Donald Trump

Bota

Rasti Epstein, Trump padit Wall Street Journal dhe kërkon 10 miliardë dollarë dëmshpërblim

19 Korrik, 09:29| Përditesimi: 19 Korrik, 09:34

  • Share

Njeriu që nuk vdes kurrë, siç e ka quajtur Trump ‘Epstein’, kthehet nga ‘bota tjetër’ në kapitullin e ri të një sage që nga teori konspirative online është shndërruar në një tërmet politik për Shtëpinë e Bardhë. Por paradoksalisht, zbulimet e reja që pritej të dëmtonin presidentin, duket se kanë bashkuar sërish bazën e lëkundur të lëvizjes së tij pas rastit Epstein.

Presidenti ka paditur gazetën Wall Street Journal dhe pronarin e saj Rupert Murdoch për një artikull mbi marrëdhëniet e tij me Jeffrey Epsteinin, artikull të cilin kishte tentuar ta ndalonte nga publikimi. Në të njëjtën kohë, ai ka urdhëruar ministren e Drejtësisë, Pam Bondi, të deklasifikojë të gjitha dëshmitë gjyqësore "të rëndësishme" në çështjen e trafikut seksual, për të cilën financieri pedofil përfundoi në burg.

Sipas agjencive të lajmeve, presidenti po përgatitet të kërkojë edhe një dëmshpërblim gjigant nga gazeta e Murdoch: 10 miliardë dollarë. “Wall Street Journal dhe vetë Rupert Murdoch ishin paralajmëruar drejtpërdrejt nga presidenti Donald J. Trump se letra e supozuar që ata publikuan, kinse nga Trump për Epsteinin, është E RREMË, dhe se nëse do ta publikonin, ai do t’i padiste,” shkruan Trump në një postim të gjatë në rrjetin e tij social “Truth”.

“Z. Murdoch kishte deklaruar se do të merrej me çështjen, por në dukje nuk kishte fuqinë për ta ndalur. Drejtoreshës së Wall Street Journal, Emma Tucker, iu tha personalisht nga Karoline Leavitt dhe nga presidenti Trump se letra është E RREMË, por ajo nuk deshi të dëgjonte. Ata vazhdojnë me një histori të rreme, dashakeqe dhe shpifëse.”

Ky mesazh, i ndjekur nga të tjerë, më të ashpër, u publikua në “Truth” pak pasi gazeta konservatore botoi një artikull për një letër të Trump, pjesë e një albumi me letra nga miq për Epsteinin, të mbledhura dhe lidhura në formë libri nga partnerja e tij Ghislaine Maxwell për 50-vjetorin e tij në vitin 2003.

Letra, e përshkruar si “vulgare” nga gazeta, nuk ishte shkruar me dorë, por në kompjuter, dhe paraqitet si një bisedë imagjinare mes Trump dhe Epsteinit, e përshtatur nga skica e një gruaje të zhveshur të vizatuar me laps. Dy harqe të vegjël tregojnë gjoksin e gruas, dhe firma e presidentit të ardhshëm 'Donald' shfaqet poshtë belit të saj, sikur të ishin qime pubike." Kjo letër ishte pjesë e dokumenteve të shqyrtuara nga zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë që hetuan mbi Epsteinin. Letra fillon kështu:

Zë jashtë skene: “Duhet të ketë më shumë në jetë sesa të kesh gjithçka.”

Donald Trump: “Po, ka më shumë, por nuk do të them çfarë.”

Jeffrey: “As unë, duke qenë se e di për çfarë bëhet fjalë.”

Donald: “Kemi disa gjëra të përbashkëta, Jeffrey.”

Jeffrey: “Po, tani që po mendoj.”

Donald: “Misteret nuk plaken kurrë, e ke vënë re?”

Jeffrey: “Ma bëri të qartë hera e fundit që të pashë.”

Donald: “Një mik është një gjë e mrekullueshme. Gëzuar ditëlindjen. Dhe u bëftë çdo ditë një tjetër sekret i mrekullueshëm.”

Është bërë e ditur se të martën në mbrëmje, Trump ka folur në telefon me Wall Street Journal duke mohuar kategorikisht se ka shkruar ndonjëherë një letër të tillë. Dhe tashmë kuptohet pse të mërkurën në mëngjes publikoi një postim të zemëruar kundër republikanëve dhe aktivistëve të lëvizjes MAGA që vazhdonin të kërkonin transparencë mbi rastin Epstein: ai e quajti këtë “një mashtrim” të “së majtës radikale”, të Obamës dhe të ish-kreut të FBI-së James Comey (vajza e të cilit, prokurore që ka ndjekur çështjen Epstein, është shkarkuar).

Zëdhënësja Leavitt dhe zëvendëspresidenti JD Vance reaguan në rrjete sociale. Leavitt thotë se ka kërkuar një kopje të origjinalit për ta verifikuar, por gazeta “e pranoi se nuk e kishte në zotërim”. Vance shton: “Kjo histori është një budallallëk i plotë.”

Republikanët në Kongres ndihen në siklet prej një jave, të shtyrë nga zgjedhësit që kërkojnë më shumë transparencë për çështjen Epstein, por dje kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, theksoi se janë “në të njëjtën vijë” me Shtëpinë e Bardhë.

Edhe aktivistët më të ashpër pro-Trump, të cilët kishin kritikuar Bondi për mënyrën si e kishte menaxhuar rastin, janë rikthyer në rresht: Charlie Kirk e bëri këtë ditët e fundit. Laura Loomer thotë se Trump shkruan vetëm me dorë dhe se nëse do të kishte diçka kundër tij në dokumentet e Epstein, demokratët do ta kishin zbuluar që gjatë kohës së Obamës apo Bidenit. Steve Bannon, i cili e konsideron Murdochin si një nga armiqtë më të mëdhenj të lëvizjes MAGA, pohon se artikulli i Wall Street Journal do të sjellë sërish unitet mes mbështetësve të Trump.

Pam Bondi premton të bëjë publike të gjitha aktet që ende nuk janë deklasifikuar, por gjyqtarët mund të tregohen të rezervuar për të mbrojtur viktimat (dhe rasti Maxwell është ende i hapur). Gjithsesi, mund të mos përmbajnë zbulime të mëdha, janë vetëm një pjesë e “dosjeve për Epsteinin”.

Për të hedhur poshtë vërtetësinë e letrës, Trump ka thënë gjithashtu se ai “nuk vizaton”. Por në internet janë shfaqur sërish skica të pallateve të Nju Jorkut të vizatuara nga vetë Trump në vitet e mëparshme dhe që janë shitur në ankand. Megjithatë, aleatët e tij tashmë janë ribashkuar kundër një tjetër armiku: mediave. Madje edhe Elon Musk ka shkruar se letra “duket si një falsifikim”./Corriere Della Sera

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Akademi për trajnimin e administratës lokale, si e vlerësoni?