Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko vlerëson politikat ekonomike të ndërmarra nga qeveria për mbajtjen nën kontroll të inflacionit, në një vit të vështirë për ekonominë europiane të shkaktuar nga presioni inflacionist i shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë.
"Reduktimi i deficitit buxhetor, i shfaqur në formën e frenimit të investimeve publike, ka ndihmuar në kontrollin e presioneve inflacioniste dhe ka rritur hapësirat e reagimit të politikës fiskale në të ardhmen. Paralelisht me të, subvencionimi i çmimit të shitjes me pakicë të energjisë elektrike për familjet dhe zbatimi i paketave sociale – masa këto të cilat vlerësohen rreth nivelit 2% të PBB-së -ndihmuan në zbutjen e ndikimit të goditjes në shtresat më të brishta të shoqërisë shqiptare", tha Sejko.
Sejko duke komentuar gjetjet raportit të Tranzicionit për periudhën 2022 – 2023, të përgatitur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, u shpreh se kryefjalë për Bankën e Shqipërisë mbetet ruajtja e stabilitetit të çmimeve.
"Ky proces u materializua në rritje progresive të normës bazë të interesit, në komunikim të hapur të pritjeve tona për të ardhmen, si dhe në rikonfirmim të vazhdueshëm të vullnetit të Bankës së Shqipërisë për marrjen e të gjitha masave të nevojshme për kthimin e inflacionit në objektiv, brenda një horizonti kohor të arsyeshëm dhe me kosto sa më të ulëta mbi aktivitetin ekonomik. Projeksionet tona sugjerojnë se inflacioni do të vijojë trajektoren rënëse gjatë vitit 2023 dhe do të kthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024. Për më tepër, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet gjatë kësaj periudhe, ndërsa bilancet e bizneseve e familjeve pritet të mbeten në tërësinë e tyre të shëndetshme", tha Sejko.
Sejko vuri në dukje se shqetësim mbetet emigracioni dhe fragmentizimi i tregut. që pasohet me ulje të forcës së punës dhe gjithashtu me kosto të larta ekonomike si për vendet pritëse, ashtu dhe për vendet e origjinës.
"Nga njëra anë, ky fenomen ka gjeneruar flukse hyrëse valutore dhe rritje të përgjithshme të dijeve e të ekspertizës, të cilat janë të domosdoshme për zhvillimin e vendit. Nga ana tjetër, ai pakëson forcën e punës – sidomos në segmentet më të kualifikuara të saj – dhe dëmton perspektivat e rritjes afatgjatë. Nevojitet një koordinim më i mirë në nivel ndërkombëtar, për t’u kujdesur që përfitimet e ardhura nga emigrimi dhe lëvizja e lirë e njerëzve, të ndahen në mënyrë sa më të drejtë midis vendeve. Tensionet gjeopolitike pasqyrohen në rritje të proteksionizmit, fragmentarizim të zinxhirëve të prodhimit dhe riorientim të flukseve të investimeve të huaja direkte drejt vendeve mike, si dhe frenim të procesit të globalizimit" tha Sejko.
Për Sejkon, kryerja e një reforme strukturore, duhet të jetë një prioritet kombëtar për vendet në tranzicion për të shuar pasojat ekonomike të luftës në Ukrainë në periudhën afatgjatë.
Drejtoresha e Zyrës së BERZH-it në Shqipëri, Ekaterina Solovova u shpreh se janë kryer investime në 400 projekte në vitin 2022. Për vitin që lamë pas thotë se u shënua rekord për peshën e sektorit privat në aktivitetet financiare.
“BERZH ka kryer investime në shifra rekord, 400 projekte të financuara në 2022. Projekte që mbështesin ekonominë e gjelbërt, 6 mld euro investime. 1.7 mld euro në mbështetje të Ukrainës. 200 mln euro u mobilizuan nga institucionet financiare partnere. S’do i bënim këto pa grantet dhe garancitë e dhëna nga partnerët. 1.7 mld euro për të mbështetur nevojat financiare të Ukrainës gjatë kësaj periudhe të agresionit rus. Dëshiroj të falenderoj dhe Shqipërinë që dha kontributin e saj në këtë përpjekje për të ndihmuar Ukrainën.
154 mln euro të angazhuara në sektorin bankar, energjisë, truizmit, sektori bankar, me projekte të reja. Viti 2022, vit rekord për peshën e sektorit privat në aktivitetet tona financiare”, tha Solovova.