TIRANE - Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka miratuar sot një raport në mbështetje të aktit special normativ të qeverisë Anti-KÇK, për goditjen e njerëzve të krimitpërmes bllokimit të pasurive, izolimit fizik dhe sanksioneve ekonomike. Në raportin drejtuar Komisionit të Ligjeve, Komisioni i Sigurisë thekon se projekt-akti i propozuar është në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe me Rregulloren e Kuvendit, si në aspektin ligjor ashtu edhe procedural. Në raport thuhet gjithashtu se “përparësitë dhe efektiviteti i këtij akti normativ konsistojnë në fuqizimin e mekanizmave identifikues/gjurmues, si dhe në rritjen e proaktivitetit të Policisë së Shtetit. Në veçanti për marrjen “në kohën e duhur” të masave dhe veprimeve parandaluese me karakter personal, pasuror e ekonomik, si dhe në goditjen efikase ndaj të gjitha aseteve, pasurive dhe të ardhurave nga aktivitete të paligjshme të krimit të organizuar, terrorizmit apo pasurive për të cilat subjektet e këtij akti normativ nuk mund të provojnë ligjshmërinë e burimit, krijimit apo fitimit të tyre”.
Deputetja Artemis Dralo Malo, relatore e nismës ligjore të qeverisë pohon se “se qeveria Shqiptare, është e gatshme dhe më e vendosur se kurrë në hapat e ndërmarra për zbatimin e plotë të reformës në drejtësi dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Kjo dëshmohet qartë në punën e intensifikuar për çdo përpjekje serioze mbi parandalimin e krimit, me qëllimin e vetëm përdorimin e pasurisë se paligjshme, për të minuar themelet e shtetit ligjor”.
Komisioni i Sigurisë nuk ka propozuar asnjë ndryshim në aktin normativ. Nisma speciale do të shqyrtohet më tej nga Komisioni i Ligjeve, për t’u votuar më pas në seancën plenare. Sipas nenit 101, të Kushtetutës këto akte humbasin fuqinë që nga fillimi, në qoftë se nuk miratohen nga Kuvendi brenda 45 ditëve.
Qeveria shqiptare e ndërmori këtë akt special dhe emergjent në kushtet e dështimit spektakolar të ligjit anti-mafia si dhe pas ngritjes së Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës Speciale, organe të cila reflektojnë një besim të ri, në luftën kundër krimit.
Por, nga ana tjetër, akti normativ është sulmuar fort nga opozita dhe Presidenca. Kreu i PD, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha dhe Presidenti Ilir Meta, në një linjë, e kanë konsideruar anti normativ si mbivendosje, lëvizje për dubluar SPAK-un, asgjësim të ligjit anti-mafia etj. Megjithatë, qeveria ka depozituar në Kuvend edhe dy projektligje të tjera, për ndryshimin e ligjit për Policinë e Shtetit dhe Kodin Penal, në mbështetje dhe për zbatimin e aktit normativ.