Bota

Reaktori bërthamor në Arak, i goditur sot nga Izraeli: Për çfarë shërben dhe si funksionon (VIDEO)

19 Qershor, 12:48| Përditesimi: 19 Qershor, 14:40

  • Share

Ushtria izraelite kishte urdhëruar popullsinë të evakuonte zonën përreth reaktorit të ujit të rëndë në rajonet e Arak dhe Khondab, disa orë para nisjes së sulmit. Paralajmërimi u publikua në një postim në mediat sociale, të ngjashëm me ato të publikuara për Gazën dhe përfshinte një imazh satelitor të uzinës rrethuar me të kuqe.

Reaktori i ujit të rëndë në Arak ndodhet 250 km në jugperëndim të Teheranit. Uji i rëndë ndihmon në ftohjen e reaktorëve bërthamorë, raporton Associated Press, por prodhon plutonium si një nënprodukt që potencialisht mund të përdoret në armët bërthamore. Kjo do t'i jepte Iranit një rrugë tjetër për bombën, përveç uraniumit të pasuruar, nëse vendos të zhvillojë një armë bërthamore.

Irani, sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me fuqitë botërore, kishte rënë dakord të rikonceptonte uzinën për të zbutur shqetësimet për rrezikun e përhapjes. Si pjesë e negociatave për marrëveshjen e vitit 2015, Teherani pranoi t’ia shiste ujin e tij të rëndë Perëndimit për të përmbushur kushtet e marrëveshjes. Në atë kohë, Britania po ndihmonte Iranin të riprojektonte reaktorin Arak për të kufizuar sasinë e plutoniumit që prodhonte, duke zëvendësuar Shtetet e Bashkuara, të cilat e lanë në mes projektin, pas vendimit të Presidentit Donald Trump në vitin 2018, për të tërhequr në mënyrë të njëanshme Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore.

Gjatë javës së kaluar, Operacioni "Rising Lion" i Izraelit ka synuar uzinën e pasurimit të Iranit në Natanz, laboratorët e centrifugave rreth Teheranit dhe një central bërthamor në Isfahan, si dhe zyrtarët e lartë në programin bërthamor të vendit.

A.I/Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD ankohet në Strasburg për zgjedhjet e 11 majit dhe SPAK, si e vlerësoni?