Raporti ekskluziv '97/ ‘Gjenerali’ i PD-së Agim Shehu thërret ‘ndihmë’, kur ushtria e Berishës përleshej me popullin e Vlorës, emra, urdhra dhe planet kriminale

23 Shtator 2020, 18:10| Përditesimi: 23 Shtator 2020, 21:55

  • Share

TIRANË- Shqiptarja.com sjell për herë të parë pjesë nga raporti i Komisionit Hetimor Parlamentar për hetimin e ngjarjeve janar-qershor 1997, të nxitura nga firmat piramidale, vjedhjen me forcë të zgjedhjeve të 26 majit 1996, reprezaljet me SHIK-un famëkeq të Bashkim Gazidedes etj. Komisioni hetimor drejtohej nga Spartak Ngjela, nënkryetar ishte Fatbardh Hushi, ndërsa anëtarë ishin Spartak Braho, Sokol Hazizi, Afrim Cenga, Vladimir Fejzo, Logoraq Karamelo, Maksim Hasani dhe Nikoll Lesi. Komisioni ka kryer hetime disamujore për t’ju përgjigjur 9 pyetjeve të Kuvendit për ngjarjet e ’97, që nga shkaku i revoltave dhe përleshjeve me armë, roli i institucioneve, mundësitë e zgjidhjes pa kaluar në shkallën ekstreme, a ka pasur ndërhyrje të shteteve të huaja, roli i Bashkim Gazidedes, përgjegjësia e klasës politike etj.

Në raportin e komisionit hetimor, thuhet se vendimi i Sali Berishës për të angazhuar ushtrinë, acaroi më tej popullatën e revoltuar nga mashtrimi me firmat piramidale, krijoi psikozën e frikës kolektive si dhe krijoi kushtet për luftë civile. Në raport pasqyrohen edhe dëshmi të drejtuesve të Policisë së Vlorës, të cilët së bashku me militantë të PD-së dhe njerëz të SHIK-ut, kanë marrë pjesë në operacionin për shtypjen e revoltës popullore në Jug të vendit, nën urdhrat e Sali Berishës, Bashkim Gazidedes dhe Agim Shehut, i cili quhej ‘gjenerali’. Për komisionin ka dëshmuar edhe Sokol Bizhga, pjesë policisë në atë kohë dhe i angazhuar në zbatimin e planit dhe urdhrave që vinin nga Tirana për menaxhimin e situatës. Sipas tij, Sali Berisha dhe Bashkim Gazidede kishin dërguar në Vlorë Agim Shehun për të shtypur revoltën. Shehu ishte zëvendësministër i Brendshëm dhe një ndër njerëzit më të besuar të Berishës.

Bizhga rrëfen prapaskenën e ngjarjeve në Vlorë që nga data 5 shkurt ’97 deri në 10 shkurt ’97. Krahas Agim Shehut, sipas dëshmisë, ishin angazhuar për ‘zgjidhur këtë situatë’ edhe drejtorin forcat Pashk Tusha, Muhamet Rrumbullaku, Arben Prenjasi, Hilë Lushaku, Sokol Mulosmani, Xhait Xhaferri, Arben Prenjasi, Adriatik Ago, Hilë Lushanaku, Shik Stermasi, Vasil Sota, Paulin Sterkaj, Shemsi Premçi, Nexhmi Zoto, Albert Dervishi etj.

Sipas dëshmisë, në 7 shkurt ’97, Agim Shehu, i vendosur në Vlorë, kishte propozuar goditjen e turmës, edhe pse protestat ishin paqësore. Në 9 shkurt, Xhait Xhaferi me 9 punonjës të SHIK provokon turmën, e cila po marshonte drejt Fierit, duke qëllua me armë. Një përleshje e përgjakshme mes popullit dhe forcave të komanduara nga Agim Shehu është zhvilluar paraditen e 10 shkurtit 1997, ku mbeti i vrarë 34-vjeçari Artur Rustemi, i cili ushtronte aktivitetin e tregtisë dhe ishte një nga ata që kishte humbur para në firmat piramidale.

Pas vrasjes, përleshjet janë zhvendosur para komisariatit në Vlorë. Sipas dëshmisë, të plagosur kanë mbetur shumë policë, cilët filluan t’i çonin me helikopter drejt Tiranës. “Në orën 24 më vjen korrieri në shtëpi dhe më thotë se të kërkon gjenerali. Shkova në komisariat dhe Agim Shehu më tha se do ikim. Do marrim të gjitha letrat dhe të burgosurit”, thotë Sokol Bizhga. Në 11 shkurt ’97, në Vlorë kishin mbetur vetëm një pjesë të forcave të ardhura nga Tirana. Ata u larguan po atë ditë.

Në 2 mars, Berisha gradoi Bashkim Gazideden gjeneral të përgjithshëm dhe në mbrëmje nisi drejt Jugut të Shqipërisë batalionet me militantë të PD dhe punonjës të SHIK, për të shtypur me zjarr rebelimin popullor në Jug të Shqipërisë. Me 14 mars batalionet u shpartalluan dhe Gazidede u dorëzua, duke u arratisur më pas.

Ndërkaq, pas largimit të Berishës nga pushteti, edhe Agim Shehu u arratis nga Shqipëria, ndërsa iu hap një proces penal, por pas ardhjes së Berishës në pushtet në vitin 2005, jo vetëm emri i tij u fshi si person në kërkim, por u emëruar drejtor i investigimit tek tatimeve dhe më pas nëndrejtor i Përgjithshëm i Tatimeve. Shehu u shkarkua në vitin 2013 pas largimit të Berishës dhe PD-së nga pushteti.

Pjesë nga raporti i komisionit hetimor ku pasqyrohet një nga dëshmitë e drejtuesve të policisë së Vlorës

“Jemi në momentet kur popullsia e qyteteve të jugut Vlorë etj., është ende e pa armatosur, por ushtria të krijon përshtypjen se po përgatitet për goditje. Këtu lind një pyetje që duhet sqaruar nga hetime të mëtejshme: A ishte në gjendje popullsia civile e zonave të jugut të bënte dallimin e përdorimit të ushtrisë në mbrojtje të institucioneve nga përdorimi kundër revoltave? ...mënyra arkaike dhe pas sens demokratik e përdorimit të ushtrisë me përmasa të tilla e ngacmoi popullsinë, e acaroi rrezikun e ndjenjës së ekzistencës dhe patjetër që u dha mundësi forcave politike opozitare të shfrytëzojnë psikozat kolektive të frikës dhe tensionit, për ta sjellë shoqërinë në parametrat e një lufte civile.

Por le të japim një tjetër dëshmi kronologjike të bërë para komisionit nga njëri prej drejtuesve të policisë së Vlorës, dëshmi e cila na jep një tablo të qartë të këtij përfundimi: ‘Në datën 5.2.1997 në mbrëmje kanë ardhur në Vlorë zëvendësministri i Brendshëm, Agim Shehu, së bashku më shumë forca nga Tirana. Së bashku kanë ardhur edhe Pashk Tusha, Muhamet Rrumbullaku, Arben Prenjasi, Hilë Lushaku dhe disa forca të reparteve speciale si Brisku, Renea etj. Në mbrëmjen e asaj ditë, këta forca u ndeshën me popullin tek vendi i quajtur Kali i Trojës, por forcat e tyre u mposhtën menjëherë nga masivi i madh i njerëzve.

Paraditen e datës 6.2.1997, forcat e policisë u konfrontuan përsëri me popullin, por vetë populli u miqësua me to dhe policët e palosur i shoqëruan për në spitale. Kur u mblodhën në zyrën e shefit të komisariatit atë mbrëmje, Agim Shehu tha se përfundimisht Vlora nuk shtrohet me forca speciale. Atëherë ka, ndërhyrë dhe i kam thënë se është mirë që nga Vlora të ikë edhe shefi i komisariatit Sokol Mulosmani pasi nga turma ka pasur reagime të ashpra ndaj tij. Bile atë ditë kur turma ka manifestuar edhe përpara komisariatit, dëgjoheshin  sharje dhe kërcënime kundër tij. Ashtu u bë, ditën e nesërme shef komisariati u komandua kolonel Pashk Tusha.

Në datën 7.2.1997, paradite turma u drejtua përsëri në drejtim të bashkisë se më pas në sheshin para prefekturës, por nuk ishte agresive si një ditë më parë. Komunikuam me atë derisa u shpërndanë dhe nga forcat e policisë nuk u shtrua dhunë. Kur u mblodhëm për të raportuar në zyrën shefit të komisariatit aty kam para Agim Shehun, Muhamet Rrumbullakun, Arben Prenjasin, Adriatik Agon, Hilë Lushanakun, Shik Stermasin, Vasil Sotën dhe shumë oficerë të tjerë.

Kur më pyeti Agim Shehu se çfarë thotë turma, unë i thashë se ajo është e heshtur edhe nuk ka pasur asnjë incident. Ai më pyeti: Po sikur t’i godasim? Unë iu përgjigja në asnjë mënyrë, sepse do të përfundojë siç përfundoi dje. Në këto kohë shumë oficerë që ishin në zyrë i thanë që të bisedonte me ministrin për një zgjidhje politike, por ia nuk foli dhe u largua në Tiranë.

Në datën 9.2.1997, turma e irrituar meqenëse nuk po merrte përgjigje nga qeveria, vendosi të nisej drejt Fierit. Kur turma u nis kam shkuar në zyrë dhe i kam thënë Pashk Tushës se a do ta shoqërojmë turmën. Ai më tha se do ta shoqërojmë pa krijuar incidente. Në këtë kohë në zyrë vjen Xhait Xhaferi dhe na thotë se përse nuk e ndaloni turmën. Unë i thashë se janë shumë dhe nuk mund të ndalohen. Ai tha se janë vetëm 300 vetë dhe nuk i ktheni ju, do t’i kthej unë nga zyra. Unë dola për të zbatuar detyrën e shefit të komisariatit dhe së bashku më turmën, herë në krye të saj, herë në mes dhe herë në fund, e shoqëroja atë së bashku me shefin e rendit dhe policë të tjerë.

Rrugës qetësisht bisedonim me njerëzit dhe fjalët e tyre ishin se me policinë nuk kemi punë. Rreth orës 14 kur kishim mbërritur në fshatin Panja, në fund të turmës u dëgjuan disa kriza armësh. Njerëzit të frikësuar u grumbulluan tek unë dhe shefi i rendit Kristaq Ferro dhe thanë se po na vrasin njerëzit në shpinë. U ndodhëm të papërgatitur dhe nuk dinim se çfarë të bënim, veç u thash se nga forcat e policisë askush nuk ka qëlluar. U kthesa dhe para meje pash një grup prej 10 vetash me automatikë në dorë që po qëllonin në ajër dhe populli u drejtua me egërsi në drejtim të tyre. Bashkë me ta ishte edhe Xhait Xhaferi, të cilët kur panë që populli u nis drejt tyre, atë u ngjitën sipër rrugës për në fshatin Oshëtimë.

Personat e armatosur ishin punonjës të SHIK, të cilët nuk kishin marrë ndonjë detyrë prej nesh. Me sa mësuan aty, ata kishin shoqëruar në komisariat edhe një person. Atëherë turma u kthye dhe pas një orë u grumbullua e gjithë në komisarit dhe njerëzit filluan të manifestonin për personin që ishte shoqëruar. Atij nuk ia mbaj mend emrin, por ka qenë rreth 40 vjeç. Në këto kohë turma u qetësua përsëri. Ndërkohë që turma u qetësua, pranë firmës Kamberi, që është rreth 100 metra larg nga komisariati, mbërritën shumë makina të policisë të tipit IVECO, të cilat vinin nga Tirana. Turma u irritua dhe u nis drejt tyre.

Aty filloi një përleshje e ashpër me gurë dhe Paulin Sterkaj, i cili ishte komandat i tyre, mezi mundi të futej në komisariat. Brenda komisariatit filluan të qëllonin me armë forcat e ardhura Armët e komisariatit të policisë ishin çuar që me 1 shkurt në Repartin e Bunavisë pasi kishim informacione se mund të sulmohej komisariati. Nga radhët e turmës u hodhën shishe me lëndë djegëse dhe u plagosën disa policë. Efektivi i komisariatit të policisë gati ishte larguar i gjithë dhe komanda jepej vetëm nga Tirana. Forcat e ardhura nga Tirana hapën tarraca para komisariatit për mbrojtjen e tij. Hilë Lushanaku mundohej të hynte në negociata me turmën, por ishte e pamundur.

Duke gdhirë data 10.2,1997, një numër i madh makinash erdhën në komisariatin e policisë dhe bashkë me to edhe Agim Shehu. Ai urdhëroi Arben Prenjasin të bënte planin e dislokimit të forcave për ditën. Kanë ardhur forca nga Durrësi të komanduara nga Bedri Dani, forca nga Elbasani të komanduara nga Shemsi Premçi, forca nga Tirana të komanduara nga Nexhmi Zoto, forca nga Lushja të komanduara nga Albert Dervishi, forca nga Mallakastra, Saranda etj. Unë si zakonisht kanë ndarë detyrat me një plan të veçantë, në të cilin kisha përcaktuar se efektivi i policisë kriminale të dilte i paarmatosur dhe të kontrollonte të gjithë objekt për të parandaluar ndonjë sulm të mundshëm.

Në orët e para të mëngjesit u bë shpërndarja e forcave nëpër udhëkryqet e qytetit dhe rreth orës 9 filloi përleshja me popullin, e cila zgjati rreth 15 minuta. Forcat u shpërbënë dhe shumë prej tyre ishin të gjakosur. Unë kam qenë tek Varrezat e Dëshmorëve dhe ndiqja me radio se si zhvillohej situata. Kam dëgjuar ne radio që tek xhamia ka mbetur i rrethuar tek lokali Hollyday një grup i Sarandës dhe i Tiranës si dhe Agim Shehun që thërriste në radio ‘ndihmoni Mondin’.

Rreth orës 12 forcat e shpërbëra u grumbulluan në komisariat dhe aty u mësua që kishte mbetur i vrarë një person, për të cilin më vonë mora vesh se quhej Artur Rustemi. Truma erdhi përsëri në komisariat dhe u zhvilluar përsëri një përleshje e ashpër me gurë, ku pati shumë të plagosur me gurë nga efektivat e policisë të cilët filluan t’i çonin me helikopter drejt Tiranës. Rreth orës 20 situata u qetësua dhe unë shkova në shtëpi të fila pasi isha shumë i lodhur. Në orën 24 më vjen korrieri në shtëpi dhe më thotë se të kërkon gjenerali. Shkova në komisariat dhe Agim Shehu më tha se do ikim. Do marrim të gjitha letrat dhe të burgosurit. Në dispozicion të komisariatit do të lëmë disa forca të Tiranës. Në mëngjes forcat e Tiranës që kishin mbetur erdhën në komisariat që të merrnin detyrën, por kur panë që pjesa më e madhe ishin larguar, më thanë se edhe ne do të largohemi’.

Si konkluzion të atyre që thamë më lart, rezulton se persona si Agim Shehu, Bashkim Gazidede, Xhait Xhaferri, Sokol Mulosmani etj., drejtues të strukturave ushtarake të shtetit, kanë marrë pjesë dhe kanë luajtur një rol të veçantë në këtë situatë, në përplasjet me revoltat paqësore të popullit në fillimet e saj në Vlorë, duke ndikuar direkt në acarimin e situatës”. Vijon...

 Pjesë nga raporti i Komisionit Hetimor Parlamentar për hetimin e ngjarjeve janar-qershor 1997

 

B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Santa Quaranta: 24/09/2020 10:03

    Personazhe komike dhe jo profesioniste-tipik Agim Shehu!! Si atehere dhe tani!! Disa prej tyre i kemi edhe deputete, drejtora, keshilltare, zevendesdrejtora, ne kerkim......

    Përgjigju
  • Sali trathtari: 23/09/2020 22:52

    Sali trathtari ca i ka ber ky shqiperis nuk ja ka ber Serbia kosoves Ky gjak pirs esht lyer kemb e kok me gjakun e shqipetarve the akoma e duan Vdekje sali trathtari the gjith fisit te tij e mbyten kete popull te varfer

    Përgjigju
  • Mos lini qe diktatoret ti shpetojne ndeshkimit: 23/09/2020 19:32

    Futeni ne burg sa esht gjall se po vdiq çu kuptua.

    Përgjigju
    • Kasem: 23/09/2020 22:41

      Po pra, ne burg. Keto te medhenjte e policise sot jane prape ne polici dhe me PS pale. Hajde imoralitet hajde. Te pakten, Gazideden e fshiu perendia...

  • vlora: 23/09/2020 18:40

    Komisionin hetimor per ngjarjet e 97 me duket se e kryesonte Ngjela.Mirpo avokati ate periudhe hante ne pjaten e Saliut dhe mbajti anen e tij,nuk e coi raportin ne prokurori dhe Sala tani do ishte haruar.Kur avokatin e ndoqi Saliu nga tepsia e corbes ky filloi te derdellise po me nuk vlen asgje .Atehere avokat do i beje sherbim popullit tend ,tani eshte vone djalli ka dale nga shishja

    Përgjigju
    • Vlora: 23/09/2020 23:07

      Sikur Spartaku ska firmosur duket?

  • O tej: 23/09/2020 18:28

    Salu bajga gjithandej del me duart e lyer me gjak shqiptaresh

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?