Raporti i Komisionit Evropian/ Varhelyi: Shqipëria ka bërë progres dhe ka dhënë rezultate! 100% në një linjë me BE për sulmin rus në Ukrainë

12 Tetor 2022, 13:51| Përditesimi: 12 Tetor 2022, 16:23

  • Share

Shqipëria ka bërë progres dhe ka dhënë rezultate konkrete. Ky është qëndrimi i Komisionit Evropian për progresin e Shqipërisë këtë vit. Ka qenë Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili ka nënvizuar avancimin e vendit dhe sfidat në vijim, duke prezantuar progres-raportin e bërë gati për vitin 2022.

“Është vend i dytë me të cilin hapëm negociatat këtë vit. Ka vijuar të bëjë progres dhe ka dhënë rezultate. Reforma në drejtësi dhe vetting që po vijon janë shembuj të një pune të mirë. Shqipëria ka luftuar krimin dhe korrupsionit.  Shqipëria ka mbajtur 100% linjën evropian për pushtimin rus të Ukrainës.

E drejta e pronës, liria e medias, shteti i së drejtës janë çështje shumë të rëndësishme.  Ne kemi thëmnë këtë gjë edhe vititn e kaluar por këto sfida janë të rëndësishme për ne. Angazhimi politik dhe konsensusi i të gjithë aktorëve politik dhe një administratë e pavarur dhe profesionale janë të domosdoshme për të vijuar më tej”, tha ndër të tjera Varhelyi.

Nga ecuria e reformave ,lufta kundër korrupsionit, rëndësia e Ballkanit të Hapur e deri te bashkëpunimi me opozitën, Komisioni Evropian ka përfunduar raportin vjetor për ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit. Sipas draftit të Komisioni Europian vlerëson pozitivisht ecurinë që ka bërë Shqipëria në rrugën e reformave, ndërsa vendos nuk lë jashtë vëmendjes  rëndësinë e bashkëpunimit që qeveria duhet të ketë me opozitën dhe aktorët e shoqërisë civile. Në raport vlerësohet se qeveria  mbajti fokusin te reformat që duhet të realizohen si dhe ka përforcuar strukturën e saj koordinuese për integrimin në BE.

Sipas draft raportit, korrupsioni në Shqipëri vijon të jetë një problem serioz, duke pasuar me nismat për “Pasaporta të Arta” dhe amnistinë fiskale të ndërmarr nga qeveria, të cilët konsiderohen si çështje që bien në kundërshtim me normat e Bashkimit Evropian. Teksa pasqyron të gjitha zhvillimet në vend, dokumenti vendos në dukje konfliktet dhe debatet politike brenda Partisë Demokratike, duke  e cilësuar konfliktin e tyre si një pengesë të aktivitetit parlamentar.  Një tjetër fushë ku shkruhet se nuk është bërë përparim, është ajo e lirisë së shprehjes.

Në vlerësim pozitiv Shqipëria e ka marrë për politikën e saj të jashtme, të konsideruar në një linjë me atë të Bashkimit Europian, dhe për rolin në rajon. Në përputhje me standardet  Bashkimit Europian, përshkruhet në raport  nisma “Ballkani i hapur”, e mbështetur nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, por që ka hasur në kundërshtime të forta nga Kosova. Për Komisionin Europian, “Për sa kohë që nisma e “Ballkanit të hapur” është në përputhje me kuadrin e Tregut të Përbashkët Rajonal, përputhet me standardet e BE-së dhe është plotësisht e hapur dhe gjithëpërfshirëse. Në raport shkruhet se nisma është një hap i dobishëm drejt zhvillimit të një tregu të përbashkët midis gjashtë ekonomive të rajonit”.

Sistemi gjyqësor i Shqipërisë, sipas draft raportit ka arritur një shkallë përgatitjeje të moderuar dhe Reforma në Drejtësi konsiderohet të ketë pasur një ecuri të mirë. Raporti vë në dukje emërimet për plotësimin e vendeve në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë, duke theksuar se  procedurat e gjata, dhe një numër i madh i çështjeve të prapambetura vazhdojnë të ndikojnë negativisht në efikasitetin e sistemit gjyqësor”. Ecuria e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve vlerësohet se ka vazhduar të përparojë në mënyrë të qëndrueshme.

Sipas Komisionit institucionet e vettingut duhet të vazhdojnë t'i referojnë organeve të prokurorisë rastet kur ka të dhëna për vepra penale”. Në përmirësim cilësohet lufta kundër korrupsionit, ndërsa mbetet i nevojshëm vullnet i madh politik për të vijuar përpjekjet e mëtejshme të strukturuara, me burime e aftësi të përshtatshme, pasi pavarësisht  përparimeve, korrupsioni mbetet një fushë me shqetësim serioz. Rritja e numrit të dënimeve përfundimtare të zyrtarëve të nivelit të lartë mbetet një prioritet i rëndësishëm për të trajtuar më tej kulturën e pandëshkueshmërisë”

Në të njëjtin nivel konsiderohet të jetë dhe lufta kundër krimit të organizuar ku bashkëpunimi i fortë dhe i frytshëm me shtetet anëtare të BE-së, Europolin dhe Eurojust-in ka çuar në rezultate të prekshme. Shqipëria vazhdoi të tregojë angazhim për të luftuar prodhimin dhe trafikimin e kanabisit. Progres i mirë është arritur në sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve të lidhura me krimin e organizuar.

Komisioni Europain përsërit të njëjtin qëndrim për sa i përket ides së autoriteteve shqiptare për dhënien e shtetësisë të huajve të pasur që duan të investojnë në vend pasi do të paraqiste rreziqe, sa i përket sigurisë, pastrimit të parave, evazionit fiskal, financimit të terrorizmit, korrupsionit dhe infiltrimit të krimit të organizuar dhe do të ishte i papajtueshëm me normat e BE-së.

Për amnistinë fiskale, komisionin nënvizon faktin se Shqipëria është në listën gri për sa i takon luftës kundër financimit të terrorizmit dhe kundër pastrimit të parave, e për këtë arsye duhet të zbatojë elementët e mbetur të planit të veprimit të Task Forcës së Veprimit Financiar. Miratimi i një amnistie tatimore dhe penale kundër këshillave të BE-së dhe Moneyval-it, mund të rrezikojë përparimin në këtë fushë.

Për Komisionin Evropian mbetet e rëndësishme të sigurohet që media të ketë qasje të drejtpërdrejtë dhe transparente në institucionet qeveritare dhe aktivitetet e tyre. Gjatë prezantimit të raportit, kryekomisioneri  Oliver Varhelyi, vuri theksin te lufta kundër korrupsionit dhe ndërtimi i shtetit të së drejtës.Sa i takon Kosovës, kërkohen përpjekje thelbësore për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve me Serbinë, sipas tyre, e vendi ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave.

Vendet aspirante drejt BE

Në prezantimin që i bëri Pakos së Zgjerimit për vendet kandidate dhe aspiruese për anëtarësim në BE, Varhelyi rikujtoi se pas fillimit të luftës mes Rusisë ndaj Ukrainës, kjo e fundit së bashku me Gjeorgjinë e Moldavinë, kanë aplikuar për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Varhelyi  rikujtoi se Ukrainës dhe Moldavisë u është dhënë ky status, ashtu si edhe Gjeorgjisë që do t’i jepet së shpejti. Ai gjithashtu deklaroi se kanë filluar edhe bisedimet për anëtarësim të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut.

“Ballkani Perëndimor është pjesë e BE-së dhe gjashtë vendet e këtij rajoni, duhet të bëhen pjesë e BE-së, sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Varhelyi.

Varhelyi  deklaroi se Paketa e Zgjerimit të BE-së përfshinë 6 vendet e Ballkanit Perëndimor plus Turqinë e nga viti i ardhëm, do të përfshijë edhe Ukrainën, Gjeorgjinë e Moldavinë”.

“Raportet tona ofrojnë udhërrëfyes të qartë dhe janë realë dhe tregojnë se si të ecet përpara.

Ai tha se kriza energjetike është sfidë për Ballkanin Perëndimor dhe BE-në. Pasi paraqiti në pika të shkurtra investimet e BE-së në forma të ndryshme në rajon, përmes grandeve në infrastrukturë dhe ekonomi, Varhelyi paraqiti situatën për secilin vend.

(Kliko këtu për Raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë)

Ora 15:44
Raporti i KE, komisioneri Varhelyi: Shqipëria ka treguar nivel të lartë angazhimi në luftën kundër korrupsionit! Kosovës t'i liberalizohen vizat

 

Eurokomisioneri për Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi ka prezantuar në Komisionin e Europës raportin e përmbushjes së kritereve në kuadër të integrimit në BE. Varhelyi u shpreh se Shqipëria ka bërë një proces shumë të mirë, sidomos në sistemin gjyqësor ku nënvizoi se vendi ka treguar nivel të lartë angazhimi për të luftuar korrupsionin.

‘Dëshirojmë të ndihmojmë partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor për të kaluar krizën energjetike. Vitin e kaluar 6 projekte të energjisë së rinovueshme u financuan..

Bosnje-Hercegovinës t’i jepet status i vendit kandidat. Liria e shprehjes duhet të garantohet. Këshilli i BE-së ti bëjë thirrje liderëve të Bosnje -Hercegovinës që të bëjnë reformat e duhura. Të gjithë sytë në elitën e Bosnjë-Hercegovinës. Lidershipi të themelojë sa më shpejt institucionet për të zbatuar reformat. Komisioni është i gatshëm që të ofrojë mbështetje.

Maqedonia dhe Shqipëria është bërë një hap i rëndësishëm. Është ndërmarrë mbledhja e parë qeveritare për nisjen e negociatave për të siguruar se nuk ka kohë për të humbur. Procesi i screening do të nisë dhe po ecën me ritme të duhura. Në Maqedoni vendi duhet të mbajë ritmin e duhur.

Shqipëria ka pasur rezultate të mira, në sistemin gjyqësor dhe avancim të procesit të vettingut. Vendi ka treguar nivel të lartë angazhimi për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organziuar. Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave.’- tha Varhelyi.

Ora 13:55
KE rekomandon statusin e vendit kandidat për Bosnjën

Komisioni Evropian rekomandoi të mërkurën që Bosnje dhe Hercegovinës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE. Komisionari për zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, tha se vendimi final për këtë vend pritet të merret në muajin dhjetor.

Varhelyi foli në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ku prezantoi paketën vjetore të zgjerimit të BE-së.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?