Pas raportit të Avokatit të Popullit, ku theksohej se gjatë arrestimit të Ilir Metës më 21 tetor 2024, pati shkelje të të drejtave të njeriut, Partia e Lirisë kërkon që të merret nën akuzë drejtori i policisë dhe zyrtarët e tjerë. Sekretari i Përgjithshëm, Tedi Blushi, në një deklaratë për mediat theksoi se raporti hodhi poshtë atë që ai e quan si përpjekje kriminale e Policisë për të manipuluar situatën.
"Është diskredituar përpjekja kriminale e Policisë së Shtetit për të manipuluar opinionin publik, dhe ka rënë poshtë i gjithë mashtrimi i saj me faktin shumë të rëndë të konstatuar tashmë edhe nga Avokati i Popullit, se gjatë këtij ndalimi të dhunshëm të Presidentit Meta, punonjësit e pretenduar dhe të paidentifikuar të Policisë: 1. Nuk kanë pasur asnjë dokument identifikimi dhe asnjë shenjë dalluese të qartë, siç kërkon ligji.2. Banditët e policisë nuk kanë pasur as kamera trupi për të dokumentuar pretendimet e tyre të rreme. Kjo provon shumë qartë se në thelb ajo çfarë të gjithë shqiptarët panë më 21 tetor 2024, ishte një rrëmbim politik terrorist me urdhër të Edi Ramës nga tribuna e Partisë Socialiste.", tha Blushi.
Shënjestron edhe SPAK, teksa thotë se fakti që nuk hetoi kallëzimin e bërë nga PL më 6 dhjetor tregon bashkëfajësinë e tij. Përgjigjen e drejtorit të policisë Ilir Proda e cilëson si mashtrim "për të justifikuar brutalitetin dhe dhunën e përdorur sepse e vërteta qëndron krejt ndryshe."
"Z. Meta u njoh me urdhër-arrestin vetëm pas 3 orësh kur kishte shkuar në Drejtorinë e Policisë Tiranë dhe pasi i kishte mbërritur më parë, i njoftuar vetëm nga mediat, avokati Genc Gjokutaj."
"Partia e Lirisë kërkon me vendosmëri që gjetjet e Avokatit të Popullit të konkretizohen sa më parë në përgjegjësi penale për të gjithë zyrtarët e lartë që urdhëruan dhe zbatuan aktin kriminal të rrëmbimit të Presidentit të Partisë së Lirisë z. Ilir Meta, duke nisur së pari nga Narkodrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i cili kurrë nuk do t’i shpëtojë drejtësisë dhe as do të amnistohet për këtë krim.", shton më tej ai.
Komente
