Përleshje fizike në kuvendin e Kosovës

Rastet e përleshjeve të mëdha në Kuvendin e Kosovës

14 Korrik 2023, 17:36| Përditesimi: 14 Korrik 2023, 17:56

  • Share

Kuvendi i Kosovës u shndërrua të enjten në një vend përleshjesh fizike, mes deputeteve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe anëtarëve të Qeverisë së Kosovës, që drejtohet nga Albin Kurti.

Përleshjes i parapriu një javë akuzash të ashpra rreth një audio-incizimi, në të cilin Mimoza Kusari-Lila, kryetare e grupit parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), u dëgjua të pohonte se kishte komunikuar me nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, vitin e kaluar.

Partitë opozitare reaguan ashpër ndaj qeverisë, pas publikimit të audio-incizimit.

Nga LVV-ja, para dhe pas ardhjes në pushtet, Radoiçiq është cilësuar si kriminel që punon kundër shtetit të Kosovës.

Në përleshje, gjatë seancës parlamentare të 13 korrikut, u përfshinë shumë deputetë dhe ministra.

Momenti i përleshjes fizike në mes të deputetëve të PDK-së dhe ministrave të qeverisë.

Por, ky incident nuk është i pari i tillë në Kuvendin e Kosovës, ku edhe në të kaluarën ka pasur përleshje fizike, sulme në tentativë dhe skena të ndryshme dhune, përfshirë hedhjen e gazit lotsjellës, të sprejit të piperit dhe të vezëve.

I hedhim një vështrim retrospektiv ngjarjeve kryesore, ku dhuna u përdor si mjet për arritjen e qëllimeve politike.

2015

Protesta dhe kacafytje të ndryshme kanë ndodhur në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës prej themelimit të këtij institucioni legjislativ.

Por, tensionet kulmuan tej mase në vitin 2015, kur Lëvizja Vetëvendosje, asokohe në opozitë, kundërshtonte marrëveshjen e Brukselit për normalizimin e raporteve me Serbinë, që përfshinte formimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, si dhe marrëveshjen për demarkimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Një nga fotografitë e para të hedhjes së gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës në vitin 2015.

Në këtë kohë, opozita ishte e bashkuar në veprime, pasi që, përveç deputetëve të LVV-së, edhe deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe të Nismës Socialdemokrate hodhën gaz lotsjellës brenda sallës së Kuvendit të Kosovës.

Glauk Konjufca, tani kryetar i Kuvendit të Kosovës, duke sulmuar me vezë kryemnistrin Isa Mustafa në vitin 2015.

Nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, ishte shpesh personazh i konfrontimit me zyrtarët policorë dhe me kundërshtarët politikë.

Disa deputetë të Vetëvendosjes duke u konfrontuar me pjesëtarë të Policisë së Kosovës pas përdorimit të gazit lotsjellës.

Vëzë, ngjyrë, gaz lotsjellës e sprej piperi u hodhën atëbotë nga deputetët e LVV-së, në drejtim të qeverisë së koalicionit mes PDK-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe kryeministrit Isa Mustafa.

Isa Mustafa derisa largohej nga foltorja pas sulmit me vezë nga deputetët e LVV-së.

Në konfrontime, siç shihet edhe në fotografinë e mëposhtme, përfshihej tani kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ky është vetëm një nga momentet, në të cilat shihet se si ai sulmoi me sprej piperi atëbotë kryeministrin Mustafa.

Kryeministri i tanishëm, Albin Kurti, duke hedhur sprej piperi në drejtim të kryeministrit të atëhershëm, Isa Mustafa.

2016

Punët e Kuvendit e Kosovës u penguan për disa muaj rresht, gjatë vitit 2015. Por, edhe pjesa e parë e vitit 2016 u karakterizua me seanca të ndërprera e me gaz lotsjellës.

Zgjedhja e ish-kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, në pozitën e presidentit të Kosovës, ngjalli protesta të shumta, që shpeshherë çuan në përdorim të gazit lotsjellës, si brenda, ashtu edhe jashtë sallës së Kuvendit të Kosovës.

Udhëheqësi i LVV-së, Albin Kurti, duke hedhur gaz lotsjellës në seancën ku Hashim Thaçi pritej të votohej president i Kosovës.

Seanca e 26 shkurtit të vitit 2016 u shoqërua me tensione dhe me përplasje, mes deputetëve të partive opozitare të asaj kohe - LVV, AAK e Nisma - dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, që kishin përgjegjësinë për siguri në Kuvend.

Për të kundërshtuar votimin e Hashim Thaçit në pozitën e presidentit, gaz lotsjellës kishin hedhur edhe deputetët e AAK-së.

Në fund të seancës, përkundër dhunës dhe ndërhyrjes së policisë, Thaçi u zgjodh presidenti i ri i Kosovës. Mandatin ai nuk e çoi në fund, pasi u arrestua nga Gjykata Speciale për akuza për krime lufte.

Qindra pjesëtarë të sigurimit të Kuvendit të Kosovës kishin rrethuar, përveç objektin e Kuvendit, edhe sallën, korridoret si dhe vetë kandidatin për president, Thaçi.

Hedhja e gazit lotsjellës, si dhe përplasjet fizike mes deputetëve të opozitës dhe atyre të pushtetit, vazhduan gjatë vitit 2016, si kundërshtim ndaj ratifikimit të marrëveshjes për demarkimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Policia ndërhyri disa herë në sallën e Kuvendit, duke arrestuar disa deputetë të LVV-së, e cila ishte në opozitë.

Ish-deputeti Sami Kurteshi derisa shoqërohej nga policia pas hedhjes së gazit lotsjellës.

Në vitin 2016 kishte ndodhur një rrahje në mes të deputetëve të LVV-së dhe atyre të PDK-së.

Të përfshirë qenë deputetët e VV-së, Rexhep Selimi dhe Visar Ymeri, dhe ata të PDK-së, Bekim Haxhiu dhe Latif Gashi.

2018

Demarkacioni u kthye sërish si temë përplasjesh në vitin 2018.

Votimi i marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi ishte i pamundur për disa vjet rresht, për shkak të kundërshtimit që i bënin partitë opozitare - LVV, AAK dhe Nisma.

Por, situata ndërroi, kur udhëheqjen e Qeverisë së Kosovës e mori Ramush Haradinaj i AAK-së, në koalicion me PDK-në.

LVV-ja pengoi kalimin e marrëveshjes për demarkimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Një nga seancat e Kuvendit të Kosovës ku u hodh gaz lotsjellës.

Pas disa seancash përplasje, gaz lotsjellës, sprej piperi e arrestim të deputetëve, në fund marrëveshja u votua.

Deputetët duke u larguar nga gazi lotsjellës.

2020

Një konfrontim fizik kishte ndodhur në seancën e 19 nëntorit të vitit 2020, në Kuvendin e Kosovës. Në konfrontim ishin përfshirë deputetë të LDK-së dhe të LVV-së.

Arben Gashi i LDK-së ishte përplasur me deputetët e VV-së, Hajrullah Çeku dhe Hekuran Murati, të cilët aktualisht mbajnë poste ministrash.

Gashi ka qenë i përfshirë edhe në një konfrontim tjetër fizik, me deputetin e PDK-së, Xhavit Haliti, i cili e kishte goditur me krah Gashin në vitin 2018.

Radio Evropa e Lirë nuk ka fotografi të incidentit, por ai është i publikuar në shumë media lokale.

2021

Një seancë tjetër e tensionuar ishte zhvilluar në majin e vitit 2021.

Në këtë seancë u ngritën tensione, pasi PDK-ja akuzonte ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schëarz, për, siç thanë ata, “akuza të rreme” ndaj ish-udhëheqësve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi e Kadri Veseli.

Në përleshje fizike u përfshinë deputeti i VV-së, Besim Muzaqi, dhe ai i PDK-së, Hajdar Beqa.

Deputeti Beqa u përfshi në përleshje me ministrat nga radhët e LVV-së edhe në incidentin e fundit, më 13 korrik.

Përplasja fizike në mes të deputetëve të PDK-së dhe atyre të LVV-së./REL

M.T/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?