Rastet e Hagës për RMV-në – Ekuacion me një të panjohur!

12 Mars, 15:23| Përditesimi: 12 Mars, 15:24

  • Share

Ish kryeministri i RMV-së në azil, me të drejtë thoshte se: “…e vërteta do të dalë në shesh. Ajo është si krimbi, shpon majtas, djathtas, drejt dhe në fund patjetër do të notojë në sipërfaqe”. Dhe kështu ndodhi me letrën e publikuar më 8 shkurt të vitit 2014, nga ana e komisioneres për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës, e cila i rekomandon RMV-së për hapat konkretë që duhen ndërmarrë për të kaluarën e dhunshme për të lëvizur më me vendosmëri drejt kohezionit social, drejtësisë dhe pajtimit. Kjo letër është dërguar që më 15 janar të këtij viti, për arsyet që nuk i dimë, e njëjta deri në publikimin në faqen zyrtare të Këshillit të Evropës, është mbajtur e fshehur dhe e heshtur.

A KANË DETYRUESHMËRI JURIDIKE REKOMANDIMET E BE-SË?

            Rekomandimi dhe mendimi parashihet me nenin 249 të Traktatit të Mastrihtit (1992) dhe si të tilla paraqesin burime interpretuese, udhëzuese dhe shpjeguese, me fjalë të tjera, janë burime jodetyruese, me të cilat institucionet e BE-së shprehin një opinion të tyre apo shteteve anëtare u rekomandojnë ndërmarrjen e hapave të caktuara, siç është rasti me letrën e Dunja Mijatoviçit drejtuar RMV-së. Rekomandimet janë të karakterit politik dhe moral, e më pak të karakterit juridik, por, kanë efekt të drejtpërdrejtë juridik, shkaku se janë dokumente të hapura për gjykatat kombëtare që t’u referohen atyre në raste të paqartësive (Reka dhe Sela, 2011).

 SERIOZITETI I PËRGJEGJËSISË PËR KRIMET E LUFTËS

Zotimi i fuqive të mëdha për krimet e luftës dhe për krimet kundër njerëzimit që konsistoi në krijimin e gjykatës së Nurenbergut, Tokios dhe atë të Hagës, ishte që do të ndjekin dhe do t’i dënojnë oficerët, ushtarët si dhe anëtarët e Partisë Nacional Socialiste që kanë qenë përgjegjës ose kanë marrë pjesë në masakra dhe likuidime. Personat përgjegjës, pas përfundimit të luftës, do të dërgoheshin në ato vende ku i kanë bërë krimet, që të gjykoheshin dhe të dënoheshin. Kjo shërbeu edhe si thirrje për të gjithë ata që nuk kishin bërë krime dhe nuk i kishin përlyer duart me gjak, të përmbaheshin që të mos bëjnë krime, se përndryshe fuqitë aleate pas përfundimit të luftës, kanë për t’i ndjekur deri në “skaj të botës”, në mënyrë që t’i kapin dhe t’i dënojnë (Gruda, 2020).

Kjo vërtetohet me atë që nga viti 2008, kur ish Tribunali i Hagës, për shkaqe të mungesës së provave dhe volumit të madh të punës, vendosi që rastet t’i rikthejë në kompetencë të gjykatave të RMV-së, Këshilli i Evropës, sot e kësaj dite është insistues në rekomandimin e ndërmarrjes së hapave që do të çonin në dhënien e epilogut të këtyre rasteve, siç ka ndodhur me shtetet fqinje të Ballkanit, por, për arsye politike që i di vetëm RMV-ja, deri më sot këto raste ngelën të paprekura.

 LIGJI PËR AMNISTI I VITIT 2002

Më 7 mars të vitit 2002, Kuvendi i RMV-së, miratoi Ligjin për Amnisti, me të cilin u liruan nga ndjekja, u ndërprenë procedurat penale dhe tërësisht u liruan nga vuajtja e dënimit me burgim, të gjithë qytetarët e RMV-së, për të cilët ekzistonte dyshim i bazuar se kanë përgatitur ose kanë kryer vepra penale lidhur me konfliktin e vitit 2001, përfshirë edhe 26 shtatorin e vitit 2001. Amnistia vlen edhe për personat të cilët para 1 janarit të vitit 2001, kanë përgatitur ose kanë kryer vepra penale në lidhje me konfliktin e vitit 2001.

Ligji në fjalë, në mënyrë shprehimore thekson se: “Dispozitat nga paragrafi 1, 2 dhe 3 të këtij neni (Neni 1), nuk i referohen personave të cilët kanë kryer vepra penale lidhur me konfliktin e vitit 2001, të cilët janë në kompetencë të Tribunalit Ndërkombëtar për Ndjekjen e Personave Përgjegjës për Shkelje të Rëndë të së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare në Territorin e Ish Jugosllavisë të vitit 1991, do të iniciojë procedurë.”

Precizimi i këtij neni, në vitin 2011, pasi u rikthyen rastet e Tribunalit të Hagës në RMV u bë me Interpretimin Autentik të Ligjit për Amnisti të vitit 2002

INTERPRETIMI AUTENTIK I LIGJIT PËR AMNISTI I VITIT 2002

Kuvendi i RMV-së, më 19 korrik të vitit 2001, e miratoi Interpretimin Autentik të Nenit 1 të Ligjit për Amnisti, me ç’rast tregoi se: “Neni 1 i Ligjit për Amnisti, duhet të interpretohet ashtu që amnistia zbatohet ndaj të gjithë kryerësve të veprave penale lidhur me konfliktin e vitit 2001, përfshirë 26 shtatorin e vitit 2001, përveç për personat të cilët kanë kryer vepra penale lidhur me konfliktin e vitit 2001, kundër të cilëve Tribunali Ndërkombëtar për Ndjekjen e Personave Përgjegjës për Shkeljen e Rëndë të së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare në Territorin e Ish Jugosllavisë të vitit 1991, ka iniciuar procedurë.”
 Qëllimi i interpretimeve autentike të ligjeve, ka për qëllim sqarimin e normës së paqartë juridike me kusht që mos të krijohet normë e re juridike, përkatësisht nuk guxon të dalë jashtë përmbajtjes së përcaktuar të normave juridike, detyrimisht ligjvënësi nuk duhet të del jashtë frymës së ligjit. Në këtë rast, me Interpretimin Autentik të Ligjit për Amnisti të vitit 2002, nuk është respektuar ky kusht kryesor tek fjalia, përkatësisht në formulimin e fjalëve nga: “do të iniciojë procedurë” në: “ka iniciuar procedurë”, që në aspekt përmbajtësor krijon kolizion mes asaj që është shkruar fillimisht dhe asaj që është interpretuar më pas. Sipas interpretimit, rastet e ish Tribunalit të Hagës, konsiderohen të mbyllura, përkatësisht, të gjithë personat që kanë kryer vepra penale janë amnistuar, përfshirë edhe ato persona të cilët kanë kryer vepra penale lidhur me konfliktin e vitit 2001. Rekomandimi i Dunja Mijatoviçit, konsiston në shfuqizimin e këtij interpretimi, me qëllim që t’i hapet rruga procedimit të këtyre rasteve deri në marrjen e ndonjë epilogu të caktuar gjyqësor.

INTERPRETIMI AUTENTIK I LIGJIT PËR AMNISTI TË VITIT 2002, PËRPARA GJYKATËS KUSHTETUESE TË RMV-SË DHE TRUKU I INTERPRETIMIT

Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj numër U.br.158/2011, duke vepruar mbi bazën e një iniciative të dorëzuar për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Interpretimit të Ligjit, konstaton se ai përfaqëson përmbajtje të shkurtuar të Nenit 1 të Ligjit. Ato dallohen mes vete tek formulimi që e kemi dhënë si më sipër dhe kjo sipas gjykatës nuk përfaqëson përmbajtje të re dhe me këtë vlerëson se nuk është e përshtatshme për vlerësim gjyqësor-kushtetues.

Një iniciativë e tillë sot, sërish gjendet përpara Gjykatës Kushtetuese e dorëzuar nga Pavle Trajanov, me të cilën kontestohet Interpretimi Autentik i Ligjit për Amnisti të vitit 2002. Me këtë rast, ngelet të shihet se çfarë qëndrimi do të mbajë gjykata, a do të thirret në vendimin e vitit 2011 apo do të reterojë nga ai vendim! Sipas mendimit tim, kjo iniciativë duhet t’i shërbejë gjykatës, për ndreqjen e këtij gabimi. Sado që, Tribunali i Hagës, në vitin 2008, i riktheu rastet e përmendura në kompetencë të gjykatave të RMV-së, dhe madje njëra prej tyre u procesua, kjo nuk i jep aspak të drejtë Kuvendit të RMV-së, të ndryshojë formulimin se në rastet e tilla është zhvilluar procedurë dhe se rastet e tilla janë zhveshur nga elementi ndërkombëtar, meqë Haga i riktheu, që këta t’i përfshijnë të katër rastet tek paragrafi 1, 2 dhe 3 të Ligjit për Amnisti e në Interpretimin Autentik paragrafi 4 të jetë i palëndë.

  A MUND TË AMNISTOHEN DHE TË PARASHKRUHEN RASTET E HAGËS?

 Edhe pse për Kryeministrin Teknik, Talat Xhaferi dhe këshilltarin e tij juridik: “Kjo punë është e kryer në kontekst të asaj se çka është ligjvënëse dhe gjendja e shtetit. Tregimi është i përfunduar, ligjet janë miratuar”, e vërteton atë çka kemi thënë si më sipër. Që situata juridike të mos komplikohet edhe më tepër, nuk duhet rënë pre e deklaratave të tilla, përkundrazi, t’i hapet rrugë debatit dhe argumentimit shkencor.

Në shumë raste argumentimi shkencor thekson në përjashtimin e parashkrimit për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit në ligjet nacionale. Një nga masat më të rëndësishme që është ndërmarrë për sigurimin se fajtorët për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nuk do të mund t’i ikin drejtësisë është e lidhur me punën për përgatitjen e Konventës për Mosparashkrimin e Krimeve të Luftës dhe Krimeve Kundër Njerëzimit, e cila në Nenin 2, shprehimisht thekson se: “do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar se parashkrimi nuk do të aplikohet kur është fjala për ndjekjen dhe ndëshkimin e atyre që i kanë kryer këto krime, e aty ku ka ekzistuar ka për t’u hequr”.

Në këtë drejtim është edhe Rezoluta 3074 (XXVIII) e 3 dhjetorit 1973 e Asamblesë së Përgjithshme: “shtetet nuk do të marrin asnjë masë legjislative a tjetër që do të mund të prejudikonte detyrimet ndërkombëtare që janë në lidhje me zbulimin, arrestimin, ekstradimin dhe ndëshkimin e fajtorëve për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.”
  Sipas profesor Grudës, kjo gjykatë ndërkombëtare në statutin e saj ka paraparë që për gjykimin e personave të këtillë janë kompetentë Gjykata Ndërkombëtare dhe gjykatat kombëtare, por, që Gjykata Ndërkombëtare ka përparësi ndaj gjykatave kombëtare (neni 9, paragrafi 1 dhe 2), me çka shprehimisht pranohet primati i së drejtës ndërkombëtare. Nga kjo del se, shtetet nuk mund t’i shmangen përmbushjes së detyrimeve, të imponuara me të drejtën ndërkombëtare dhe me marrëveshjet në fuqi, duke u mbështetur në ligjet e veta dhe kështu t’i ikin përgjegjësisë.

Vendi ynë, e ka për detyrim ndërkombëtar që këto raste t’i procesojë dhe t’iu japë epilog të caktuar gjyqësor. Ndryshe kësaj pune i thonë: qoftë e kaluar! Rasti si ai i Kosovës, duket në horizont!

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?