Olta Xhaçka ka reaguar pas fitores në qarkun e Tiranës si kandidate në listën e hapur të PS, në një nga përballjet më të ngushta brenda listës së kësaj force politike me Blerina Gjylametin.
Në një reagim Xhaçka shpreh falënderimet për qytetarët që e mbështetën me votë, për strukturat e PS-së që punuan për fitoren dhe për të gjithë kolegët që ishin pjesë e kësaj gare.
Xhaçka pranon se gara ishte e vështirë dhe e mbushur me emocione, por thekson se qëllimi përbashkues ishte suksesi i Partisë Socialiste dhe projektit të saj për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Reagimi i Olta Xhaçkës:
Të dashur miq,
Ju falënderoj nga zemra të gjithëve, kudo që jeni — nga Tirana në Kavajë, nga Vora në Kamëz e Rrogozhinë, nga Greqia në Itali, nga Gjermania në Angli, nga Kanadaja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
Faleminderit për mbështetjen tuaj, për fjalët e mira, për besimin që më keni dhënë!
Një falënderim të vecantë për çdo qytetar të Njësisë 2, për çdo votues e për çdo anëtar të ekipit të Partisë Socialiste: burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat që punuan me përkushtim, natë e ditë, për ta bërë të mundur fitoren e Partisë Socialiste.
Faleminderit edhe kandidatëve të tjerë në garë, veçanërisht deputetit të kësaj zone, Arben Pëllumbi — të cilin e dua shumë dhe e vlerësoj thellësisht si njeri dhe si kontribues të palodhur të kësaj familjeje politike.
Mirënjohje pafund kryetarëve, Eltonit dhe Sonilës, shtabeve elektorale, komisionerëve, numëruesve, vezhguesve e shumëkujt të angazhuar në këtë garë elektorale, për punën tuaj të jashtëzakonshme!
Jam shumë e përulur përpara këtij besimi dhe përgjegjësisë që më keni ngarkuar me votën tuaj.
Ju garantoj se nuk do ta zhgënjej këtë besim! Do të punoj me të gjitha forcat për të përmbushur pritshmëritë tuaja dhe për të çuar përpara interesat e kësaj zone, kësaj partie dhe vendit tonë.
⸻
Të dashur miq,
Nuk dua ta fsheh që kjo ishte një garë e vështirë sepse në fund ishte një garë mes kolegësh e miqsh, ku mandatet shpesh u ndanë për pak vota. Ishte një garë me shumë emocione e shumë lodhje, shumë pritshmëri e pse jo, zhgënjim.
Por, unë mendoj që pikërisht në këto momente, ne nuk duhet të harrojmë që përpara se të ishte një garë për mandatet tona personale, 11 maji ishte një garë për të arritur fitoren e Partisë Socialiste, për të fituar besimin e qytetarëve për projektin e Partisë Socialiste dhe Edi Ramës për Shqipërinë në Evropë.
Ne e fituam këtë garë së bashku, duke punuar si një ekip, duke u përpjekur secili mik e mikeshë, koleg e kolege për të arritur një fitore të madhe për Partinë Socialiste dhe projektin e Shqipërisë 2030.
Prandaj, ne jemi të gjithë fitues dhe sot është koha të ecim përpara, bashkë si një skuadër, me më shumë përgjegjësi, më shumë përkushtim dhe më shumë dashuri për Shqipërinë tonë!
FALEMINDERIT
Komente
