Gati 1700 gazetarë janë vrarë në mbarë botën gjatë 20 viteve të fundit, me një mesatare prej më shumë se 80 gazetarë në vit, sipas një analize të publikuar nga “Reporterët pa Kufij”. Dy dekadat mes vitit 2003 dhe 2022 ishin "shumë të rënda për gazetarët që ushtronin të drejtën për të informuar publikun”, shkruante raporti i fundit. Iraku dhe Siria ishin vendet më të rrezikshme për të punuar si gazetar, ku 578 reporterë janë vrarë në në 20 vitet e fundit, ose më shumë se një e treta e totalit në mbarë botën.
Pas Sirisë dhe Irakut vjen Meksika me 125 të vrarë, Filipinet me 107 gazetarë të vrarë, Pakistani 93 gazetarë të vrarë, Afganistani 81 gazetarë që kanë humbur jetën dhe Somalia me 78 gazetarë të vrarë.
Sipas hartuesve të raportit, vitet më të errëta ishin 2012-ta dhe 2013-ta, për shkak të luftës në Siri. Ka pasur 144 vrasje në vitin 2012 dhe 142 një vit më pas, thuhet në raport.
Por vdekjet u rritën përsëri në vitin 2022, pjesërisht për shkak të luftës në Ukrainë. Këtë vit, 58 gazetarë janë vrarë duke bërë punën e tyre, nga 51 në vitin 2021. Tetë gazetarë janë vrarë në Ukrainë që nga pushtimi i Rusisë në shkurt. Ukraina është aktualisht vendi më i rrezikshëm në Evropë për mediat, pas vetë Rusisë, ku 25 gazetarë janë vrarë gjatë 20 viteve të fundit.
Amerika Latine është në ditët e sotme qartësisht kontinenti më i rrezikshëm në botë për mediat, thanë drejtuesit e Reporterëve pa kufij, teksa thanë se Meksika, Brazili, Kolumbia paraqiten si vendi më problematike për shkak të krimit të organizuar dhe tregëtisë së drogës.
Përgatiti për Shqiptarja.com, Sebastian Zonja