Shqipëria rezulton destinacioni me performancën më të lartë në Europë për sa i përket mbërritjeve të turistëve ndërkombëtarë krahasuar me vitin 2019.
Organizata Botërore e Turizmit e Kombeve të Bashkuara, në një raport të saj, vlerëson se krahasuar me vitin 2019, rritja e turistëve që kanë vizituar Shqipërinë ka qenë +136%, duke e vendosur vendin në krye të listës së 10 vendeve europiane me rritjen më të madhe të turizmit.
Në grafik, shihet se Shqipëria ka lënë pas vende si Serbia, Greqia, Portugalia, Malta, Moldavia etj. Raporti është publikuar në Baku të Azerbajxhanit gjatë mbledhjes së 71-të të Komisionit për Evropën të UN Tourism, ku Shqipëria mori pjesë si anëtare me të drejta të plota.
Të dhënat i publikoi edhe kryeministri Rama në Facebook, teksa e cilëson këtë si një tjetër konfirmim ndërkombëtar për suksesin e modelit shqiptar të turizmit.
“Shqipëria kryeson sërish në rritjen e flukseve turistike në Europë, me +136% krahasuar me periudhën para-pandemike. Raporti u publikua në Baku, Azerbajxhan, gjatë mbledhjes së 71-të të Komisionit për Europën të UN Tourism, ku Shqipëria mori pjesë si anëtare me të drejta të plota.
Një tjetër konfirmim ndërkombëtar për suksesin e modelit shqiptar të turizmit, i mbështetur në vizionin e turizmit të qëndrueshëm, që ishte edhe fokusi i diskutimeve gjatë mbledhjes së #CEU si pjesë e Deklaratës së Bakusë dhe Shqipëria ishte aty, jo vetëm për të dëgjuar, por për të ndarë eksperiencën e saj si një histori suksesi që frymëzon”, shkruan Rama.
Pjesë nga raporti i UN Tourism
Komente
