Pas sulmit me armë në banesën e prindërve të gazetares Klodiana Lala, ka ardhur reagimi edhe nga grupi i grave të Partisë Socialiste. Në reagimin e deputeteve të PS-së thuhet se sot u sulmua një gazetare e cila ka ushtruar me profesionalizëm detyrën e saj në terren. Grupi i PS-së, kërkon që ngjarja të zbardhet dhe përgjegjësit të shkojnë para drejtësisë.
Reagimi i plotë:
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste:
Ne, grupi i grave deputete të Partisë Socialiste, duam të shprehim shqetësimin tonë për kërcënimin e jetës së një gazetareje.
Dënojmë me forcë sulmin ndaj gazetares Klodiana Lala dhe familjarëve të saj.
Është e patolerueshme dhe e pafalshme që jo vetëm sulmohet një gazetare, por dhuna drejtohet edhe karshi familjarëve. Sulmohet një grua, e cila nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka ushtruar me profesionalizëm e ndershmëri misionin e gazetares. Sulmohet një nënë. Sulmohet liria e fjalës dhe e shprehjes.
Ne, deputetet e Partisë Socialiste nuk e pranojmë dhunën dhe nuk heshtim ndaj akteve të tilla kaq të rënda.
Ne, deputetet e Partisë Socialiste kemi bindjen që krimi nuk mund të mbulojë të vërtetën, nuk mund të frikësojë, kërcënojë apo lëndojë gazetarët dhe për më tepër, një gazetare grua që raporton për të vërtetën.
Dhuna nuk mund të ndalojë guximin e një gruaje të bëjë me profesionalizëm punën e saj.
Si politikane dhe qytetare të denja të këtij vendi, kërkojmë me forcë të zbardhet e vërteta dhe autorët e dhunës të vihen përballë drejtësisë.
Kërkojmë po ashtu të sigurojmë, që për aq sa na takon do të bëjmë maksimumin për të nxitur organet përkatëse në sqarimin e kësaj ngjarjeje dhe për vënien para përgjegjësisë të autorëve të saj. Askush, për më tepër një grua, një nënë, një profesioniste, nuk duhet të ndihet e kërcënuar nga dora që kërkon t’i mbyllë rrugën lirisë së shprehjes! Ajo kohë, fatmirësisht, ka mbaruar një herë e përgjithmonë!
Lajmi kryesor:
Breshëri plumbash në banesën e prindërve, gazetarja Klodiana Lala: S'kam konflikte, sulmi për shkak të detyrës (VIDEO)
//ReportTv.al