Misioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, EURALIUS, i cili asiston autoritetet shqiptare për zbatimin e reformës në drejtësi, rritjen e pavarësisë dhe eficencës së sistemit shqiptarë të drejtësisë, konstaton se Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk ka ndëshkuar gjyqtarët, të cilët sipas Ministrisë së Drejtësisë, janë përfshirë në praktika të paligjshme. Misioni EURALIUS ka hartuar një raport përfundimtar që mbulon përudhën 1 qershor 2017 deri në 28 shkurt 2018 mbi projektin e Bashkimit Evropian “Konsolidimi i sistemit të drejtësisë në Shqipëri”. Në raport thuhet se KLD nuk ka përmbushur detyrimin ligjor, duke mos marrë masa disiplinore ndaj gjyqtarëve.
Sipas raportit, KLD ka vonuar procesin e vendimmarrjes mbi masat disiplinore të kërkuara nga Ministria e Drejtësisë, me qëllim djegien e afatit brenda të cilit KLD mund ta ushtronte këtë kompetencë. “Është kompetencë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, edhe gjatë periudhës kalimtare, që të përfundojë procedurat e hapura disiplinore ndaj gjyqtarëve duke ndjekur rregullat procedurale të ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Afati për këtë ka përfunduar në prill 2017. KLD nuk e zbatoi këtë detyrim brenda afatit të parashikuar nga ligji. KLD ka lejuar një vonesë të madhe për disa procedura të filluara disiplinore ndaj gjyqtarëve”, thuhet në raportin e EURALIUS. Më tej, raporti voluminoz përshkruan të gjitha hapat e ndërmarrë në kuadër të zbatimit të reformës në drejtësi në periudhën 1 qershor 2017 deri në 28 shkurt 2018. Në raport theksohet edhe hartimi i manualit për hetimin disiplinor të gjyqtarëve dhe prokurorëve, miratimi i ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale etj.
Vendimmarrja e KLD
Shumica e anëtarëve të të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjatë dy viteve të fundit, kanë votuar kundër kërkesave të Ministrisë së Drejtësisë për shkarkimin e gjyqtarëve për shkelje të rënda gjatë ushtrimit të detyrës, për cenimin e besimit të publikut tek drejtësia dhe diskreditimin e figurës së gjyqtarit. Sipas shumicës së anëtarëve, me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së re dhe të ligjeve të reja për pushtetin gjyqësor, KLD nuk ka më tagër ligjor për të shkarkuar gjyqtarët.
Megjithatë, KLD ka votuar pro masave disiplinore më të buta ndaj gjyqtarëve, si paralajmërim për shkarkim nga detyra, por jo shkarkim nga detyra. Nga ana tjetër, KLD i ka mbrojtur gjyqtarët e akuzuar për shkelje të rënda në detyrë edhe para se të miratohej reforma në drejtësi, kur ky institucion kishte për detyrë ndëshkimin e gjyqtarëve abuzues.
( Kliko këtu ) për raportin e plotë të EURALIOS
Mbledhja e fundit
Edhe në mbledhjen e fundit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë rrëzoi kërkesat e ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonajt, për shkarkimin e disa gjyqtarëve. Madje kërkesa për shkarkim e ministres Gjonaj është bërë shkak edhe për shpërthimin e gjyqtarit Ken Dhima në mbledhjen e KLD.
“Ka edhe një akuzë ministria, që s‘e përmendi. Me një korrespondencë time me Kryeinspektoren e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kam thënë që, një prej shkaqeve të vonesës është edhe Vetingu, bërja e dokumenteve, etj., etj. E kam quajtur “Vetingun Sorosian”. Dhe ministrja më thotë mua që ti s‘ke të drejtë të mendosh. Por edhe Marksi thoshte, -“mendimet s‟kanë doganë”. Sorosi është një rrjetë e zezë që ka pushtuar Evropën dhe Shqipërinë dhe reforma në drejtësi...”, tha Dhima.