Bota

Raporti i Departamentit Amerikan të Drejtësisë për McGonigal: Turpëroi FBI-në, nuk raportoi vizitat në Shqipëri

4 Shtator, 19:36| Përditesimi: 4 Shtator, 20:43

  • Share

Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka publikuar një raport inspektues për ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles Mcgonigal, i cili është dënuar nga një gjykatë amerikane për marrjen 225 mijë dollarëve, fshehjen e vizitave të tij në Shqipëri ku është takuar edhe me Kryeministrin Edi Rama, dhe për bashkëpunimin me oligarkun rus Oleg Deripaska, i cili kërkonte të hiqej nga një listë sanksionesh amerikane.

Në raportin e bërë publik nga Departamenti Amerikan i Shtetit, evidentohet se veprimet e ish-agjentit Charles McGonigal kanë njollosur vlerat thelbësore të FBI-së si integriteti, përgjegjshmëria dhe lidershipi që pritet nga çdo punonjës i FBI-së.

“Përmes skemës së tij, McGonigal ka dëmtuar me qëllim një çështje penale të rëndësishme, ka shkelur besimin publik dhe ka kompromentuar integritetin e FBI-së”, thuhet ndër të tjera në konkluzionet e këtij raporti.

Po ashtu, theksohet se Charles McGonigal nuk raportoi për vizitat e tij në Shqipëri, duke i fshehur këto udhëtime.  

Sipas aktakuzës, McGonigal raportoi një udhëtim "jozyrtar" të ardhshëm në Shqipëri në shtator 2017, por nuk arriti të identifikonte shoqëruesin e tij të udhëtimit ose se kush do të paguante për akomodimin dhe qëndrimin e tij, ose se ai do të udhëtonte edhe për në Kosovë.

Pas udhëtimit të shtatorit 2017, McGonigal paraqiti një formular informimi për udhëtimet e tij jashtë vendit, në të cilat ai nuk kishte zbuluar se ishte takuar me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ose me një politikan kosovar.

"Lidhur me udhëtimin e nëntorit 2017, McGonigal raportoi një udhëtim "zyrtar" të ardhshëm në Vienë të Austrisë, por nuk tregoi se do të udhëtonte edhe për në Shqipëri, kush ishte shoqëruesi i tij i udhëtimit, kush do të paguante për akomodimin dhe qëndrimin e tij, ose kontaktet e tij të parashikuara. Pas udhëtimit të nëntorit 2017, McGonigal paraqiti një formular për raportimin e udhëtimit jashtë vendit, ku nuk zbulonte për udhëtimet në Shqipëri ose se u takua Dorian Duçkën dhe Kryeministrin e Shqipërisë", thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Drejtësisë.

Charles McGonigal u dënua me 28 muaj burgim në shkurt të vitit 2024 nga Gjykata Federale e Uashingtonit, për 225 mijë dollarët që mori nga shqiptaro-amerikani Agron Neza, mosdeklarimin e kontakteve me zyrtarë të Shqipërisë, përfshirë me Kryeministrin Rama. Në gjyq, vetë McGonigal pranoi se kishte fshehur nga FBI-ja marrjen e pagesave nga shqiptaro-amerikani Agron Neza, dhe takimet e tij me zyrtarë të huaj, përfshirë Kryeministrin shqiptar. 

Ndërkohë, ai ka edhe një dënim tjetër me mbi 4.2 vite burgim për ndihmën që i dha oligarkut rus, Oleg Deripaska, i cili kërkoi të hiqej nga lista e sanksioneve amerikane.

V.GJ /r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me propozimin e Ramës për heqjen e depozitave të ujit nga pallatet?