Në gjurmët e vitit të shkuar ishin edhe 6-muajt e parë të këtij viti. Rritja ekonomike thotë Banka e Shqipërisë ka vijuar, e mbështetur nga të njëjtët faktorë, turizmi, ndërtimi dhe konsumi.
“Ekonomia shqiptare ka pasur një rritje solide në gjysmën e parë të vitit. Rritja ekonomike e tremujorit të parë ishte 3.4% edhe informacionet që kemi për tremujorin e dytë do të jetë në të njëjtin nivel. Rritja ekonomike është mbështetur nga zgjerimi i konsumit familjar dhe investimeve të sektorit privat në ekonomi, por gjithashtu është mbështetur kryesisht nga rritja e eksportit të shërbimeve, por veçantia e tremujorit të parë ka qenë edhe rritja e eksportit të mallrave”, thotë Erald Themeli drejtor i Politikës Monetare”, tha Erald Themeli.
Edhe pse rreziqet e nga tregjet e huaja janë prezente, banka qendrore gjykon se ekonomia do të vazhdojë të rritet.
“Perspektiva e zhvillimeve ekonomike në vend është pozitive, do të vijojë rritjen me 3.5-4%, dhe inflacioni brenda gjysmës së parë të 2026-ës do të kthehet në objektiv prej 3%. Rreziqet kryesisht nga ambienti i jashtëm mbeten të mëdha”, pohon Themeli.
Ndikim në ecurinë pozitive të ekonomisë në këtë gjashtëmujor, thotë Themeli, ka pasur edhe shtimi i shpejtë i kredisë së dhënë nga bankat.
“Aktiviteti ekonomik është mbështetur edhe nga një kredi e bollshme në të gjithë sektorët e saj, qoftë për bizneset për investime ose kapital qarkullues, qoftë edhe për familjet për konsum të përgjithshëm dhe për blerje banese”, tha Themeli.
Banka e Shqipërisë pret që inflacioni të vijojë të rritet nga mesatarisht 2.3% aktualisht në 3% sa është objektivi i tyre, në gjashtëmujorin e parë të vitit të ardhshëm.
Drejtori i Politikës Monetare Erald Themeli ka sqaruar edhe arsyet që shtynë Këshillin Mbikëqyrës të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në mbledhjen e 6 gushtit.
“Ky vendim vjen pas një reduktimi të normës bazë të interesit që Banka e Shqipërisë bëri në fillim të muajit korrik. Nisur nga koha e shkurtër që ka kaluar nga ky vendim, ne gjykuam që duhej t'i jepnim më shumë kohë transmetimit të plotë tij në tregjet financiare për të parë impaktin që do të ketë në këto tregje dhe më tej në aktivitetin ekonomik”, shpjegon Themeli.
Në këtë mbledhje të Këshillit Mbikëqyrës u la pa ndryshuar norma bazë e interesit prej 2.5%, e cila është në fuqi prej muajit korrik 2025.
Komente

Po faleminderit zoterote. Cdo gje ne rregull. Ik fli gjum tani
Përgjigju