Interi dominon por Real Madrid fiton. Zikaltërit u mundën 1-0 në “San Siro” nga Reali në ndeshjen e parë në grupin D të Champions League. Skuadra e Inzaghit krijoi raste por nuk shënoi ndërsa spanjollët e ndëshkuan në minutën e 89-të me brazilianin Rodrygo. Sherif Tiraspoli bëri historinë në ndeshjen tjetër të grupit duke mundur 2-0 Shakhtar dhe mori kryesimin.
Rikthimin në Champions pas 7 vitesh Milani e bëri dramë. Liverpool triumfoi 3-2 në “Anfield Road” ndaj kuqezinjve dhe u ngjit në krye të grupit B. Tomori autogol dhe më pas Salah humbi një penallti bënë që anglezët të marrin avantazhin por Milani kthehet i frikshëm në vetëm dy minuta dhe shënon dy gola duke e mbyllur pjesën e parë në avantazh. Autorë ishin Rebic e Brahim Diaz. Gjithsesi në fraksionin e dytë ishte Liverpooli që e përmbysi rezultatin dhe siguroi tre pikët. Salah barazoi në 2-2 dhe kapiteni Henderson shënoi golin e fitores.
Në sfidën tjetër të grupit B Atletico Madrid nuk shkoi më shumë se barazimi pa gola ndaj Portos.
Në grupin A PSG e treshes Messi-Neymar-Mbappe nuk e nisi dot me fitore. Brugge-PSG u mbyll në barazim 1-1 me golat që u shënuan të dy në pjesën e parë nga Herrera për miqtë dhe Vanaken barazoi për belgët.
Manchester City shkëlqeu që në ndeshjen e parë duke luajtur tenis me Lajpcig. City fitoi 6-3 ndaj skuadrës gjermane dhe ngjitet menjëherë në kryesimin e grupit A.
Ndërkaq në grupin C Ajax triumfoi 5-1 në Lisbonë ndaj Sportingut. Shkëlqeu sulmuesi Haller që shënoi katër gola dhe holandezët u ngjitën në kye të grupit.
Me fitore e nisi edhe Dortmundi që nuk gaboi në Stamboll duke mposhtur 2-1 Beshiktashin.