Erisa Xhixho

Politikë

Raporti i DASH për klimën e biznesit në Shqipëri/ Erisa Xhixho: U rrënua propaganda e qeverisë! Investitorët e huaj nuk vijnë për shkak të korrupsionit

28 Shtator, 12:21| Përditesimi: 28 Shtator, 12:23

  • Share

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka komentuar raportin e publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH).

Në shkrimin që Xhixho ka publikuar, ajo i faturon qeverisë shifrat e ulëta të investimeve të huaja në sektorët strategjikë, si dhe prezencën e korrupsionit, që ndikon në zhvillimin ekonomik të vendit.

Ndër të tjera, Xhixho shkruan se largimi nga vendi i fuqisë punëtore, referuar këtu moshave të reja, apo dhe ekspertëve të fushave të ndryshme, ka dekurajuar investitorët e huaj.

Postimi i plotë i Erisa Xhixhos:

Raporti i DASH për klimën e investimit në Shqipëri është e vërteta që rrënon propagandën e kësaj qeverie. Raporti konfirmon gjithë shqetësimet që opozita ngre prej vitesh.

Në raport shihen si faktorë pengues të investimeve dhe vetë ekonomisë:

korrupsioni i përhapur në çdo nivel qeverisjeje

 ndikimi i krimit të organizuar

 deformimi i konkurrencës

 shpopullimi masiv që ka dëmtuar fuqinë punëtore

 informaliteti i përhapur kudo

Me një PBB sa një e katërta e mesatares së BE-së, vendit i duhen reforma të thella strukturore, që kjo qeveri nuk ka ndërmend t’i ndërmarrë.

Në mënyrë të veçantë, raporti ndalet te ligji për investimet strategjike, i cili u përdor nga qeveria për t’u dhënë bregdetin klientëve të saj dhe jo për të nxitur investimet e huaja.

Ligji për Investimet Strategjike, i miratuar në vitin 2015 me qëllim nxitjen e investimeve vendase dhe të huaja në sektorët strategjikë, nuk ka tërhequr shumë investime të huaja, pavarësisht zgjatjeve të shumta përtej afatit fillestar të dhjetorit 2018. Ndryshimi i fundit është miratuar në janar 2025, duke e zgjatur afatin deri në dhjetor 2026. Shumica e mbi 60 projekteve të miratuara fokusohen në sektorin e turizmit dhe dominohen nga investitorë vendas.

Sipas DASH, largimi i të rinjve që ka lënë vendin pa punëtorë, paraja e pistë që pastrohet me bekimin e qeverisë, korrupsioni, shantazhet e administratës publike dhe grupeve kriminale apo PPP-të që u jepen klientëve të kryeministrit, dekurajojnë investimet e huaja.    

Emigrimi i të rinjve dhe punëtorëve të kualifikuar ka krijuar mungesë fuqie punëtore, duke ndikuar negativisht në perspektivën e investimeve.

Komuniteti i biznesit raporton se prania e madhe e të ardhurave të paligjshme nga trafikimi i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni shtrembëron konkurrencën në treg. Investitorët raportojnë gjithashtu se mund të jenë objekt shantazhesh nga administrata publike, media dhe grupe kriminale.

Përdorimi i vazhdueshëm i kontratave të partneritetit publik-privat (PPP) ka reduktuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë edhe nga investitorët e huaj, në sektorin e infrastrukturës dhe sektorë të tjerë. Mungesa e analizës së mirëfilltë dhe e ekspertizës teknike në hartimin dhe mbikëqyrjen e kontratave PPP mbetet një shqetësim i vazhdueshëm.

Kjo është pasqyra e një Shqipërie të vënë në shërbim të një grushti njerëzish, ndërkohë që të tjerët përpiqen të ikin pasi nuk përballojnë dot koston e jetesës dhe kanë humbur çdo shpresë.

Ditën e djeshme u publikua raporti i DASH për klimën e biznesit në Shqipëri për vitin 2025. Në raport vlerësohet qëndrueshmëria makroekonomike në vend si dhe rritja me 4% nga viti 2024 e ekonomisë në sektorët e turizmit dhe pasurive të paluajtshme.

Gjithashtu DASH ka vlerësuar uljen e ndjeshme të inflacionit, kufizimin e korrupsionit pas ndërmarrjes së hapave ligjore, por pavarësisht kësaj investimet e huaja mbeten në ‘ngërç’ për shkak të pranisë së korrupsionit në sektorin publik.

K.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Linda: 28/09/2025 15:52

    Perparim Xhixho ish gazetari babai i Erises qe sot quhet Pirro Xhixho eshte i akuzuar per korrupsion ne Shqiperi dhe se kuptojm dot kete hajdute per cfare kritikon!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?