Oferta në kufij të fondit limit, pak kompani në garë dhe konkurrencë e kufizuar. Kjo është panorama në procedurat prokuruese që kanë shpallur, gjatë vitit të kaluar, Ministria e Shëndetësisë, spitalet, ISHP, apo agjencia e barnave.
Në total vjet në sektorin e shëndetësisë janë njoftuar 1,514 procedura me fond limit 26.5 miliardë lekë (ose 265 milionë euro) pa TVSH. Nga këto gara vetëm dy të tretat kanë rezultuar të suksesshme dhe janë pasuar me lidhjen e kontratave. Vlera e tyre ishte në kuotat e 20.2 miliardë lekëve (202 milionë euro) pa TVSH.
Një raport monitorimi për vitin 2024 i hartuar nga ‘Together for Life’ me mbështetjen e International Budget Partnership dhe financuar nga Bashkimi Evropian, tregon pjesëmarrje tejet të kufizuar të kompanive.
Sipas analizës së bërë mbi këto tenderë, ka rezultuar se për çdo garë ka pasur 1.3 ofertues dhe në pjesën dërrmuese, çmimi i kontratave mbetet shumë pranë ose pothuajse i barabartë me fondin limit.
“Një konkurrencë kaq e ulët ka ndikim negativ në efiçencën e prokurimeve publike, duke reduktuar mundësinë për të siguruar çmime më të favorshme dhe kushte më të mira kontraktuale”, thuhet në raport.
Sipas raportit kjo konkurrencë e ulët ka si shkaqe kryesore kushtet kufizuese në dokumentet e tenderit, kriteret e vështira apo dominimin e kompanive të mëdha në treg që kufizojnë konkurrencën.
Vetëm ministria, shpalli vitin e kaluar, 392 procedura në total, nga të cilat 122 tenderë u anuluan. Në 80 për qind të rasteve, kjo ndodhi “për shkak të gabimeve ose mangësive të rëndësishme në dokumentet e tenderit. Kjo tregon një problem serioz në nivelin e përgatitjes dhe menaxhimit të procedurave nga ana e zyrtarëve përgjegjës”, thuhet në raport.
Pjesë e raportit po ashtu është edhe një analizë mbi buxhetin e shëndetësisë, ku theksohet nevoja për të rritur fondet në dispozicion, pasi në vitin e shkuar shpenzimet për këtë sektor jetik zënë vetëm 2.8% të PBB-së.
Kliko këtu për të lexuar raportin e plotë
Komente
