Kronikë

SPAK sekuestroi një apartament te Kodra e Diellit, avokatët: Veliaj dhe Xoxa s'janë pronarë, i kanë deklaruar pasuritë e tyre

22 Maj, 18:41| Përditesimi: 22 Maj, 20:42

  • Share

1747932323_90001740741303x900017403152.jpg

Erion Veliaj

Avokatët e kryebashkiakut të Tiranës në një reagim pas procedimit të ri nga SPAK, thanë se çifti i bashkëshortëve Veliaj-Xoxa nuk janë pronarë të apartamentit të sekuestruar te Kodra e Diellit. Avokatët theksojnë se organi i akuzës është në të drejtë ligjore të hetojë por dyshimet duhet t’i bazojë në prova konkrete.

Çdo përpjekje për të deformuar realitetin sipas tyre është sulm ndaj figurës publike të kryebashkiakut, thonë ata dhe paralajmërojnë se do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e reputacionit dhe zbardhjen deri në fund të së vërtetës”. Në deklaratë, avokatët theksojnë se Veliaj dhe Xoxa kanë deklaruar pasuritë e tyre, si para, edhe pas martesës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Deklarata e plotë e avokatëve të Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës

Në vijim të raportimeve mediatike dhe interesit të shtuar publik lidhur me vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të procedimit penal nr. 27 të vitit 2024, sqarojmë si më poshtë:

As z. Erion Veliaj dhe as znj. Ajola Xoxa nuk janë pronarë të kësaj pasurie të sekuestruar dhe nuk kanë asnjë lidhje pasurore apo ligjore me subjektin tregtar “A.K.” shpk, e as me pasurinë që është objekt i masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”. 

Pasuria e paluajtshme në pronësi të znj. Xoxa është apartamenti ku ata banojnë, në zonën e Selitës, krijuar para marteses dhe ky apartament nuk është dhe nuk ka qenë në asnjë moment objekt hetimi apo sekuestrimi nga ndonjë autoritet ligjzbatues.

Theksojmë se është në të drejtën ligjore të organit të akuzës të kryejë hetime, por dyshimet e ngritura duhet të bazohen në fakte konkrete dhe prova të verifikueshme, në respekt të parimit të prezumimit të pafajësisë dhe të drejtave themelore të individit.

Z. Veliaj dhe znj. Xoxa kanë deklaruar pasuritë e tyre, si para, edhe pas martesës, në përputhje me legjislacionin në fuqi, dhe kanë qenë gjithmonë bashkëpunues me institucionet përgjegjëse.

Çdo përpjekje për të deformuar realitetin dhe për të lidhur emrin e tyre me çështje që nuk kanë asnjë bazë ligjore përbën keqinformim të opinionit publik dhe sulm ndaj figurës publike të z. Veliaj, për çka do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e reputacionit dhe zbardhjen deri në fund të së vërtetës.

Ju kërkojmë ndjesë për çdo shqetësim të krijuar komshinjve të çiftit Veliaj-Xoxa dhe i vetmi “faj” i tyre është se banojnë në të njëjtin pallat me këto të fundit.


Lajmi kryesor:

Regjistrohet procedim i ri për kryebashkiakun e Tiranës, SPAK: Veliaj dhe Xoxa fshehën një apartament te 'Kodra e Diellit', vihet në sekuestro


K.M/SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Operacioni Ura, si e vlerësoni punën e SPAK ndaj grupeve kriminale?