Festivali i Këngës shënoi këtë të martë mbrëmjen e dytë, për t’i lënë radhën, nostalgjisë së sotme. Një ngjarje muzikore, që provokon reagime tek publiku, e veçmas tek artistët.
“Buka e Festivalit është krijimtaria. Festivali vuan për mendimin tim faktin që kompozitorët kryesorë të këngës shqiptare, nuk i shohim të përfshirë në të. Dhe këtu kam parasysh autorë të tillë të rëndësishëm si Limoz Dizdari, Aleksandër Peçi, Ardit Gjebrea etj. Është një listë shumë e gjatë, të cilët duhet të ftohen”, thotë etnomuzikologu e kompozitori Vasil Tole.
Nga 26 pjesëmarrësit në garë, mes10 artistëve e grupeve të reja, u përzgjodhën pesë finalistët.
“Në përgjithësi nuk është se këngët kanë shkëlqyer, madje mund të them se ka pasur edhe këngë të dobëta, këngëtarë me vokale fare të zakonshme, por ka dhe këngëtarë shumë të mirë, siç ishte interpretimi i Elsa Lilas”, thotë regjisori e autori Nikolin Gurakqi.
Juria e përbërë nga artistët Alma Bektashi, Rita Petro, Zhani Ciko, Elton Deda dhe Genc Salihu, do të vendosë po ashtu për tri çmimet e para të Festivalit. Por, a është ajo e plotë në të gjitha komponentët e saj?
“Janë emra të rëndësishëm, të gjithë të lidhur me këngën, por po më vjen keq, që nuk ka si pjesë të jurisë, asnjë kompozitorë”, shprehet akademiku Tole.
Mbrëmjen e së martës, vëmendjen në Festivalin e Këngës e rrëmbyen mesazhet sensiblizuese, duke i dhënë hapësirë edhe personazheve të thjeshtë. Nga vrojtuesi i plazhit Robert Neçaj dhe e zjarrfikësi Shkëlzen Lamuça, që shpëtuan jetë gjatë detyrës duke rrezikuar veten, tek nderimi për mjekun mjekut Ilir Ohri a mesazhet për autizmin të të riut Jamarbër Hoxha.
“E gjej pozitive këtë, sepse skena e Festivalit po përpiqet të japë një model të njerëzve punonjës, të njerëzve punëtorë, që bëjnë gjëra të mira për shoqërinë. Pra një model pozitivist. Jo marrëzirat e shthurjes psikologjike të shtresave të caktuara”, thotë Gurakuqi.
Krahas performancës së emrave si Manjola Nallbani a Petrit Çarkaxhiu, momenti më i shumëpritur gjatë natës së dytë ishte padyshim rikthimi pas 25 vitesh i Elsa Lilas. Artistja, qëndroi e heshtur, duke i lënë vend në skenë vetëm performancës së këngës, dedikimit të ndjerë për të bijën, “Evita” .
“Elsa bëri një performancë shumë të mirë, me kualitet dhe tregoi të gjithë botën e saj psikofizikovokale, ishte për mendimin tim performanca më e mirë”, thotë Gurakuqi.