Një raport i ri ekspertësh, i publikuar në revistën mjekësore prestigjioze The Lancet, paralajmëron se plastika përbën një “kërcënim serioz, në rritje dhe të nënvlerësuar” për shëndetin e njeriut dhe të planetit.
Sipas analizës, bota ndodhet në një “krizë të plastikës”, e cila po shkakton sëmundje dhe vdekje nga fëmijëria deri në pleqëri, dhe i kushton shoqërisë të paktën 1.5 trilionë dollarë në vit nga përkeqësimet në shëndetin e njeriut.
Që nga viti 1950, prodhimi global i plastikës është rritur mbi 200 herë dhe pritet të trefishohet deri në vitin 2060, duke kapur shifrën e mbi një miliard tonësh në vit.
Ndërsa plastika ka përdorime të rëndësishme, rritja më e shpejtë ka ndodhur te plastikat njëpërdorimëshe si shishet dhe ambalazhet e ushqimit të shpejtë.
Për pasojë, ndotja plastike është përhapur në gjithë globin. Aktualisht, mbi 8 miliardë tonë plastikë ndotin mjedisin, ndërsa më pak se 10% e saj riciklohet.
Raporti thekson se plastika paraqet rrezik për njerëzit dhe natyrën në çdo faze, që nga nxjerrja e lëndëve djegëse fosile prej nga ajo prodhohet, tek procesi i prodhimit, përdorimi dhe deri te asgjësimi. Këto procese çojnë në ndotje të ajrit, ekspozim ndaj kimikateve toksike dhe përthithje të mikroplastikave në trupin e njeriut. Ndotja plastike mund të krijojë edhe kushte të favorshme për përhapjen e mushkonjave bartëse të sëmundjeve, duke u bërë strehë për shumim në mbeturinat plastike me ujë të ndenjur.
Profesor Philip Landrigan, epidemiolog dhe autor kryesor i raportit, u shpreh: “Ndikimet janë më të theksuara tek grupet vulnerabël, veçanërisht foshnjat dhe fëmijët e vegjël. Ekspozimi ndaj plastikës shoqërohet me rrezik të shtuar për abort, lindje të parakohshme ose të vdekura, defekte të lindjes, probleme me zhvillimin e mushkërive, kancer të fëmijërisë dhe vështirësi me fertilitetin në moshë madhore.”
Plastika përmban mbi 16,000 kimikate, shumë prej të cilave janë të lidhura me efekte negative në çdo fazë të jetës së njeriut. Megjithatë, mungon transparenca mbi përbërjen kimike të produkteve plastike, çka e vështirëson mbrojtjen e konsumatorëve.
Industria e plastikës dhe vendet prodhuese të karburanteve fosile argumentojnë se zgjidhja qëndron në riciklim. Por ndryshe nga materialet si letra apo qelqi, plastika është kimikisht komplekse dhe shumë e vështirë për t’u ricikluar në mënyrë të qëndrueshme.
Raporti ka dalë në përfundimin se “bota nuk mund të riciklojë dot krizën e ndotjes nga plastika.”
Mbi 98% e plastikës prodhohet nga nafta, gazi dhe qymyri. Procesi energjetik i prodhimit lëshon rreth 2 miliardë tonë CO2 në vit, më shumë se sa emetimet totale të Rusisë. Më shumë se gjysma e mbetjeve plastike të pamenaxhuara digjen në natyrë, duke rënduar ndotjen e ajrit.
Ky raport u publikua përpara raundit të gjashtë të bisedimeve ndërkombëtare për të arritur një traktat global dhe të detyrueshëm për ndalimin e ndotjes plastike. Më shumë se 100 vende mbështesin kufizimin e prodhimit të plastikës, ndërsa shtetet prodhuese të naftës, si Arabia Saudite, kundërshtojnë fuqishëm.
Raporti është pjesa e parë e një serie analizash që do të ndihmojnë qeveritë të hartojnë politika efektive kundër ndotjes plastike.
Komente
