Ekonomi

Raporti/ Zgjerimi i BE shton ‘ethet’ për një valë tjetër emigrimi! Shqiptarët largohen për ekonomi, pa diasporën varfëria do ishte 8% më e lartë

6 Shkurt, 20:10| Përditesimi: 6 Shkurt, 20:46

  • Share

Bashkë me zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor, sfida të reja po trokasin për ekonominë e Shqipërisë, e cila mund të përballet me një tjetër valë emigrimi. Aktualisht vendi është në negocimin e grup kapitujve për anëtarësim të plotë në BE

Deri në fund të vitit 2023, numërohen 755,913 shqiptarë emigrantë, ku ‘mikpritëset’ më të mëdha janë Italia e Greqia. Shifrat e publikuara nga qeveria në raportin për Profilin e Kombëtar të Migracionit të hartuar nga Ministria e Brendshme, tregojnë se 376 mijë shqiptar jetojnë në shtetin Italian dhe afro 315 mijë në Greqinë fqinje.

Por, raporti evidenton se edhe pse ekonomia e vendit është në rritje e pagat po ashtu, emigrimi pritet të shtohet për shkak të afrimit më shume me BE-në.

“Largimet e popullsisë shqiptare kanë ardhur në rritje gjatë viteve dhe zgjerimi i mundshëm i BE‐së në Ballkanin Perëndimor, mund të nxisë flukse të mëtejshme migratore nga Shqipëria”, thuhet në raport.

Ekonomia, problemet në tregun e punës, varfëria, shëndetësia e deri tek mundësitë profesionale, janë shkaqet kryesore të evidentuara nga qeveria për emigrimin e shqiptarëve.

“Grupet më të mëdha të diasporës përbëhen nga emigrantët ekonomikë, pjesëtarët e familjeve të emigrantëve ekonomikë dhe studentët”, vijon më tej analiza.

Emigrimi ka prodhuar pasoja negative në vend, pasi mungojnë punonjësit, cenohet produktiviteti i ekonomisë e nga ana tjetër skema e pensioneve po ‘vuan’ për kontribuues. E kundërta e medaljes janë remitancat që vetëm shtohen bashkë me rritjen e numrit të emigrantëve.

“Numri i lartë i emigrantëve ka prodhuar gjithashtu flukse të konsiderueshme të remitancave në vite. Këto flukse përbëjnë një burim të jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm financimi për ekonominë vendëse dhe shpesh kanë treguar se janë në gjendje t’u rezistojnë edhe situatave të krizave ekonomike. Pritjet janë për kontribute edhe më të larta në të ardhmen, ndikuar edhe nga parashikimet për përmirësim të aktivitetit ekonomik në vendet pritëse”, thuhet në këtë analizë.

Afro 23% e familjeve në vend i kanë burim kryesor të ardhurash dërgesat e të afërmve të tyre emigrantë. Një analizë e vitit të kaluar e Bankës së Shqipërisë tregonte se pa remitancat niveli i varfërisë në vend do të ishte 8% më i lartë sesa është. Pra nëse sot niveli i varfërisë është 20%, pa dërgesat nga emigrantët do të shkonte 28%. gjatë vitit të kaluar remitancat patën një rritje me 95 milionë euro më shumë se 2023-shi, në një total prej 772 milionë euro.

DËRGESAT E EMIGRANTËVE
Janar-Shtator 2023        677 mln euro
Janar-Shtator 2024        772 mln euro
Diferenca                      +95 mln euro

 

 

Kliko këtu për raportin për Profilin Kombëtar të Migracionit 

SI.E./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Informaliteti e nëndeklarimi pagave po dëmtojnë pensionet, sa po luftohen?