FRANCË- Një raport tronditës ka dalë në dritë i cili ka zbuluar se rreth 216,000 fëmijë kanë qenë viktima të abuzimit nga anëtarët e klerit katolik në Francë që nga viti 1950.
Publikimi i shifrave që shkaktuan habi, është bërë nga hetuesi Jean-Marc Sauvé, i cili publikoi me detaje raportin e gjatë mbi abuzimin seksual në Kishat Katolike Franceze. Ai tha se numri mund të rritet në 330,000, kur përfshihej abuzimi nga anëtarët laikë të kishës. Hetimi ka zgjatur rreth 2 vite dhe është porositur nga vetë Kisha Franceze, nisur nga të gjitha akuzat që kanë mbërritur në drejtim të tyre ndër vite. Sipas BBC, raporti është bazuar në arkivat e Kishës, gjykatës dhe policisë, si dhe intervistat me viktimat.
Një prej viktimave të këtij abuzimi, pas publikimit të këtij raporti, është shprehur se kjo është një pikë kthese në historinë e Francës duke shtuar se është koha që Kisha Katolike të rivlerësonte rrënjësisht veprimet e saj.
Në 2 vite e gjysmë hetime, komisioni gjeti dëshmi për 2,900 deri në 3,200 klerikë abuzues, nga 115,000 priftërinj dhe klerikë gjithsej. Raporti i tij, i cili është gati 2500 faqe, thotë se shumica dërrmuese e viktimave ishin djem para-adoleshentë, 60% e të cilëve kishin pësuar shqetësime serioze në jetën e mëvonshme, qoftë në aspektin emocional dhe atë seksual.