11 maji prodhoi një proces elektoral konkurrues dhe votime të qeta. Këtë thonë vëzhguesit ndërkombëtarë në draft-raportin për zgjedhjet që do të diskutohet të hënën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Report Tv ka siguruar draft-raportin, i cili pasqyron një tablo të qartë për zgjedhjet parlamentare të majit.
“Zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 në Shqipëri ishin konkurruese dhe u organizuan në mënyrë profesionale, por u zhvilluan në një mjedis shumë të polarizuar politik. Administrata zgjedhore ishte përfshirëse dhe transparente, por partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative, duke krijuar një fushë loje jo të barabartë', thuhet në draft-raport.
Në draft-raport evidentohet se vota e diasporës ishte një hap i rëndësishëm.
'Votimi i emigrantëve u menaxhua mirë, pavarësisht marrëveshjes politike të vonuar dhe miratimit të kësaj mase, si dhe disa problemeve organizative që do të duhen vlerësuar si duhet', thuhet në draft-raport.
Ndonëse në vend, roli i SPAK, veçanërisht nga opozita u pa me skepticizëm, madje me kritika të shumta, draft-raporti evidenton rol të rëndësishëm të tij në zgjedhje.
“Delegacioni ynë vlerësoi punën e SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme dhe KQZ-së në koordinimin efektiv të përpjekjeve të tyre për të ruajtur integritetin e procesit zgjedhor', thotë draft-raporti.
Në fund, kërkon vullnet politik për të adresuar detyra si financimi i partive apo depolitizimi i administratës zgjedhore.
“Asambleja i bën thirrje autoriteteve shqiptare të demonstrojnë vullnet politik të fortë dhe të sinqertë për të adresuar mangësitë e identifikuara gjatë procesit të vëzhgimit të zgjedhjeve. Kjo është thelbësore për të siguruar përputhshmërinë me standardet evropiane në zgjedhje”, thuhet në raport.
Asambleja Parlamentare e KiE shprehet në raport se është e gatshme të mbështesë adresimin e rekomandimeve në bashkëpunim me Komisionin e Venecias.
Klikoni këtu për të lexuar draft-raportin e plotë
Komente
