REAGIMET/ Arrestimi i Metës, Blushi: Rrëmbim politik! Berisha: Përpjekje e PS për të eliminuar kundërshtarët! Ish-ambasadorja e BE: Nuk ka më të paprekshëm

21 Tetor, 13:21| Përditesimi: 21 Tetor, 21:12

  • Share

TIRANË- 21 tetori për dy forcat më të mëdha të opozitës në vend shënon datën kur dy liderët e saj u vendosën zyrtarisht nën masë sigurie nga drejtësia. Kreu i PL Ilir Meta u prangos të hënën e 21 tetorit, ndërsa fiks një vit më parë Sali Berishës i komunikohet masa ‘detyrim paraqitje’ në Selinë e PD.

Sapo lajmi për arrestimin e Metës pushtoi të gjitha ekranet dhe vëmendjen e shqiptarëve, në Selinë e Partisë së Lirisë, filluan të grumbullohen figurat drejtuese. Që në fillim arrestimin e kryetarit të tyre e quajtën një akt politik.

“Poshtë diktatura, mënyra si kanë vepruar për një kryetar partie, për një njeri që drejtonte opozitën kjo është e papranueshme” ka thënë Nesho.

"Nuk kam asnjë koment, sa dini ju dimë dhe ne. Te nxjerrësh njerëz me maska, nuk e di", ka thënë Silva Caka.

Qëndrimin se prangosja e Metës lidhet vetëm për qëllime politike e mbajti zyrtarisht Sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi, dhe avokati Gjokutaj.

"Akuzat e vetme për të cilat Meta është ndaluar sot janë këto që po u rendis, mbrojtja e interesit kombëtar, mbrojtja e çështjes së Kosovës, beteja e tij për mbrojtjen e çështjes së detit. Kemi dëshmitar okular se çfarë tradhtie ka bërë Rama me Bashën për çështjen e detit, dhe lufta kundër Soros", tha Tedi Blushi. 

"Cili është qëllimi? Është politik, aspak ligjor. Pse u thirr 3,4 herë në SPAK? Për të dhënë shpjegime, se e paskan të provuar. Kemi të bëjmë me një strukturë që duhet të ishte ligjore, e cila veprën e korrupsionit nga vetë eksponentët e tyre nuk ngruojnë duke thënë që korrupsioni bëhet edhe duke zbatuar ligjin. Ka rënë sistemi i drejtësisë dhe provohet sot me arrestimin e Metës. Do vazhdojmë betejën ligjore", tha Gjokutaj. 

Sali Berishën ky lajm e gjeti në një komunikim të drejtpërdrejt me gazetarët, të cilëve ju fliste nga shtëpia e tij nën arrest, ndërsa pas mbledhjes së Kryesisë në mbrëmje paralajmëroi protestë në mbështetje të aleatit të tij në burg.

“Çdo gjë ndaj tij është politike. Persekutimi politik i Ilir Metës është politik, politik dhe vetëm politik. Nuk kanë publikuar asnjë fakt, asnjë dokument, por kanë zbatuar urdhrat e Edi Ramës, i cili është përpjekur me të gjitha mënyrat për eliminimin politik, e ndoshta edhe fizik të Ilir Metës. Edi Rama është, siç denoncova edhe në herët e kaluara, i implikuar në zhdukje të personave në mënyrë ekstraligjore, antikushtetuese. Iu kam informuar unë këtu ju, se Dumani fle mbi një dosje në të cilën bisedohet për eliminimin e një politikani të afërt me Edi Ramën. E kuptoni se a do mund të guxonin bandat shtetërore të eliminonin një politikan të afërt me Edi Ramën, pa porosinë e Edi Ramës? Pra, Edi Rama është një me krimin. Është radha jonë!”, u shpreh Berisha i pyetur nga gazetarët, teksa mbylli fjalën e tij.

Ferman të gjykatës politike të Edi Ramës, e quan Monika Kryemadhi, njoftimin për vendimin e GJKKO.

“Vjedhjet shtetërore mafioze si ajo e inceneratorëve që vazhdojnë përditë dhe në çdo sektor, nuk lahen dot me gjyqet publike që mund ti bëjnë drejtuesve të opozitës shqiptare, përmes proceseve gjyqësore pa prova dhe pa fakte”, shkroi Kryemadhi. 

Fakt që vërteton se drejtësia është në duart e Edi Ramës, i cili e përdor si vegël për hakmarrje ndaj rivalëve politikë, e quajti Erisa Xhixho, zëvendëskryetarja e PL, duke mos e përmendur babain e saj, Pirro Xhixho, edhe ky në masë sigurie.

Një reagim erdhi edhe nga jashtë kufijve. Romana Vlahutin, ish ambasadore e BE, e njohur për përplasjet me Ilir Metën gjatë zbatimit të reformës në drejtësi, shkroi se tani s’ka më të paprekshëm dhe se kjo duhet të jetë një mësim i madh për këdo që do ligjin dhe rregullin.

“Reforma e drejtësisë në të gjithë forcën e saj. Nuk ka të paprekshëm. Ky është edhe një mësim i madh për këdo që do ligjin dhe rregullin, mos kini frikë. Drejtësia mund të jetë e ngadaltë, por në fund shërbehet”, shkruan ajo.

Basha shkruan se kambanat e alarmit po bien për Edi Ramën, pasi sipas tij brinjët e Trekëndëshit të Bermudës nuk qëndrojnë dot pa njëri-tjetrin.

Ora 20:48
Pak orë pas arrestimit me urdhër të SPAK, Meta reagon nga qelia: Krenar që u rrëmbeva dhunshëm nga antishqiptarët vetëm për patriotizmin tim

1729516021_ilirmeta.jpg

Pak orë pas arrestimit, Ilir Meta ka reaguar nga ambjentet e bllokut të sigurisë Mine Peza përmes një mesazhi të shpërndarë në Facebook nga zya e Partisë së Lirisë.

Meta falenderon anëtarët e PL për mbështetjen. Ish presidenti e quan arrestimin ndaj tij si një rrëmbim, ndërsa premton se pas kësaj do ndihet më i fortë se kurrë.

Ndërkohë që shton se është krenar që u rrëmbye nga shqipfolësit dhe antishqiptarët pasi mbrotji interesat e vendit. 

'Falenderoj përzemërsisht të gjithë anëtarët e Partisë së Lirisë për mbështetjen e jashtëzakonshme që më kanë dhënë deri tani.

Po kështu nga sot lufta jonë nis një faqe të re në përballjen pa asnjë kompromis me Narkoshtetin e instaluar brutalisht.

Jam i bindur në fitoren e kauzave tona kombëtare dhe demokratike!

Armiqtë e kombit tonë dhe demokracisë do u ngrijë e qeshura në buzë~

Rrëmbimi im sot në mënyrën më banditeske tregon panikun e regjimit diktatorial nga ballafaqimi me të vërtetat.

Ju siguroj se pas njohjes me vendimin e arrestimit tim ndihem më i fortë se kurrë dhe besoj edhe shumë në pafajësinë time të plotë.

Ndihem krenar që jam rrëmbyer dhunshëm nga antishqiptarët dhe shqipfolësit vetëm për patriotizmin tim dhe mbrojtjen e interesave kombëtare.'

Ora 20:35
Akuzat e SPAK për Metën, Kryemadhi: Po ofrohen të pavërteta për mua e familjen time, SPAK ka shkelur sekretin hetimor 

1729535950_monikakryemadhi.JPG

Deputetja e PL Monika Kryemadhi ka reaguar sërish lidhur me arrestimin e kreut të PL Ilir Meta.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo shkruan se në deklaratën e SPAK ka konstatuar shkelje të detyrimeve ligjore në funksion të ruajtjes së sekretit hetimor.

Sipas saj, po ofrohen të pavërteta për të dhe familjen e saj. 

Postimi i plotë:

Sapo u njoha me deklaratën e SPAK për mediat dhe konstatoj me keqardhje mungesën e profesionalizmit dhe shkeljet e detyrimit ligjor që keni në funksion të ruajtjes së sekretit hetimor.

Këtë detyrim iu a imponon neni 279 i Kodit të Procedurës Penale. Këtë nen ka përdorur SPAK-u edhe për t’i mbyllur gojën gazetarëve kur kanë pasur material për të folur mbi korrupsionin apo krimet e qeverisë së Edi Ramës.

Në këtë deklaratë, ndër të tjera bëhet me dije nga prokuroria e posaçme se kjo çështje është ende nën hetim, ndërkohë që prokuroria vetë ofron për publikun si ushqim të dhëna të pavërteta për mua dhe familjen time, për të cilat, unë gjatë hetimit kam arritur të vërtetoj të kundërtën nëpërmjet provave shkresore dhe aktit të ekspertimit kontabël të çertifikuar, që kam depozituar pranë SPAK prej kohësh.

Çuditërisht, në 167 faqe vendim, me të cilin është disponuar caktimi i masës së sigurimit personal, nuk pasqyrohet në asnjë rresht, asnjë e dhënë lidhur me provat që unë kam depozituar në mbështetje të pretendimeve të mia, të cilat rrëzojnë aludimet e SPAK.

Ju sot ligjërisht më keni komunikuar faktin se ndaj meje në cilësinë e personit nën hetim të dyshuar për kryerjen e disa veprave penale është caktuar një masë sigure, ndërkohë që edhe pse kam ende cilësinë e personit nën hetim, ju, xhelatët e bindur të Edi Ramës politikisht shpreheni se unë dhe familja ime akuzohemi, ndërkohë që këtë gjë në fazë të hetimit, nuk mund ta bëni as ligjërisht, as publikisht.

Deklarata e sotme e SPAK duket e shkruar në zyrën e Propagandës të Edi Ramës.

Pasi, për familjen time SPAK shkel çdo të drejtë të njeriut të mbrojtur nga Konventat Europiane dhe Kushtetuta, për një proces të rregullt ligjor, kurse për mafiozët në karriget e qeverisë dhe bashkëpunëtorët e tyre përulen dhe nuk shohin krimet e përditshme në kurriz të shqiptarëve.

Intimidimi i SPAK në bashkëpunim me Edi Ramën, ndaj gjyqësorit shqiptar, duke manipuluar opinionin publik përmes nxjerrjes së sekretit hetimor dhe duke paraqitur si fakte disa akuza të rreme dhe të pabaza, do të marrë përgjigjen e merituar në çdo shkallë të gjyqësorit brenda dhe jashtë vendit.

SPAK mund të bëjë akuzën, por kurrësesi gjyqin! Kjo i takon vetëm gjykatës dhe përballja e gënjeshtrave me motivacion politik, me të vërtetat do të jetë kudo dhe ndaj kujtdo, me të njëjtën monedhë.

Ora 19:19
Arrestimi i Ilir Metës, Genc Pollo: SPAK mund ta akuzojë, por Meta mund të provojë pafajësinë

1729531455_gencpollo.JPG

Ish- deputeti Genc Pollo, ka reaguar në lidhje me arrestimin e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai shkruan se Meta mund të provojë pafajësinë përballë akuzave të SPAK.

Sipas tij, Meta mund të thirrej në Prokurori për të ekzekutuar arrestin dhe jo të arrestohej sipas tij në mënyrë të dhunshme.

“SPAK mund të akuzojë dhe Ilir Meta të provojë pafajësinë përballë akuzave. Por: A nuk mundet të thirret një ish president, kryeministër, kryetar kuvendi në prokurori për të ekzekutuar arrestin? Ose në banesën/zyrën e të pandehurit. Por duhet vepruar me arrest të dhunshëm ala Hollyëood që rezervohet për kriminelë të armatosur e të rrezikshëm?  A nuk do të lipsej që Meta të përballej me akuzat në gjendje të lirë siç ndodh rëndom në shtetet demokratike (si p.sh. Trump, Sarkozy, Jansa, etj.)  Meqë opozitës i burgoset pa dënim lidershipi (Berisha, Meta) ndërkohë që mazhorancës i burgosen Çyrbe kollaj të zëvendësueshëm a mos SPAK-u, duke margjinalizuar opozitën politike, po konsolidon regjimin autoritar kleptokratik të Ramës?”, shkruan ai.

Ora 18:53
Arrestimi i Ilir Metës, Erisa Xhixho: Akt banditesk që turpëron Shqipërinë! Pengmarrje politike

1729529966_erisaxhixho.JPG

Nënpresidentja e PL-së, Erisa Xhixho ka reaguar pas arrestimit të kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili u vu në pranga paraditën e sotme me urdhër të SPAK.

Xhixho përmes një postimi në rrjete sociale shkruan se arrestimi banditesk i Ilir Metës është akt që turpëron Shqipërinë, ndërsa e ka cilësuar si një pengmarrje poltike. 

 “I turpshëm dhe banditesk akti terrorist i ideuar nga kryeministri Edi Rama dhe i ekzekutuar nga segmente okulte të Policisë së Shtetit ndaj ish-presidentit të Republikës dhe kreut të Partisë së Lirisë. Një shfaqje e tillë në mes të rrugës dhe pengmarrje politike e ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit të Kuvendit  tregon qartë se shteti policor është fytyra e këtij regjimi dhe krimit të organizuar që qëndron pas tij. Sot u dha provua e radhës se drejtësia është në duart e Edi Ramës, i cili e përdor si vegël për hakmarrje ndaj rivalëve politikë. Partia e Lirisë nuk dekurajohet nga një atentat i tillë ndaj demokracisë, por do të rrisë forcën dhe vendosmërinë për përballjen me këtë regjim kriminal", tha ajo. 

Ora 17:11
Arrestimi i Metës, Basha: Kambanat po bien për Ramën, brinjët e Trekëndëshit të Bermudës nuk qëndrojnë dot pa njëri-tjetrin

1726128088_lulzimbasha.jpg

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar pas arrestimit të Ilir Metës. Basha shkruan se kambanat e alarmit po bien për Edi Ramën, pasi sipas tij brinjët e Trekëndëshit të Bermudës nuk qëndrojnë dot pa njëri-tjetrin.

Ai më tej thotë se fillimi i fundit të pandëshkueshmërisë shënon fillimin e fundit të tranzicionit. 

"Kambanat po bien për Edi Ramën, brinjët e Trekëndëshit të Bermudës nuk qëndrojnë dot pa njëri-tjetrin. Fillimi i fundit të pandëshkueshmërisë shënon fillimin e fundit të tranzicionit. Shqipëria meriton më shumë", shkruan Basha. 

Ora 15:00
Arrestimi i Ilir Metës, krerët e Partisë së Lirisë mblidhen në seli: Mes tyre Caka, Haxhinasto dhe Nesho

Arrestimi i kryetarit të Partisë së Lirisë për dosjen e lobimit në SHBA dhe pastrim parash, ka shkaktuar edhe tensione psikologjike tek drejtuesit e partisë.

Menjëherë pas lajmit në media për ndalimin me urdhër të SPAK dhe transmetimit të pamjeve të arrestimit, në selinë e PL-së janë mbledhur të gjithë vartësit e Metës në seli.

Të parët që kanë mbërritur ishin Silva Caka, ish-ministri Edmond Haxhinasto dhe ish-ambasadori Agim Nesho.

Nuk ka njoftim zyrtar nëse do mbahet mbledhje dhe çfarë do të diskutohet në seli.

Ora 14:57
Arrestimi i Metës/ Reagon Agim Nesho: Rrëmbim politik, poshtë diktatura

Ish-ambasadori Agim Nesho në një prononcim për mediat para se të futej në seli është shprehur se mënyra si është arrestuar Meta është i papranueshëm.

“Poshtë diktatura, mënyra si kanë vepruar për një kryetar partie, për një njeri që drejtonte opozitën kjo është e papranueshme” ka thënë Nesho.

 

Ora 14:42
Arrestimi i Metës/ Reagon ish-ambasadorja e BE në Tiranë: Nuk ka të paprekshëm

Ish-ambasadorja e BE në Shqipëri Romana Vlahutin ka reaguar pas arrestimit të Ilir Metës.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale Vlahutin thotë se nuk ka të paprekshëm dhe se ky është dhe një mësim i madh për këdo që do ligjin dhe rregulli.

“Reforma e drejtësisë në të gjithë forcën e saj. Nuk ka të paprekshëm. Kjo është edhe një mësim i madh për këdo që do ligjin dhe rregullin, mos kini frikë. Drejtësia mund të jetë e ngadaltë, por në fund shërbehet”, shkruan ajo.

Ora 14:22
Arrestimi i Ilir Metës, përfaqësuesit e PL mblidhen në seli! Silva Caka: Të nxjerrësh njerëz me maska

Përfaqësus të PL janë mbledhur në seli pas arrestimit të Ilir Metës. Silva Caka nuk komentoi gjatë për gazetarët.

"Nuk kam asnjë koment, sa dini ju dimë dhe ne. Te nxjerrësh njerëz me maska, nuk e di", ka thënë Silva Caka.

Ora 14:00
‘E rrëmbyen në mes të ditës’, PL reagon për arrestimin e Metës: Do marrin përgjigje shembullore

1729511718_tediblushi.jpg

Foto: Tedi Blushi

Tedi Blushi në një prononcim për mediat e u shpreh se Meta u rrëmbye në mes të ditës, ndërsa shton se do të jepet përgjigje shembullore për këtë rast.

“Kjo strukturë kriminale terroriste që guxoi të rrëmbente në mes të ditës ish-presidentin, ish-kryeministrin. Nuk e di ku ndodhet Meta tani dhe kjo tregon gjendje skandaloze. Për aktin e rëndë kriminal de të marrin përgjigjen shembullore.”, tha ai.

A.Q//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?