Tiranë- Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka komentuar raportin e fundit të “Eurostat”, i cili thotë se gjysma e shqiptarëve jetojnë në varfëri.
Në reagimin e tij në rrjetin social Facebook, Basha shkruan se “të dhënat pasqyrojnë një realitet tronditës, që nuk ka gjetur hapësirë në debatin publik për shkak të propagandës së gënjeshtërt të pushtetit”.
Duke e cilësuar si një shifër turpëruese, ai më tej shprehet se “një qeveri e papërgjegjshme, arrogante dhe e zhytur në korrupsion nuk meriton të vijojë të drejtojë vendin”.
Basha theksoi se Demokratët Euroatlantikë kanë gati programin reformues, përmes të cilit kërkojmë besimin e qytetarëve, për të lënë pas “gjëmat e qeverisë Rama, dhe për të nisur një faqe të re në zhvillimin e vendit”.
Postimi i plotë i Lulzim Bashës:
“Gjysma e shqiptarëve jetojnë sot në varfëri. Gjysma e shqiptarëve nuk sigurojnë dot ushqim të mjaftueshëm për fëmijët, ilaçe për të sëmurët, ngrohje për ditët e ftohta të dimrit dhe kushte minimale për të jetuar.
Të dhënat e Eurostat-it pasqyrojnë një realitet tronditës, që nuk ka gjetur hapësirë në debatin publik për shkak të propagandës së gënjeshtërt të pushtetit, por i cili realitet, përjetohet me ankth dhe pasiguri nga gjysma e popullsisë së vendit, që jeton në varfëri.
Kjo është shifër turpëruese, për cilindo që mban përgjegjësi qeverisëse për t’i shërbyer qytetarëve, dhe jo interesave të pushtetit personal dhe klientelës së tij.
Të kryesosh në Europë, për varfërinë në të cilën lëngon populli që drejton, ndërkohë që miliarda euro të buxhetit të shtetit shpërdorohen në afera korruptive, do të thotë se Edi Rama dhe qeveria e tij jetojnë në një realitet paralel, të shkëputur nga problemet dhe hallet e familjeve shqiptare.
Një qeveri e papërgjegjshme, arrogante dhe e zhytur në korrupsion nuk meriton të vijojë të drejtojë vendin, jo vetëm për shkak të gjëmave që ka shkaktuar, por sepse nuk mund të ofrojë gjë tjetër përveç varfërimit të mëtejshëm të qytetarëve.
Shqipëria meriton më shumë, prandaj në zgjedhjet e ardhshme, shqiptarët kanë në dorë t’i thonë Jo, varfërisë, keqqeverisjes dhe korrupsionit, pasi ato ia kanë bërë të pamundur jetën shumicës dërrmuese të tyre.
Demokratët Euroatlantikë, kanë gati programin reformues, përmes të cilit kërkojmë besimin e qytetarëve, për të lënë pas gjëmat e qeverisë Rama, dhe për të nisur një faqe të re në zhvillimin e vendit”.
Postimi i Lulzim Bashës