Reçel rrushi
Përbërësit:
- 2 kg rrush pa fara (i kuq ose i zi)
- 600 - 800 gr sheqer
- 1 limon (lëngu dhe pak lëkura e grirë)
- 1 gotë ujë (rreth 200 ml)
Përgatitja:
Lajmë mirë kokrrat e rrushit dhe i shtypim lehtë që të çlirojnë pak lëng. I vendosim në tenxhere me gotën e ujit dhe i lëmë të ziejnë 10–15 minuta derisa lëkura të zbutet dhe kokrrat të lëshojnë lëng. Hedhim sheqerin dhe lëngun e limonit. E përziejmë herë pas here në zjarr mesatar derisa të tretet plotësisht. E lëmë reçelin të ziejë 35–45 minuta duke e përzier kohë pas kohe. Kontrollojmë trashësinë duke hedhur një pikë në pjatë të ftohtë: nëse nuk rrjedh shpejt, reçeli është gati. Ndërkohë, sterilizojmë kavanozët duke i zier 10 minuta ose duke i futur në furrë 120 °C për 10 minuta. Pasi reçeli të jetë gati e hedhim të nxehtë në kavanozë, i mbyllim mirë dhe i kthejmë përmbys për 5 minuta që të krijohet vakum. Reçelin e ruajmë në vend të errët e të freskët.
Këshilla nga Albana: Për shije më të thellë shto pak kanellë ose vanilje në fund. Nëse do reçel pa lëkura, pasi të zbutet rrushi, kaloje masën në sitë dhe vazhdo zierjen vetëm me lëngun.
Komente
