Baret, restorantet...hotelet nuk po sigurojnë staf përpara se të çelin zyrtarisht sezonin turistik. Sinjalet e mungesës së punonjësve edhe për këtë vit kanë rrëzuar besimin në ekonomi të sektorit të shërbimeve, ku bën pjesë edhe turizmi.
Banka e Shqipërisë thotë se besimi në ekonomi nga shërbimet në muajin shkurt ra me 1.4%, dhe kontribut negativ në këtë tregues kanë dhënë vlerësimet më pak optimiste të bizneseve për nivelin aktual të kërkesës dhe pritjet pesimiste për punësimin, ndërsa çmimet sipas vrojtimit do të mbajnë të njëjtin ecuri.
Po për të njëjtat arsye është tkurrur me 2.1% edhe besimi i sektorit të ndërtimit, rënie që vijon prej 3 muajsh. Bizneset e këtij sektori raportojnë për ngadalësim të aktivitetit të tyre dhe mungesë punëtorësh, ndërkohë që parashikojnë edhe rënie të çmimeve.
Nga ana tjetër janë përmirësuar treguesit financiar tek tregtia, industria dhe konsumatorët. Banka qendrore thotë se besimi në tregti u rrit me 3.2%, ndikua nga shtimi i aktivitetit të tyre, kanë më shumë punonjës dhe presin rënie të çmimeve.
Edhe konsumatorët ishin 2% më optimist në shkurt, pasi i janë kthyer blerjeve në shua të mëdha si dhe janë më optimistë për situatën ekonomike dhe financiare. Por qytetarët janë pesimist sa i takon punësimit.
Prodhimi i shtuar industrial, rritja e porosive dhe pritshmëritë për çmime më të larta kanë rritur me 1.1% besimin në sektorin e industrisë për muajin e kaluar. Në tërësi besimi në ekonomi u rrit lehtë me 0.9% në muajin shkurt, prej tregtisë, konsumatorëve dhe industrisë.
Pikërisht në kontekstin e mungesës së fuqisë punëtore, veçanërisht në sektorin e turizmit, qeveria shqiptare organizoi të shtunën për herë të parë Panairin e Punës në Athinë. Më shumë se 120 biznese shqiptare iu paraqitën emigrantëve shqiptarë oferta konkrete pune, që sipas Kryeministrit Rama janë me paga më të larta se ato në Greqi.
Komente
