Kosova & Rajoni

Reciprociteti i targave, deputeti shqiptar në Serbi, Kamberi: Vendimi i Kosovës i drejtë, Vuçiç nuk po zbaton marrëveshjet! Të ndërhyjë SHBA se BE nuk ka fuqi

21 Shtator 2021, 19:42| Përditesimi: 21 Shtator 2021, 22:01

  • Share

Shaip Kamberi, deputeti shqiptar në Serbi e ka quajtur të drejtë vendimin e Kosovës për të mos lejuar automjetet me targa serbe në territorin e saj. Kamberi duke folur drejtëpërdrejtë nga Serbia për ‘Report Tv’, thotë se presidenti Aleksandër Vuçiç nuk po zbaton marrëveshjet e nënshkruara mes dy vendeve në Bruksel, ku përfshihet edhe reciprociteti i targave. Sipas tij, vetëm kështu mund të ushtrohet presion ndaj Serbisë që respektojë marrëveshjet dhe ta konsiderojë Kosovën shtet të pavarur. 

“Ka një kohë të gjatë që Serbia nuk respekton marrëveshjet e nënshkruara me Kosovën të arritura në Bruksel, mes tyre edhe reciprociteti i targave. Kosova ka pasur njerëz që kanë kaluar në Serbi, kanë pasur gjithmonë këtë problem me marren e tabelave e pagesat që janë detyruar të bëjnë. Vendimi i qeverisë për marrjen e masës së reciprocitetit ndaj targave të Serbisë duket i drejtë  sepse duhet detyruar që të respektojë marrëveshjet e nënshkruara. Pres nga BE që të insistojë tek Beogradi zyrtar që të fillojë respektimin  e marrëveshjeve që kjo problematikë të zgjidhet. Reagimet e Beogradit janë spektakolare, siç vepron në situata të tilla presidenti Aleksandër Vuçiç, por unë i karakterizoj vetë të nivelit verbal dhe asgjë tjetër”, tha Kamberi.

Për të ulur dy palët në bisedime, Kamberi thotë se duhet të ndërhyjë Uashingtoni zyrtar sepse Bashkimi Evropian nuk e ka fuqinë imponuese ndaj Serbisë që ta detyrojë atë të respektojë marrëveshjet.

“Ka qenë e pamundur që palët të ulen në tryezën e bisedimeve pa ndërmjetësimin e dikujt. BE ka qenë deri më tani ai që ka ndihmuar në bisedime dhe ka ndihmuar në arritjen e disa marrëveshjeve. Por shihet se BE nuk e ka fuqinë imponuese të realizmit të marrëveshjeve, sepse Serbia po i bën bisht disa marrëveshjeve. Raporti i progresit të BE për Serbinë, për vitin e kaluar flet qartë se Serbia se nuk po i respekton këto marrëveshje. Mendoj se përveç Bashkimit Evropian, është Uashingtoni që duhet të angazhohet që të ulë palët në tryezën e bisedimeve që të arrihet marrëveshja përfundimtare që do të sjellë në njohjen e ndërsjellët dhe eliminimin e problemeve Pa përfshirjen e Uashingtonit zyrtar, unë nuk besoj se Serbia do të ulet në tryezë më Kosovën për të arritur një marrëveshje përfundimtare”, u shpreh Kamberi.

Ndërkohë, Kamberi foli edhe për shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës në Serbi. Deputeti tha se shpreson që të ketë masa lehtësuese për këtë komunitetin shqiptar, ndërsa pritet vit

“Masa është e imponuar nga Serbia. Shpresoj që Kosova në raport me Luginën e Preshevës të krijojë programe që do nxisin ndihma të drejtpërdrejtë në mënyrë që të ndihmojë nevojat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Kemi disa paralajmërime se vitin tjetër do jetë e përfshire në buxhetin shtetëror të Kosovës”, vijoi deputeti shqiptar në Serbi.

Një ditë më parë Kosova mori vendimin që mos të lejojë futjen e makinave me targa serbe, por këto të fundit duhet të pajisjen me targën e përkohshme kosovare, që kushton 5 euro dhe është e vlefshme për 60 ditë. Reciprociteti i targave është një nga marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç nuk e ka pritur mirë këtë vendim, mirëpo vetë Serbia nuk i njeh targat kosovare.

SHBA dhe BE-ja kanë bërë thirrje që tensionet mes dy palëve të ulen, ndërsa kryeministri i Kosovës Albin Kurti thotë se nuk ka për qëllim të destabilizojë ose provokojë, por vetëm po respekton marrëveshjen, afati i së cilës kishte mbaruar më 15 shtator. Sakaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mbështetur Kosovën në vendimin e saj, teksa i ka bërë thirrje Serbisë të bashkëpunojë.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?