Mbledhja e Këshillit të Integrimit, që pritej të mbahej sot dështoi për shkak mungesës së përfaqësuesve të mazhorancës.
Vetëm një ditë pasi Konferenca e Kryetarëve miratoi draft-rezolutën e PS, për ngritjen e komisionit pozitë- opozitë që do të diskutojë reformat për integrimin Shqipëria 2030, mbledhja e Këshillit të Integrimit Evropian nuk arriti që zhvilloj, ndërsa zgjati vetëm 10 minuta.
Ndërkohë, mos realizimi i kuorumit bëri që ministrja për administratën publike dhe anti-korrupsionin Adea Pirdeni të mos raportonte sot në mbledhje.
Kryetarja e Këshillit të Integrimit Jorida Tabaku, e cilësoi bojkotimin e mbledhjes nga ana e mazhorancës si zhgënjyese.
“E shoh me shqetësim faktin që në tre muajt e fundit ka pasur vështirësi reale për të funksionuar. Thonë duam të luftojnë korrupsionin dhe bojkotojnë mbledhjet”, deklaroi Tabaku.
Sipas Tabakut, ndarjet politike nuk duhet të pengojnë qëllimin e njëjtë që ka parlamenti.
“Mund të debatojmë, por për integrimin duhet të jemi të bashkuar”, tha ajo.
Nga ana tjetër, nënkryetari Toni Gogu, i vetmi socialist prezent, justifikoi mungesën e mazhorancës, me argumentin se kjo është javë e gjelbërt.
“Kjo është javë e gjelbërt dhe është detyrim për ne që të jemi me votuesit”, tha Gogu.
Mbledhja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian ishte parashikuar fillimisht që të zhvillohej të mërkurën më 22 maj, por raportimi i kreut të SPAK, Altin Dumanit, para Komisionit të Ligjeve e zhvendosi për sot, 24 maj.