë: "Upgraded", "Culpa Mía", "The Idea of You" si dhe "Road House".
Nuk mungojnë as klasiket e televizionit amerikan si "Modern Family", "Grey’s Anatomy" dhe "Desperate Houseëives", të cilat mbeten ndër më të ndjekurat.
Të dhënat e DataReportal për janarin e vitit 2025 tregojnë se në Shqipëri kishte rreth 1.41 milion identitete përdoruesish aktivë në rrjetet sociale, që përbënin 50.7% të popullsisë.
Megjithatë, raporti nënvizon se këto shifra nuk përfaqësojnë domosdoshmërish që kemi 1.41 milion përdorues unikë, pasi një i tillë mund të ketë disa llogari në platforma të ndryshme ose mund të përdorë llogari jo reale.
Në janar, sipas Meta, Facebook kishte 1.2 milion përdorues në Shqipëri, njësoj si një vit më parë. Instagram gjithashtu regjistroi 1.2 milion përdorues në fillim të 2025-ës, pa ndryshim nga 2024.
Ndërkohë, TikTok rezulton të jetë platforma me numrin më të madh të përdoruesve të moshës 18 vjeç e lart, me 1.41 milion përdorues në janar 2025, ndonëse një vit më parë ky numër ishte më i lartë, 1.53 milion përdorues.
Ndërkohë, LinkedIn po përjeton një bum rritjeje. Krahasuar me një vit më parë, LinkedIn ka shënuar një rritje të konsiderueshme prej 80 mijë përdoruesish.
Në janar 2025, platforma numëron 660 mijë anëtarë aktivë, që përfaqësojnë 23.7% të popullsisë shqiptare. Më shumë se gjysma e përdoruesve i përkasin grup moshës 25-34 vjeç, konkretisht 54.1%, ku 28% janë meshkuj.
Komente
