Kronikë

Raporti i Eurojust/ Hetimet e përbashkëta me Shqipërinë, vendi i parë në rajon

25 Maj, 08:57| Përditesimi: 25 Maj, 09:59

  • Share

Shqipëria renditet ndër vendet e para, jo vetëm në rajon por edhe ndër të tjera jo anëtare të Bashkimit Evropian, me më shumë hetime dhe skuadra të përbashkëta ndërkombëtare në luftën kundër krimit të organizuar. Përfundimi është pasqyruar në raportimin e fundit të Eurojust, Agjencia e BE për bashkëpunimin në luftën kundër krimit.

Vitin që lamë pas, nga 1022 çështje të reja të hapura nga Eurojust, përfshinin një ose më shumë vende jashtë BE-së. Në vendin e tretë, pas Britanisë së Madhe dhe Zvicrës, është Shqipëria, e cila u angazhua në 109 raste hetimore bashkëpunimi. Vendi ynë, njëlloj si 11 vende të tjera jashtë BE-së, ka prokurorin e tij ndërlidhës me Eurojust, në të cilat janë edhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Prania e prokurorëve ndërlidhës nga vende jo-anëtare të BE-së në ambientet e Eurojust-it u mundëson autoriteteve të shteteve anëtare të bashkëpunojnë ngushtë me autoritetet gjyqësore, duke krijuar bashkëpunim operacional ndërmjet tyre. Gjatë vitit 2024, numri i çështjeve të reja të iniciuar nga prokurorët ndërlidhës është 378, dhe sërish Shqipëria me Zvicrën hapën numrin më të lartë të çështjeve.

Edhe në luftën kundër korrupsionit, Shqipëria ishte vendi kryesor jashtë BE-së, ndjekur nga Ukraina, që hapi numrin më të lartë të çështjeve. Në total në Eurojust u hapën 94 çështje të reja korrupsioni, gati dyfish më shumë se në 2023-shin.

Pikë e rëndësishëm e bashkëpunimit të Eurojust me vendet e rajonit ishte lufta kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit në Ballkanin Perëndimor. Vitin që lamë, nga këto 6 vende, përfshirë dhe Shqipëria, u bënë 25 hetime ndërkufitare që lidhen me trafikimin e drogës, pastrimin e parave, falsifikimin e parasë, korrupsionin dhe trafikimin e armëve.

Gjatë pesë viteve të fundit, çështjet e Eurojust-it që përfshijnë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë qenë kryesisht të lidhura me trafikimin e drogës, krimin e organizuar dhe pastrimin e parave. Serbia ishte vendi që mori pjesë në numrin më të madh të takimeve dhe qendrave të koordinimit në vitin 2024.

U nënshkruan dhe u mbështetën tre ekipe të reja të përbashkëta hetimore me autoriteteve gjyqësore të Ballkanit Perëndimor dhe Shqipëria gjatë vitit 2024 ishte vendi me numrin më të madh të pjesëmarrjeve në këto skuadra.

JIT janë struktura bashkëpunuese të përkohshme që krijohen nga dy ose më shumë shtete për të zhvilluar hetime penale të përbashkëta. Ato përdoren sidomos në rastet kur krimet janë ndërkufitare dhe kërkohet bashkëpunim i ngushtë ndërmjet autoriteteve ligjzbatuese dhe prokurorive të vendeve të ndryshme.

Për herë të parë pas katër vitesh, në 2024-ën u shënua një rënie e numrit të çështjeve për trafikimin e emigrantëve me 15%, megjithatë Shqipëria ishte vendi jashtë BE që nisi numrin më të madh të tyre. Gjithnjë e më shumë, provat digjitale po luajnë rol të rëndësishëm në hetimet për trafikimin e emigrantëve, pasi grupet e krimit të organizuar përdorin platforma online, rrjete sociale dhe telefona të enkriptuar për të ofruar shërbimet e tyre të paligjshme. Kjo prirje ishte shumë e dukshme në çështjet e trajtuara në vitin 2024. Një tjetër tendencë e vërejtur në punën e Eurojust-it për vitin 2024 ishte një rritje e ndjeshme e përdorimit të dhunës nga grupet kriminale ndaj emigrantëve, si dhe ndaj oficerëve të zbatimit të ligjit dhe rojeve kufitare.

Eurojust trajtoi më shumë se 870 raste të reja të trafikut të drogës në 2024-ën. Sërish Shqipëria ishte vendi jashtë BE-së me numrin më të madh të çështjeve ndërkombëtare në këtë luftë. Tendenca të tjera të vërejtura gjatë vitit 2024 përfshijnë një rritje të ndjeshme të sasisë së drogës së sekuestruar në porte të vegjël nëpër Europë, krahasuar me portet e mëdha në vitin 2023, si dhe sofistikimin gjithnjë e më të madh të metodave që përdorin grupet kriminale për të fshehur drogën gjatë transportit. Ndërsa një rol të shtuar në luftën kundër këtij trafikut vitin e kaluar ishin të dhënat e përfituara nga EncroChat dhe SkyECC.

Raporti i Eurojust

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kërkon anulim të zgjedhjeve, si ju duket?