Deputetja e PL-së Erisa Xhixho

Politikë

Raporti i DASH për Trafikimin e Qenieve Njerëzore, Xhixho: Institucionet shqiptare kanë dështuar për të mbrojtur viktimat

1 Tetor, 16:25| Përditesimi: 1 Tetor, 16:29

  • Share

Deputetja e PL-së Erisa Xhixho, në një deklaratë nga selia e Partisë së Lirisë, ka deklaruar se raporti i fundit i DASH për Trafikimin e Qenieve Njerëzore për vitin 2025 nxjerr në pah një realitet alarmant për Shqipërinë.

Sipas Xhixhos, vendi ynë nuk përmbush standardet minimale për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore.

Ndërsa më tej ajo analizon disa nga pikat, teksa thotë që dështimi i institucioneve është pasojë e qeverisjes së papërgjegjshme dhe bashkëpunimit të hapur me krimin.

Postimi i plotë i Xhixhos:

Në raportin e fundit, Departamenti Amerikan i Shtetit për Trafikimin e Qenieve Njerëzore në vitin 2025 nxjerr në pah një realitet alarmant për Shqipërinë, vendi ynë nuk përmbush ende standardet minimale për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore.

Dështimi i thellë i institucioneve tona është pasojë e qeverisjes së papërgjegjshme dhe bashkëpunimit të hapur me krimin.

Sot, Partia e Lirisë denoncon me forcë këtë situatë dhe kërkon përgjegjësi të plotë nga qeveria.

Hetime të dobëta, drejtësi që nuk vepron

Raporti tregon qartë se policia dhe prokuroria në nivel lokal nuk kanë kapacitet për të trajtuar rastet e trafikimit. Minimizimi i akuzave, shpeshherë i qëllimshëm, i shpëton trafikantët nga ndëshkimi i merituar. Një drejtësi që i shërben krimit dhe ndëshkon viktimat nuk mund të jetë kurrsesi drejtësi.

Gratë dhe vajzat bëhen dy herë viktima për shkak të deformimit të cështjeve të tyre. Janë identifikuar raste ku gra dhe vajza të trafikuara janë ndjekur penalisht për prostitucion, pa u pyetur kush i shfrytëzoi dhe kush përfitoi nga dhuna ndaj tyre. Kjo është një padrejtësi e dyfishtë.

Kaos institucional dhe mungesë koordinimi

Shteti ka dështuar në mbrojtjen e viktimave. Zyra e Koordinatorit Kombëtar dhe Mekanizmi i Referimit nuk mblidhen, nuk marrin vendime dhe nuk mbajnë përgjegjësi. Dështimi institucional i hap rrugën trafikimit, që lulëzon në heshtje.

Zero mbështetje për viktimat

Prej tre vitesh, asnjë fond nga asetet e sekuestruara të krimit nuk janë vënë në funksion të përmirësimit të jetës së viktimave. Qeveria nuk ofron shërbime afatgjata, bashkitë nuk garantojnë strehim, dhe viktimat, sidomos nënat me fëmijë, mbeten në mëshirë të fatit. Sepse shteti nuk mbron jetën njerëzore.

Drejtësia traumatizon sërish

Gjykatat refuzojnë kompensimin dhe viktimat detyrohen të dëshmojnë disa herë, duke përjetuar traumën e tyre edhe më keq. Asnjë gjykatë nuk ofron kushte të sigurta për dëshmitarët. Në disa raste, prokurorët kanë refuzuar të ndërhyjnë edhe kur prindërit shfrytëzojnë fëmijët e tyre.

Pandëshkueshmëria

Shteti shqiptar nuk ka hetuar dhe as ndëshkuar ndonjë zyrtar të përfshirë në trafikim. Ndërsa të fortët me lidhje pushteti nuk dalin para drejtësisë,  korrupsioni dhe bashkëpunimi i heshtur me rrjete kriminale vazhdojnë pa asnjë frenim. Kjo tregon jo vetëm paaftësi, por edhe bashkëfajësi.

Një vend ku shteti mbron trafikantët dhe dënon viktimat as nuk mund ta çojë nëpër mend integrimin në BE, as në 2030 dhe as ndonjëherë.

A.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si iu duket?