TIRANË- Shqipëria renditet si vendi i parë në rajon sa i takon borxhit publik. Sipas një raporti të publikuar së fundmi nga Komisioni Evropian thuhet se në fund të muajit shtator të 2020 ai arriti në 79.9%, duke u renditur në krye të listës.
Në vend të dytë është Mali i Zi që ka ngjashmëri me ekonominë tonë, ku është regjistruar borxhi publik në nivelin e 78.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Për të vijuar më pas me Serbinë 57.1% dhe Maqedonia e Veriut 51.5%. Vendi që ka nivelin më të vogël të borxhit është Kosova me vetëm 19.9%.
Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy shtetet sipas raportit që vuajtën më së shumti goditjen nga pandemia COVID-19, për shkak të varësisë që kanë ndaj sektorit të shërbimeve e kryesisht ndaj turizmit.
Nga ana tjetër sa i takon recesionit ekonomik në vend të parë është Mali i Zi me rënie prej -14.3%, ndjekur nga Shqipëria me -6.8% dhe Maqedonia e Veriut prej -4.9%.
Si pasojë e rënies më të lartë, Komision Evropian pret që Mali i Zi të ketë edhe rimëkëmbjen më të shpejtë me 6.8%, ndjekur nga Serbia me 4.8% dhe më pas Shqipëria me 3.7%. Në rikuperimin ekonomik të vendit sipas raportit ndikim do të kenë investimet si dhe avancimi i procesit të rindërtimit.
BORXHI PUBLIK
Shqipëria 79.9%
Mali i Zi 78.1%
M. e Veriut 51.5%
Serbia 57.1%
Turqia 41.3%
Bosnja 37.7%
Kosova 19.9%
RËNIA EKONOMIKE
Shqipëria -6.8%
Mali i zi -14.3%
Maqedonia e veriut -4.9%
Serbia -1.8%
Turqia -2.5%