Real Madrid ka dalë hapur kundër planit për të zhvilluar ndeshjen Villarreal - Barcelona në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 20 dhjetor, duke paralajmëruar se një vendim i tillë do të ishte një pikë kthese e rrezikshme për botën e futbollit.
Sipas 'Los Blancos', luajtja e një ndeshjeje të La Ligës jashtë Spanjës do të krijonte një precedent të papranueshëm, duke hapur derën për përjashtime të bazuara në interesa josportive, gjë që, sipas tyre, rrezikon integritetin e garës. Klubi madrilen ka njoftuar se do t’i kërkojë zyrtarisht UEFA-s dhe FIFA-s që të mos e autorizojnë zhvillimin e takimit.
Nga ana tjetër, Villarreal ka nisur përgatitjet për këtë event të mundshëm, duke u premtuar tifozëve udhëtim dhe bileta falas për abonentët në rast se ndeshja në “Hard Rock Stadium” të Miamit miratohet. Ky do të ishte rasti i parë që një sfidë e La Ligës do të zhvillohej në SHBA.
Federata Spanjolle e Futbollit e ka miratuar tashmë kërkesën për zhvendosjen e takimit, ndërsa vendimi final pritet nga institucionet më të larta të futbollit botëror dhe europian. Situata mbetet e nxehtë dhe e hapur për debate, teksa pritet reagimi i FIFA-s dhe UEFA-s.
Komente
