Kryeministria ka mirëpritur miratimin nga Parlamenti Evropian të raportit për progresin e Shqipërisë gjatë viteve 2023-2024. Në një reagim zyrtar, Kryeministria e ka cilësuar raportin si një vlerësim të rëndësishëm politik dhe institucional për rrugëtimin europian të vendit.
Kryeministria mbështet gjuhën inkurajuese të raportit dhe pasqyrimin objektiv të reformave, duke falënderuar në mënyrë të veçantë raportuesin Andreas Schieder për angazhimin dhe balancën në vlerësim.
Kryeministria deklaron se raporti njeh progresin e Shqipërisë në përmbushjen e kushteve për përparimin me grupkapitujt.
‘Parlamenti Evropian mirëpret progresin e shpejtë të Shqipërisë në vitet e fundit: “Shqipëria, partner i fortë dhe i besueshëm…’’. Pas miratimit, më datë 4 qershor 2025 nga Komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë (AFET), tashmë dhe Parlamenti Evropian miratoi, në seancën plenare të datës 9 Korrik, në Strasburg, Raportin mbi ecurinë e progresin e Shqipërisë për vitet 2023 dhe 2024. Raporti përbën një vlerësim të rëndësishëm politik dhe institucional të progresit të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe konfirmon mbështetjen e gjerë që procesi i zgjerimit gëzon në Parlamentin Evropian.
Qeveria mirëpret raportin e Parlamentit Evropian, vlerëson rolin e tij konstruktiv dhe mbështetës të rrugës evropiane të Shqipërisë, dhe falënderon eurodeputetët për ndjekjen me vëmendje të zhvillimeve në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit. Në mënyrë të veçantë, ajo shpreh vlerësim për Raportuesin për Shqipërinë, Andreas Scheider, për angazhimin e njëmendtë, qasjen objektive dhe të balancuar ndaj arritjeve dhe sfidave që kemi përpara dhe rekomandimeve për veprim’, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Kryeministria vlerëson gjuhën inkurajuese për reformat dhe arritjet e Shqipërisë. Raportin e konsideron edhe si mbështetje për avancimin e Shqipërisë në procesin e negociatave me BE-në.
‘Qeveria vlerëson gjuhën inkurajuese të Raportit, si dhe pasqyrimin e qartë të progresit me reformat dhe arritjet e Shqipërisë, në dy vitet e fundit. Ky Raport vjen në një moment të rëndësishëm historik, teksa Shqipëria po avancon me vendosmëri në rrugën e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe me reformat për të forcuar më tej demokracinë, shtetin e së drejtës, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, qeverisjen e mirë, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, modernizimin e administratës publike, lirinë e medias dhe rritjen ekonomike të Shqipërisë.
Raporti i Parlamentit Evropian vjen vetëm një ditë pas raportit të publikuar nga Komisioni Evropian mbi Shtetin e së Drejtës, i cili vlerëson progresin e Shqipërisë në forcimin e institucioneve kyçe të sundimit të ligjit dhe në reformat e rëndësishme në drejtësi dhe të luftës kundër korrupsionit e modernizimit të qeverisjes. Raporti njeh progresin që Shqipëria ka bërë në përmbushjen e kushteve për hapjen e negociatave dhe përparimin në grupet e kapitujve të negociatave dhe fton institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare të ruajnë një qasje të bazuar në merita, të drejtë dhe të parashikueshme ndaj Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor’, thotë Kryeministria.
Me 502 vota pro dhe 120 kundër, PE miratoi dje (9 korrik) raport progresin për Shqipërinë, i cili vlerëson ecurinë e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Eurodeputetët përshëndetën synimin për mbylljen e negociatave të Shqipërisë deri në vitin 2027, ndërsa bënë thirrje për përshpejtimin e reformave dhe forcimin e institucioneve demokratike. Parlamenti Evropian i kërkoi Shqipërisë të ruajë reformën në drejtësi dhe të mos cenohet pavarësia e SPAK.
Komente
