Presidenti Ilir Meta

Raporti i 'Reporterëve pa Kufij' për Shqipërinë! Meta: Jam i shqetësuar, qeveria të tërheqë anti-shpifjen

21 Prill 2020, 15:02| Përditesimi: 21 Prill 2020, 15:07

  • Share

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas publikimit të raportit nga organizata “Reporterët pa Kufij” mbi lirinë e medias, ku Shqipëria ka rënë me dy vende krahasuar me vitin e kaluar. Kreu i shtetit, ashtu si organizata e vendos theksin te paketa anti-shpifje, që sipas tij do ta përkeqësojë më keq situatën në të cilën ndodhet sot media dhe gazetarët në Shqipëri duke i kërkuar qeverisë që të tërhiqet. 

"Thellësisht i shqetësuar nga regresi i Shqipërisë vit pas viti në raport me lirinë dhe pavarësinë e medias. Përkeqësimi në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias, sipas konkluzioneve vjetore të organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa Kufij”, është i papranueshëm dhe kërkon një përgjigje dhe reagim të menjëhershëm nga të gjithë. Mbështes plotësisht paralajmërimin e “Reporterëve pa kufij” se e ashtuquajtura paketë “anti-shpifje” do ta përkeqësojë më keq situatën në të cilën ndodhet sot media dhe gazetarët në Shqipëri.

I bëj edhe njëherë thirrje qeverisë të tërhiqet dhe të rishikojë paketën e ligjeve të miratuara, që siç tërheq vëmendjen organizata botërore e gazetarëve, dhe ashtu siç kam paralajmëruar:

- Shkel parimet themelore kushtetuese të një shteti demokratik;

- Shkel të drejtën e lirisë së shprehjes, së shtypit dhe të drejtës së informimit;

- Është në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese;

- Shkel standartet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Liria e të shprehurit është e drejtë themelore e njeriut, shtyllë e pazëvendësueshme për një shoqëri moderne demokratike, dhe tepër jetike për garantimin e llogaridhënies nga të gjitha institucionet publike. Shqetësimi i “Reporterëve pa kufij” se përdorimi i fatkeqësisë së tërmetit, dhe të pasojave të rënda që ka sjellë pandemia COVID-19 nuk mund të justifikojnë cenimin e lirisë së medias, kërkon reflektim serioz dhe të përgjegjshëm.

Me ketë rast, shpreh mirënjohjen e thellë dhe solidaritetin e plotë për punën e shkëlqyer heroike të mediave, gazetarëve dhe stafeve të tyre mbështetëse nga vija e parë e raportimit, në shërbim të informimit publik, transparencës dhe mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari, si dhe përsëris thirrjen për të mos i braktisur në këto momente tepër të vështira!

Duke shprehur solidaritetin e plotë me të gjithë gazetarët, veçanërisht ata të cënuar në misionin e tyre në shërbim të lirisë, të qytetarëve dhe në interes të konsolidimit të të gjithë sistemit tonë demokratik, theksoj se regresi në drejtim të lirisë dhe pavarësisë së medias është i papranueshëm dhe tepër i dëmshëm për vendin tonë, aspirant për anëtar të Bashkimit Europian" shkruan Meta.

Paketa Anti-shpfije u dërgua në "Venecia" nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe OSBE, ndërsa mazhoranca bëri "një hap pas", duke mos e votuar në Kuvend pa marrë parasyh opinion e Komisionit të Venecias.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?