Kosova & Rajoni

Raportuesja për Kosovën në PE, Von Cramon kritikon Francën për qëndrimin rreth heqjes së vizave për Kosovën

29 Qershor 2021, 16:25| Përditesimi: 29 Qershor 2021, 16:30

  • Share

Qëndrimi i Francës për mosliberalizimin e vizave për Kosovën është më të vërtet diskriminues, ka deklaruar kështu raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Ajo ka deklaruar se shpreson që në një të ardhme të shohë qëndrime më pak të polarizuara brenda Bashkimit Evropian, për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, sidomos në Francë. Pasi sipas saj, Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim vizash dhe Bashkimi Evropian nuk ka kryer detyrat e veta.

“Kjo gjë është me të vërtetë diskriminuese”, ka thënë mes tjerash ajo.

Megjithatë, von Cramon, ka thënë se Kosova duhet të vazhdojë në çështje të korrupsionit dhe reformave, në mënyrë që qevritë kundër liberalizimit të binden.

E pyetur nëse ka mundësi që procesi i liberalizimit të vizave të lidhet me dialogun Kosovë-Serbi, ajo ka thënë se nuk ka dijeni për diçka të tillë, pasi të paktën në të kaluarën, këto çështje nuk kanë qenë të lidhura me njëra-tjetrën.

Franca është një ndër shtetet më skeptike sa i takon heqjes së regjimit të vizave për shtetasit e Kosovës.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen. Vendit i është premtuar liberalizimi i vizave që nga viti 2011.

Tre vjet më parë, Komisioni Evropian ka rekomanduar heqjen e regjimit të vizave për Kosovën. Liberalizimi është votuar edhe në Parlamentin Evropian megjithatë vendimi final ka mbetur te Këshilli i Ministrave të BE-së.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?