Politikë

Raporti i KE: Shqetësim pasiguria ligjore për ripërtëritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe moszbatimin nga Kuvendi të disa vendimeve të saj

17 Qershor, 13:41| Përditesimi: 17 Qershor, 16:03

  • Share

Komisioni Evropian vëren se vijon pasiguria ligjore në lidhje me ripërtëritjen e Gjykatës Kushtetuese. Në draftraportin për shtetin e së drejtës në Shqipëri thuhet se shqetësim mbetet edhe moszbatimi i disa vendimeve të Kushtetueses, sidomos nga Kuvendi. 

Pasiguria ligjore për ripërtëritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe përplasja me Kuvendin për zbatimin e disa vendimeve të saj janë shqetësimet kryesore të Komisionit Evropian për funksionimin e Kushtetueses në Shqipëri. Interpretimet e ndryshme të institucioneve për mbarimin e mandatit të anëtarëve të Gjykatës, thotë KE kanë krijuar një përplasje. 

“Në dhjetor 2024, Gjykata Kushtetuese mori një vendim mbi përfundimin e mandatit të Kryetarit të saj, duke konfirmuar kompetencën ekskluzive për të shqyrtuar raste të tilla. Pasiguria ligjore vazhdon në lidhje me përfundimin e mandatit të dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për shkak të interpretimeve të ndryshme të dispozitave përkatëse nga Kuvendi dhe Gjykata e Lartë. Për njërin nga rastet, Presidenti i Republikës, në rolin e tij si autoritet emërues, i drejtoi një kërkesë zyrtare Gjykatës Kushtetuese për të ofruar qartësi mbi mënyrën e pajtimit të dy parimeve kushtetuese që lidhen me llogaritjen e mandateve”

Sipas Kushtetutës “përbërja e Gjykatës përtërihet çdo tre vjet me një të tretën e saj, sipas procedurës së përcaktuar me ligj”. Vetë ligji, përmes dispozitave kalimtare përcaktoi një skemë të qartë që do të niste zbatimin e plotë në vitin 2025 me ndryshimin e tre anëtarëve, një për secilin organ emërtese e për të vijuar më pas në vitet 2028 dhe 2031.

Çështja e mandatit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese u kthye në një moment debatesh të forta në fundin e vitit të shkuar, kur kryetarja e Gjykatës Holta Zaçaj refuzoi deklarimin e përfundimit të mandatit të saj, në mars të 2025, sipas parashikimit ligjor. Ajo u detyrua të bënte një hap pas, kur Gjykata e Lartë, organi i emërtesës në rastin e saj, nisi procedurat për ta zëvendësuar. Një përplasje nga e cila Gjykata e Lartë doli fituese, ndërsa mbrojti parimin e përtëritjes së Kushtetueses. Një parim, të cilin më pas dhe vetë Gjykata Kushtetuese do e konsiderante si parësor, kur mori vendim për deklarimin e përfundimit të mandatit të zonjës Zaçaj.

Por kryetarja e Gjykatës, nuk e lexoi të tillë vendimin. Ajo nuk ndërmori asnjë veprim për rastin e mandatit të zonjës Sonila Bejtja, duke detyruar, në fund të muajit janar, Presidentin Begaj t’I drejtohej me kërkesë Gjykatës Kushtetuese, e cila sipas tij “duhet të kishte përfunduar procedurën për deklarimin e mandatit të gjyqtares Bejtja dhe të kishte njoftuar Presidentin e Republikës për vakancën përpara datës 25.1.2025. Kjo gjë jo vetëm nuk ka ndodhur, por edhe nuk ka asnjë njoftim publik nga ana e Gjykatës Kushtetuese në këtë drejtim”.

Por sërish Kushtetuesja zgjodhi që rastin ta trajtonte si një konflikt kompetencash, duke e trajtuar si çështje gjyqësore. Një veprim për të cilin Gjykata e Lartë u shpreh “e habitur”, duke nënvizuar se “për herë të parë në historinë 33 vjeçare nga krijimi i Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri, një gjykim i tillë i natyrës deklarative, i nënshtrohet një procesi gjykimi me palë kundërshtare”.

Parlamenti, organi tjetër i emërtesës, ka bërë tanimë një hap pas dhe pranoi se mund të ketë gabuar në rastin e vakancës së shpallur për zëvendësimin e anëtares së dorëhequr të Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska, kur si afat kishte përcaktuar vitin 2028 dhe jo 2025. Report TV, zbuloi në fund të muajit të kaluar se Parlamenti i kërkon interpretim final, Gjykatës Kushtetuese.

Përplasja mes shumicës socialiste dhe Gjykatës Kushtetuese, për mandatin e ish ministres Olta Xhaçka, është një tjetër moment që gjen pasqyrim në draftraportin konfidencial të KE, të cilin Report Tv e disponon.

“Gjatë periudhës së raportimit, Kuvendi zbatoi vendimin e Gjykatës në lidhje me të drejtën e qytetarëve që banojnë jashtë vendit për të marrë pjesë në zgjedhje. Megjithatë, Kuvendi nuk arriti të zbatojë vendimet e tjera të Gjykatës Kushtetuese. Në një opinion mbi këtë çështje, Komisioni i Venecias i bëri thirrje Kuvendit të respektojë dhe zbatojë vendimet e Gjykatës, duke konfirmuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për të gjitha organet shtetërore, përfshirë edhe Kuvendin”.

Për rastin e mandatit të zonjës Xhaçka, dy vendime të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilëve parlamenti duhet t’ia përcillte asaj rastin, hasën në pengesën e votave të shumicës. Për socialistët, deputeti nuk mund të detyrohet të votojë në një mënyrë të caktuar dhe se këtë liri atij ia njeh Kushtetuta.

Por në opinionin e tij, në dhjetor të vitit të kaluar, Komisioni i Venecias, theksoi qartazi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për t'u zbatuar dhe nuk mund të kushtëzohen me votimin në parlament. Ndërsa në përgjigje të pyetjes që i ishte dërguar nga parlamenti, nëse deputetët mund të detyrohen të votojnë pro ose kundër një çështjeje, ndonëse thekson qartë se deputeti nuk mund të detyrohet se si të votojë, për rastin konkret (atë të Xhaçkës) po ashtu nënvizon se, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili është i detyrueshëm për t'u zbatuar, kishte dalë para se deputetët të votonin për të. 

Shumica socialiste në atë kohë e lexoi vendimin e Venecias në favor të qëndrimit të saj. Por Komisioni europian duket mjaft i qartë në këtë pikë, dhe nuk lë vënd për interpretime.

Një tjetër rast që draft raporti evidenton, është edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese që shpalli si antikushtetuese disa ndryshime në Ligjin për Komisionet Hetimore, i cili ende nuk është realizuar. “Kuvendi kishte gjashtë muaj afat për zbatimin e këtij vendimi dhe, megjithëse diskutimet kanë filluar, afati nuk është respektuar”, thuhet në raportin e KE.  

Dokumenti i Brukselit, i bën një analizë të gjithë institucioneve të Drejtësisë. Ai ngre shqetësime mbi funksionimin e KLGJ dhe KLP. Një fakt i rëndë konsiderohet edhe punësimi ne Shkollën e magjistraturës të emrave të lënë jashtë sistemit nga Vettingu. Teksa vlerësohet puna e SPAK për luftën kundër korrupsionit, kërkohet një koordinim më i madh ndërinstitucional.

SI.E./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çmimet më të larta se në BE, a mendoni se duhet të ndërhyjë qeveria?