Zv. ministrja ruse e Punëve të Jashtme, Maria Zakharova

Kosova & Rajoni

Reagon Rusia pas shpalljes ‘non grata’ të dy diplomateve në Kosovë: Nuk kanë lidhje me organet e shtetit ‘të vetëshpallur’, janë akredituar nga UNMIK

24 Tetor 2021, 11:33| Përditesimi: 24 Tetor 2021, 11:35

  • Share

Zv. ministrja ruse e Punëve të Jashtme, Maria Zakharova ka reaguar lidhur me vendimin e Kosovës për të shpallur “non grata” dy diplomatë rusë, duke thënë se dëbimi i tyre nuk do të sjellë pasoja për statusin e tyre ligjor.

 “Vendimi i administratës së Prishtinës, nuk do të ketë asnjë pasojë ligjore mbi diplomatet rusë”, tha ajo.

Sipas Zakharova, diplomatët e dëbuar nuk kanë asnjë lidhje me asnjë organ të Kosovës, pasi ata janë të akredituar nga UNMIK. Kujtojmë këtu që Rusia ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës.

Rusia i ka bërë thirrje misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK dhe forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, i njohur si KFORI, që të reagojnë lidhur me këtë veprim si dhe të ofrojnë siguri për zyrën e përfaqësimit rus në vend.

“Ne presim që sjellja e papranueshme e Kosovës të ‘ndëshkohej’ nga partnerët tanë”, shtoi ajo.

Të premten, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme t’i shpallë “non grata” dy zyrtarë të Rusisë që kanë punuar në Zyrën Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë, duke theksuar se aktiviteti i tyre “ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”.

“Këtë javë kam kërkuar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schëarz, t‘i shpallë persona non grata dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë, për shkak të aktivitetit të tyre të dëmshëm, i cili ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Sot, MPJD-ja ka nxjerrë vendimin për shpalljen e këtyre dy zyrtarëve rus persona të padëshirueshëm dhe në të njëjtën kohën i ka njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e tij”, thuhet në deklaratën e Osmanit.

Menjëherë pas këtij vendimi, ambasada e Rusisë në Serbi reagoi me një deklaratë duke theksuar se Rusia nuk i njeh këto veprime të Kosovës.

“Ne nuk e njohim pavarësinë e Kosovës, prandaj nuk e njohim qeverinë e tyre apo strukturat e tjera. Asnjë vendim i Prishtinës nuk ka fuqi ligjore për ne. Ne po bashkëpunojmë me misionin e UNMIK-ut, duke përfshirë këto çështje, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, thuhet në deklaratën e ambasadës ruse në Beograd.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?