Në vitin 2024 Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar procedimi disiplinor., respektivisht në KLGJ dhe KLP për 11 magjistratë, 6 gjyqtarë dhe 5 prokurorë, duke kërkuar shkarkim për të gjashtë gjyqtarët dhe masa të tjera për përfaqësuesit e akuzës.
Në raportin e paraqitur nga vetë ILD në Kuvendin e Shqipërisë thuhet se nga 6 kërkesa për shkarkim të togave të zeza, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka pranuar largimin nga detyra të 2 gjyqtarëve, një e ka rrëzuar, një në pezullim dhe 2 të tjera vijojnë në proces.
Sa i përket kërkesave për procedim disiplinor të prokurorëve, vihen re kërkesa më të buta, për vërejtje në 2 raste dhe ulje e përkohshme e pagës në 3 raste. Nga këto KLP ka pranuar një ulje të pagës, ka rrëzuar 2 dhe ka në proces 2 të tjera.
Shkeljet e vërejtura nga ILD gjatë hetimeve për gjyqtarët dhe prokurorët janë vonesa të përsëritura ose që sjellin pasoja të rënda apo zvarritje të pajustifikuara; mosrespektimi i rëndë ose i përsëritur i legjislacionit; shkelja e rregullave të papajtueshmërisë ose të parandalimit të konfliktit të interesit; përdorimi i statusit të magjistratit, me qëllim krijimin e përfitimeve për vete ose për të tjerët; veprimi, mosveprimi ose sjellja e magjistratit, që sjell përfitime të padrejta ose dëme për palët në një proces gjyqësor ose procedurë hetimore; shkelja e përsëritur ose e rëndë e rregullave të solemnitetit dhe të sjelljes në marrëdhëniet me palët si dhe për rastet kur gjyqtari është dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
Në raportin e ILD thuhet se në vitin 2024 vihet re një numër i shtuar i ankesave të depozituara, krahasuar me vitin e mëparshëm, me 1491 ankesa të reja, nga të cilat 1376 ankesa të depozituara nga qytetarët si dhe 115 nga institucione. Nga 2023-shi janë mbartur 1363 ankesa, duke e bërë kështu totalin 2854 ankesa për t’u trajtuar.
Gjatë 365 ditëve të 2024, zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka shqyrtuar 1374 ankesa, ku 993 të tilla janë arkivuar pas shqyrtimit fillestar, 327 të tjera janë arkivuar, dhe vetëm 54 ankesa kanë përfunduar në hetim disiplinor.
Por ndaj kujt ankohen shqiptarët? Sipas raportit të ILD nga 1374 ankesat e shqyrtuara, rezulton se 642 të tilla ose 47% kanë qenë për gjyqtarët, 357 ose 26% për prokurorë, 284 ankesa për gjyqtarë e prokurorë së bashku (21% e tyre), ndërsa 7% e ankesave ose 91 të tilla nuk e identifikojnë subjektin ndaj të cilit ngrihen pretendime.
Numri më i madh i gjyqtarëve të vënë nën akuzë nga ankuesit janë në Apelit te Juridiksionit të Përgjithshëm me 208 ankesa ose 15% e totalit, për të vijuar më pas më gjykatën e shkallës së parë Tiranë, atë në Fier e kështu me radhë.
Ndryshe ndodh me organin e akuzës ku ankesat për prokurorit në Apelin e Përgjithshëm janë vetëm 2% ose 34 të tilla, ndërsa prokuroritë më të ‘akuzuara’ janë ato të Tiranës me 201 ose 14%, duke vijuar me Durrësin dhe Elbasanin.
Kur flasim për gjyqtarët e GJKKO dhe prokurorët e SPAK situata paraqitet e ndryshe. Nga totali i ankesave të shqyrtuara, 1374 të tilla, vetëm 12 kanë qenë për gjyqtarët e posaçëm të shkallës së parë ose 1%, dhe diçka më shumë për prokurorët e posaçëm 25 të tilla ose 2% e totalit. Për GJKKO-në e Apelit është trajtuar vetëm një ankesë.
Sa i përket raportimeve nga krerët e gjykatave, për vitin 2024 ka qenë vetëm një drejtues i ka përcjellë gjithsej 2 ankime në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Ndërsa nga drejtues të prokurorive, 3 drejtues kanë dorëzuar 20 ankime, njëri 12, një tjetër 7 dhe I treti 1.
2 kanë qenë rastet e transferuara nga nga e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ndërsa Gjykata e Lartë ka përcjellë gjithsej 4 vendimmarrje gjatë vitit 2024, ku ka gjykuar kërkesat për konstatim të shkeljes së afatit të gjykimit. Ndërsa Prokurori I Përgjithshëm dhe Ministri i Drejtësisë, nuk kanë paraqitur asnjë ankim të depozituar për të gjithë vitin.
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente
