Realizohet me sukses bajpasi aorto-koronar në QSUT tek një pacient 73-vjeçar

30 Gusht, 10:10| Përditesimi: 30 Gusht, 10:15

  • Share

Në QSUT u realizua një ndërhyrje e veçantë në zemër tek një pacient 73-vjeçar me probleme serioze të veshkave dhe diabet. 

Bypassi në zemër e njohur si ndërhyrja MidCABG u realizua me një hapje minimale prej 6-7 cm duke lejuar rikuperim të shpejtë të pacientit, i cili mund te lë spitalin në gjysmën e kohës së zakonshme. Për shkak të patologjive shoqëruese, operacioni u krye duke mbajtur zemrën në punë gjatë gjithë kohës dhe pa hapur kraharorin në pjesën e përparme.

“Kjo procedurë e re i shtohet spektrit të ndërhyrjeve mini-invazive që kryhen rutinë në Shërbimin e Kardiokirurgjisë në QSUT”, shkruan në rrjetet sociale ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu, e cila veçon në falënderimet e stafit edhe mbështetjen e doktorit Stak Dushaj nga Qendra Universitare e Zyrihut.

Postimi i plotë

Në vazhdën e teknikave të reja mini-invazive, në QSUT është kryer ndërhyrja MidCABG (bypass aorto-koronar). Kjo procedurë u realizua në një pacient 73-vjeçar me probleme serioze të veshkave dhe diabet, i cili kishte ngushtim kritik të arteries koronare të majtë. Për shkak të patologjive shoqëruese, operacioni u krye pa përdorimin e qarkullimit ekstrakorporal, duke mbajtur zemrën në punë gjatë gjithë kohës dhe pa hapur kraharorin në pjesën e përparme.

Kjo ndërhyrje, e njohur si MidCABG, u realizua me një incizion alternativ, mini-torakotomi e majtë, me një hapje minimale prej 6-7 cm në hapësirën e katërt ndërkockore, duke lejuar një rikuperim të shpejtë të pacientit dhe ekstubimin e tij të menjëhershëm. Trauma minimale bën që pacienti të kalojë shpejt në repart dhe të dalë nga spitali në gjysmën e kohës së zakonshme, duke ulur kostot dhe ditëqendrimin.

Kjo procedurë e re i shtohet spektrit të ndërhyrjeve mini-invazive që kryhen rutinë në Shërbimin e Kardiokirurgjisë në QSUT.

Mirẽnjohje nga ekipit të mjekëve dhe infermierëve: Prof. Asoc. Altin Veshti, Dr. Arber Aliu, Dr. Fjoralba Qejvani, Dr. Ervin Bejko, Esmerilda Bulku, Jonela Burimi si dhe infermierëve Majlinda Elezi dhe Nerenza Elezi. Një falënderim i veçantë për Dr. Stak Dushaj nga Qendra Universitare e Zyrihut në Zvicër për mbështetjen e tij të vazhdueshme.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?