Kronikë

Raporti/ Në maj 2021 shtohet sipërfaqja e kultivimit të kanabisit, rritet edhe forca goditëse nga policia! Asgjësohen 43 mijë rrënjë në gjithë vendin

13 Korrik 2021, 16:17| Përditesimi: 13 Korrik 2021, 14:36

  • Share

Në Maj të viti 2021 policia ka goditur më shumë sipërfaqe të mbjella me kanabis në të gjithë territorin e vendit, krahasuar me pesë vitet e kaluara të të njëjtës periudhë. Në maj 2021, sipas raportit të Ministrisë së Brendshme, janë asgjësuar 42,983 bimë kanabis sativa. Sërish, më shumë nëse krahasohet me të njëjtën periudhë të viteve të kaluara. Raporti nga viti 2017 deri në 2020-ën për rrënjët e asgjësuara është 6,584, 4,027, 16,302 dhe 17,343.

Rastet e konstatuara janë ato të mbjelljeve në terren, në zona të thella malore, por nuk ka munguar kultivimi edhe në ambiente të izoluara, të cilësuara ndryshe si shtëpi bari, brenda zonave të banuara, edhe pak kilometër larg qendrës së kryeqytetit. Vëzhgimi dhe konstatimi i tyre është bërë nga ajri dhe me informacione nga burime operative.

Në maj 2021, janë hasur 77 raste të kultivimit të kanabisit. Shifra është më e lartë e pesë viteve të fundit, ndërsa janë44 raste në vitin 2017, 25 në vitin 2018, 44 në vitin 2019 dhe me një ulje graduale në vitin 2020, vit në të cilin janë shënuar vetëm 13 raste të konstatimit të kultivimit të kanabisit në muajin maj.

Burimet nga Policia thanë për “Report Tv” se kontrollet më të shumta të asgjësimit të kanabis sativa janë kryer kryesisht në Shkodër, në zonën e Malësisë së Madhe, aty ku janë gjetur dhe asgjësuar mijëra rrënjë. Sipërfaqe të tjera ku janë mbjellur me kanabis janë Fushë Kruja, Berati dhe disa zona të thella malore të qarkut të Tiranës.

Pjesa më e madhe e operacioneve anti-kanabis që janë zhvilluar në territor nga veriu në jug, janë kryer kryesisht me efektivë të dërguar direkt nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Kjo ka ardhur për shkak të mungesës së besimit tek policia lokale nëpër rrethe.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?