Antonio Pintus (61 vjeç) është një 'zot' kur bëhet fjalë për përgatitjen fizike. Ai kontrollon gjithçka deri në milimetër në stërvitjen e Real Madridit. Metodat e tij të punës konsiderohen më të avancuarat. Tani, NASA e ka vënë re dhe po mendon një bashkëpunim me të.
“Unë e admiroj sasinë e të dhënave që keni në kohë reale në telefonin tuaj celular, thotë Judith Hayes, kryeshkencëtarja në agjencinë hapësinore me famë botërore. Kur bëhet fjalë për demonstrimin e performancës sportive, nuk mund ta injoroni Real Madridin. Pintus ka një përvojë të pasur që shkon përtej sportit”.
Ai ka punuar te Real Madridi që nga viti 2016, me një periudhë 2-vjeçare edhe tek Interi (2019-2021). Marrëdhënia mes Pintus dhe NASA filloi një vit më parë, kur Real Madridi ishte në një turne veror në SHBA.
Carlos García-Galán, një inxhinier spanjoll i NASA-s, u takua me Pintus gjatë një seance trajnimi në Hjuston dhe menjëherë pa potencialin për bashkëpunim.
“Ne jemi gjithmonë në kërkim të më të mirëve, kur bëhet fjalë për inxhinierët dhe pilotët që mund të bëhen astronautë. Antonio bën pjesë në këtë kategori”, – thotë ai.
Metoda e tij inovative përdor vlerësime të gjera të të dhënave që i kontrollon gjithmonë në kompjuterët e tij dhe mbi të gjitha, të ashtuquajturat maska të hipoksisë, maska që simulojnë kushte armiqësore në lartësi të mëdha për të testuar dhe përmirësuar pragjet aerobike dhe anaerobe të lojtarëve.
NASA është e interesuar për simulimet e Pintus në lartësi të mëdha, sepse teknologjia mund të përmirësojë qëndrueshmërinë e astronautëve në hapësirë, ku ata shpesh duhet të punojnë me furnizime të kufizuara oksigjeni.
García-Galán e bën të qartë se NASA nuk dëshiron ta marrë Pintus si pjesë të sajën.
“Jo, jo. Jam i sigurt se ai dëshiron të qëndrojë te Real Madridi. Edhe unë nuk dua që të largohet si tifoz i Real Madridit. Ai vazhdimisht po mëson dhe shpik diçka të re në fushën e tij. Ka të bëjë me kërkimin e mundësive për bashkëpunim, çka mund të na sjellë dobi të dyja palëve”.