Sarajet e Toptanëve, sot pas zjarrit të vënë në mesnatë

Kronikë

Reagimet/ Zjarri i qëllimshëm te Sarajet e Toptanëve, Meta 'bëhet i gjallë': Ta hetojë SPAK! Margariti: Kemi bërë kallëzim! Mbështesim Bashkinë për ta bërë muze

17 Gusht 2021, 12:38| Përditesimi: 17 Gusht 2021, 14:01

  • Share

TIRANË- Zjarri i qëllimshëm te Sarajet e Toptanëve ka sjellë jo pak reagime në opinionin publik. Presidenti Ilir Meta ka kërkuar që hetimet të bëhen nga SPAK. Kreu i Shtetit e cilëson këtë akt si kriminal dhe të dënueshëm, pasi sipas tij është një akt i rëndomë për t'u hapur rrugë ndërtimit të kullave. 

Ministrja e Kulturës Elva Margariti thotë se drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore ka bërë kallëzim dhe i kërkon autoriteteve që të zbardhin ngjarjen. Ajo sqaroi se mbështet shpronësimin me procedurë të përshpejtuar dhe kthimin e godinës historike në muze të hapur për qytetarët.

Nga ana tjetër, Kreu i Agjencisë Shtetërore, Artan Lame ka shkruar se kjo është një taktikë për të ndalur procesin e shpronësimit nga ndonjë nga bashkëpronarët që ka dashur që kjo të hapësirë të jepet për ndërtim, pasi fitimet do të ishin më të mëdha. Ndërkohë, ai dha dhe lajmin e mirë se dhe 2 godina të tjera në Tiranë pritet që shumë shpejt të kthehen në destinacione kulturore, por pa i specifikuar se cilat janë ato.

Një reagim ka pasur edhe moderatori Blendi Fevziu, trashëgimtar i Toptanëve thotë se duhet ndalur ndërtimi aty ku zjarri apo dora e njeriut shkatërron një monument kulture.

Ora 12:41
Zjarri te ‘Sarajet’, ministrja e Kulturës Margariti mbështet vendimin e bashkisë së Tiranës: Godina të shndërrohet në objekt kulturor publik

Ministrja e Kulturës Elva Margariti ka mbështetur qëndrimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj në lidhje me shpronësimin e ‘Sarajeve’ të Toptanëve dhe shndrrimin e godinës në një objekt kulturore publik, duke ruajtur vlerat e saj unikale. Margariti inkurajoi organet e kompetente të zbardhin ngjarjen dhe të vënë përgjegjësit para ligjit

‘Dje në mbrëmje u gjend mes flakësh godina e shek. XIX, e njohur si "Sarajet", në rrugën "Alqi Kondi". Për vlerat e saj arkitektonike dhe historike, kjo ndërtesë u shpall në vitin 1973, monument kulture e kat. I

Që në orët e para të ditës së sotme nga ana e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Tiranë është bërë kallëzimi pranë Komisariatit të Policisë nr. 1, Tiranë, me dyshimin se bëhet fjalë për një zjarrëvënie të qëllimshme, për të zhvlerësuar godinën dhe tjetërsimin e funksionit të saj.

Kjo godinë, e cila ka kryer funksionin e Bibliotekës së parë Kombëtare ka qenë pronë e shtetit deri në vitin 2000, kur iu kthye ish-pronarëve të saj.

Së fundmi Bashkia Tiranë kishte nisur procedurat e shpronësimit, për ta shndërruar në një institucion kulturor publik.

Parë situatën e krijuar, godina do të shpronësohet me procedurë të përshpejtuar. Ministria e Kulturës jo vetëm dënon këtë akt kriminal ndaj trashëgimisë kulturore, por inkurajon organet e kompetente të zbardhin ngjarjen dhe të vërë përgjegjësit para përgjegjësisë.

Po ashtu, mbështet Bashkinë e Tiranës në nismën për ta shndërruar këtë godinë në një objekt kulturor, publik, duke ruajtur vlerat e saj unikale.

Falenderojmë për ndërhyrjen e menjëhershme punonjësit e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe për Shpëtim, që luftuan me flakët e zjarrit, punonjësit e Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake, Bashkisë së Tiranës, punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, por edhe çdo qytetar të thjeshtë që ka kontriubuar në shuarjen e zjarrit e do të ndihmojnë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje të paprecedentë.’- shkruan ministrja e Kulturës.

Ora 12:30
Zjarri i qëllimshëm te Sarajet e Toptanëve, Lame: Ka bashkëpronarë që donin ta jepnin për ndërtim se kështu do fitonin më shumë

1628446922_lame540x360.jpg

Kreu i Agjensisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame teka ka dhënë pak histori mbi Sarajet e Toptanëve që në mesnatë iu vu zjarri qëllimisht, tha se kjo është një formë për të ndaluar shpronësimin.

Ai shtoi se kjo mund të jetë një taktikë e një prej bashkëpronarëve që ka dashur që këtë hapësirë ta lërë për ndërtim, ku do të fitonte shumë më shumë, sesa nga shpronësimi.

Nga ana tjetër, ai ka dhënë edhe lajmin e mirë se dhe 2 godina të tjera në Tiranë pritet që shumë shpejt të kthehen në destinacione kulturore.

"Që dje në mesnatë kam ndjekur me shumë shqetësim ngjarjen e rënies së zjarrit tek godina historike e Sarajeve në qendër të Tiranës. Më komunikuan veprimtarë të shoqërisë civile, më kontaktuan gazatarë të cilët dëshironin të dinin më shumë rreth situatës në atë objekt. Kjo gjë që dje natën, por edhe sot gjatë paradites. Sot paradite po ndjek mediat dhe shoh të bëhen lloj-lloj interpretimesh, të cilat jam i prirur të besoj se bëhen me shqetësimin e përbashkët për mbijetesën e atij monumenti të çmuar.

Që përpara rreth dy vjetësh, kur planifikoheshin projektet në kuadër të 100-vjetorit të Tiranës kryeqytet, m’u kërkua mendim nga Bashkia Tiranë për disa objekte që mund të shpronësoheshin për t’u vënë në dispozicion të qytetit si destinacione kulturore. Pa dashur të nxjerr sekrete të tjera, midis tyre ishte edhe objekti i njohur si Sarajet. I thashë Erionit që isha shumë entuziast për atë gjë dhe se isha gati për çdo kontribut që do kishin nevojë për t’i dhënë udhë këtij projekti.

Më pas, Bashkia së bashku me Qeverinë, filluan procedurat aspak të lehta për shpronësimin e kësaj godine. Them “aspak të lehta” se pronarët e godinës nuk besoj se do të ishin të kënaqur nga kjo zgjidhje. Ata do të kishin dashur që aty të ndërtohej dhe, fitimi që do të nxirrnin nga ndërtimi, ishte shumë më i madh sesa paratë që do të merrnin nga shpronësimi. E drejtë e tyre kjo, por nga ana tjetër edhe shoqëria ka të drejtën e ruajtjes së kujtesës historike. Procedurat e shpronësimit, me sa jam në dijeni, janë në fazën e përmbylljes së tyre dhe ndoshta nga dikush mundësia e djegjes është parë si mundësi të fundit për t’a ndërprerë këtë proces. Them “nga ndokush” pasi ajo godinë (si shumica e pronave të vjetra shqiptare) ka një mori bashkëpronarësh, ndër të cilët ka edhe nga ata që do të donin që trashëgimia e të parëve të tyre të përjetësohej në shërbim të qytetit, por ka edhe të tjerë që nuk bëhen merak për këtë, por do donin që të merrnin pjesën e tyre në një ndërtim hipotetik.

Nuk më takon mua t’i vë gishtin kujt për këtë, por me bindje them se në këtë rast (dhe të paktën për dy godina të tjera, që po ja lë kryeministrit dhe kryetarit të Bashkisë kënaqësinë t’i bëjnë publike) Bashkia dhe Qeveria kanë bashkëpunuar për t’ia siguruar qytetit si objekte kulturore.

Meqenëse Zoti në qiell dhe zjarrfikset në tokë, ja dolën t’a shpëtojnë godinën e Sarajeve, tani s’na mbetet veç të mendojmë se çfarë duhet ndrequr në dispozitat e ligjit të Trashëgimisë Kulturore, që të shkurajohen në të ardhmen ata që përpiqen t’i zgjidhin me pishtar në dorë problemet midis të drejtave të pronësisë dhe të drejtave të shqiptarëve për të patrur kujtesë historike.

Pak histori
Godina ka qenë ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XIX nga familjet feudale të Tiranës, në kuadër të gjithë kompleksit të banimit sinjoril në zonën e Kalasë së Tiranës. Në vitet e Luftës I Botërore, godina u rekuizua nga ushtria austro-hungareze, që vendosi aty një pjesë të trupave të saj. Më pas, në vitet ’20, me vendosjen e mardhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara, godina u kthye në seli e Legatës Amerikane, në pritje të ndërtimit të selisë së re që kanë edhe sot. Pas largimit të amerikanëve, godina shërbeu në funksion të Bibliotekës Kombëtare, nga vitet ‘30 deri rreth vitit 1955. Më pas, në fillim të viteve ‘70 në atë godinë u vendos Instituti i Monumenteve të Kulturës, i cili qëndroi aty deri në vitin 2001, kohë në të cilën me vendim gjykate dhe vendim të kthimit të pronave, Instituti u nxorr për zhelesh jashtë, për t’ia kthyer godinën ish pronarëve. Do kishte qenë e udhës që shteti t’i kishte shpronësuar që në atë kohë pronarët, por kjo nuk u bë.

Më pas, për disa vjet godina hyri në udhën e degradimit, proces i cili u ndërpre për disa vjet nga një sipërmarës shqiptar, i cili e mori me qera nga pronarët dhe e ktheu në restorant. Mbaj mend që në atë kohë më ka thirur ky biznesmen mua dhe Tan Shkrelin dhe i dhamë disa ide për mënyrën e restaurimit. Madje edhe emrin që e njohin sot të gjithë, Sarajet, ja propozuam ne. Më pas, ndoshta nga mosmarrveshjet midis pronarëve, ky biznesmen u largua dhe objekti hyri sërisht në rrugën e degradimit dhe ëndrave me pishtar, nga e cila besoj se do të dalë përfundimisht këto ditë me përfundimin e procedurave të shpronësimit", shkruan Lame. 

 

Ora 12:21
Zjarri i qëllimshëm te Sarajet e Toptanëve, Meta 'bëhet i gjallë': Ta hetojë SPAK

1614178277_Screenshot4.jpg

Presidenti Ilir Meta i kërkon SPAK-ut të hetojë për zjarrëvënien e qëllimshme te Sarajet e Toptanëve. Në një reagim në rrjetet sociale, Meta thotë se ky është një akt i përsëritur shpesh për t’i hapur rrugë ndërtimit të kullave. “Gjenocidi kulturor, barbaria ndaj identitetit tonë kombëtar dhe kushdo që luan me zjarrin për përfitim personal në dëm të interesit publik, meriton të ndëshkohet me të gjithë ashpërsinë e ligjit”, thotë kreu i shtetit.

"Tirana u gdhi sot me një tjetër monument kulture, “Sarajet”, gati të shkrumbuar nga zjarrvënia e qëllimshme. Ky akt kriminal dhe i dënueshëm është përdorur rëndom vitet e fundit, për t’i hapur udhën ndërtimit të kullave, “lavatriçeve të pastrimit të parave” në kryeqytet, siç denoncojnë edhe organizatat prestigjioze ndërkombëtare. Viktimë e “piromanëve” ra pak ditë më parë edhe kurora e gjelbër në “Pallatin e Brigadave”, ku gjithashtu është planifikuar të ndërtohet një kompleks kullash. Babëzia e shfrenuar e betonit në Tiranë ka shkatërruar shumë monumente historike, tradicionale, kulturore dhe objekte të rëndësisë së veçantë, ndërkohë edhe ato pak të mbetura rrezikohen të zhduken përgjithmonë. Gjenocidi kulturor, barbaria ndaj identitetit tonë kombëtar dhe kushdo që luan me zjarrin për përfitim personal në dëm të interesit publik, meriton të ndëshkohet me të gjithë ashpërsinë e ligjit. Nxis organin e Prokurorisë, SPAK si dhe të gjitha institucionet ligjzbatuese përgjegjëse të marrin çdo masë efektive për hetimin me transparencë dhe nxjerrjen para drejtësisë penale të autorëve, frymëzuesve dhe përfituesve të kësaj veprimtarie kriminale", shkruan presidenti. 

Ndërkohë, kreu i shtetit Ilir Meta ka zgjedhur që të "hesht" për vendimin e qeverisë shqiptare për pritjen përkohësisht të afganëve.

B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • ZENUN TYT REXHEP LEKA [ KEPI ]: 17/08/2021 15:47

    O Ilir Meta e vërteta lene SPAKUN po shiko se SPAKU shum shpejt do të mari ty të pandehur o Iliri dehur.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?