Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hajrulla Çeku, ka reaguar lidhur me koreografinë skandaloze, luftënxitëse të tifozëve të klubit serb, Crvena Zvezda, në ndeshjen e futbollit kundër Fiorentinës në Beograd.
Në ndeshjen miqësores mes Fiorentinës dhe Crvena Zvezdës, ndeshje kjo e zhvilluar dje në Beograd, tifo-grupi "Delije" i skuadrës serbe, u shfaq me një koreografi ku shkruante: "Kur ushtria kthehet në Kosovë".
Ministri Çeku përmes llogarisë së tij në Facebook, ka thënë se koreografia e organizuar në ndeshjen miqësore të futbollit të zhvilluar dje ndërmjet “Yllit të kuq” dhe Fiorentinës në Beograd, tregon qartazi për mendësinë e pandryshuar të Serbisë.
“Koreografia e organizuar në ndeshjen miqësore të futbollit të zhvilluar dje ndërmjet “Yllit të kuq” dhe Fiorentinës në Beograd, tregon qartazi për mendësinë e pandryshuar të Serbisë. Grupi i tifozerisë “Delije” mbrëmë ka shfaqur një koreografi ku shihet një tank i madh me sfondin e flamurit serb dhe me shkrimin nën të “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”. Serbia edhe një herë tregoi që nuk e kursen as sportin si platformë për promovimin e politikës së saj luftënxitëse”, ka shkruar ministri Çeku.
Sipas tij, kërcënimet me luftë nga stadiumi i futbollit duhet të kundërshtohen nga organizatat ndërkombëtare të futbollit, të cilat i ftojmë për marrjen e masave të duhura ndëshkuese.
“Këto veprimeve të Serbisë janë të papranueshme, andaj komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të qëndrojë në heshtje”, ka thënë ministri Çeku.