Reciprociteti i targave, serbët paralajmërojnë barrikada! Osmani: Respektojmë ligjin, s’tërhiqemi! Vuçiç: Do bëjmë rezistencë, s’iu lejojmë të na vrisni

27 Tetor 2022, 10:09| Përditesimi: 27 Tetor 2022, 15:31

  • Share

Serbët e Kosovës po përgatiten për tensione, pas datës 31 tetor, ditë kur përfundon afati i regjistrimit të targave për automjetet e tyre. Presidenti i Serbisë që bëri një paralajmërim të fortë, menjëherë pasi mblodhi këshillin e Sigurisë Kombëtare.

“Nëse duan luftë, nuk dorëzohemi. Gjatë gjithë kohës ne themi targa KS, dhe ata thonë se nuk ka më targa KS sepse i kanë hequr. Megjithatë Prishtina kërkon targa RKS, çka është e papranueshme, pasi nuk është status neutral. RKS do të thotë Republika e Kosovës”, tha Vuçiç.

Ai tha se para mbledhjes ka folur me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova e  Metohia siç i referohet ai, duke shtuar se kanë vendosur të mbrojnë pronën e tyre, si dhe do të bllokojnë rrugët.

“Unë u thashë që të rezistojnë në mënyrë paqësore dhe demokratike, të mos shkaktojnë konflikte, të punojnë në përputhje me të gjitha parimet demokratike.Shteti i Serbisë nuk do të lejojë vrasjen e popullit të vet. Nuk do të ketë përsëritje të vitit 2004, e as ndonjë veprim të ngjashëm. E përsëris, nuk dorëzohemi", tha Vuçiç.

Nga ana tjetër, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani që ka bërë të qartë se Kosova do të zbatojë ligjin dhe nuk do të tërhiqet.

“Serbia po kërcënon me dhunë pse Kosova po zbaton ligjit. Kjo është ajo piktura e madhe që insistojmë që të gjithë ta shohim, që është mbi të gjitha çështje e sundimit të ligjit, çështje e respektimit të parimeve dhe standardeve më të larta ndërkombëtare, të cilat Kosova po i respekton. E tëra që po bëjmë është që po e zbatojmë ligjin dhe po i mbrojmë të gjithë qytetarët pa dallim. Dhe si rezultat i kësaj, Serbia po kërcënon me dhunë, me barrikada të cilat siç e dini janë shkelje e lirisë së lëvizjes”, tha Osmani.

Një koment mbi këtë çështje e pati edhe presidentja e Komsionit Europian, Ursula von der leyen, e cila ishte në një vizitë zyrtare në Kosovë. 

“Unë mendoj që është shumë e domosdoshme që rregullat të respektohen në çdo shtet. Në të njëjtën kohë nëse ka periudhë tranzitore, tranzicioni duhet të jetë gjithëpërfshirës, duhet të shkojë siç duhet”, ka thënë shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Pavarësisht kërkesës së ndërkombëtarëve për shtyrje të afatit, kreu i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti bëri të qartë një ditë më parë se nuk do të ketë shtyrje të afatit për reciprocitetin. Në mënrë që të shmangin tensionet, BE dhe SHBA bënë thirrje që Kosova të shtyjë afatin 31 tetor, kur futet në fuqi ndërrimi i targave serbe me ato kosovare.

Kosova më 1 shtator hapi afatin për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia. Qytetarët do të kenë kohë deri në fund të tetorit që të konvertojnë targat serbe –me akronime serbe për qytete të Kosovës sikurse KM, PR, PZ e të ngjashme – në targat RKS – Republika e Kosovës .

Pavarësisht se fushata për riregjistrim po vazhdon, deri më tani është parë një interesim i ulët i qytetarëve serbë që jetojnë në veri të Kosovës, për t’i konvertuar targat e makinave të tyre në RKS. Qytetarët serbë të Kosovës që përdorin këto targa, duhet t’i konvertojnë ato në targa të Republikës së Kosovës, në të kundërtën, makinat e tyre nuk do të mund të qarkullojnë më në Kosovë, pas datës 31 tetor .

Ora 16:55
BE-ja dhe Prishtina nuk ekziston askund’ Vuçiç për targat: Janë gënjeshtrat e QUINT-it, shpikën legjitimitetin

1666882554_vucic.JPG

I ashpër ndaj ndërkombëtarëve ka qenë Presidenti serb Vuçiç ndaj të marrëveshjes për reciprocitetin e targave.

Të paktën tri vetura u dogjën duke shkaktuar kështu një rindezje të një konflikti dashur pa dashur të pashmangshëm mes Kosovës dhe Serbisë.

Vuçiç fillimisht fajësoi të gjithë, duke i cilësuar si gënjeshtarë, sa i përket ndryshimit të targave të automjeteve që bartin veturat serbeve të Kosovës në veri të vendit.

“Ajo që po flet QUINT-i, BE-ja dhe Prishtina nuk ekziston askund”, tha Vuçiç.  “Ata shpikën legjitimitetin”.

Presidenti serb deklaroi në konferencë për media se ditë më parë, mori një demarsh nga përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it dhe të BE-së.

“Në atë akt, në pikën dy thuhet se veprimi i Kosovës është legjitim, por problemi është në kohën dhe metodat. Ata nuk kanë të drejtë të bëjnë këtë, sipas asnjë marrëveshjeje”, u shpreh kreu i shtetit serb.  “Ata shpikën gjithçka”.

Pasi shpjegoi se ka dëgjuar kërkesat e serbeve të Kosovës të artikuluar sipas tij nga Lista Serbe, Vuçiq deklaroi se –“serbët në Kosovë do t’u rezistojnë paqësisht autoriteteve të Prishtinës”. Vuçiç tha se Beogradi insiston për targa KS, kurse iniciativa nga ndërkombëtaret për të shtyrë afatin e riregjistrimit të veturave për 10 muaj, synohet ta tregojë palën tjetër si të mirë. Afati për riregjistrimin e targave nga ato ilegale të lëshuara nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës për në ato legale RKS përfundon më 31 tetor

Gjithashtu, Vuçiq tha se pret që javën e ardhshme Kosova të hyjë në procedura të pranimit në Këshill të Evropës

“Ajo procedurë mund të zgjasë deri një vit”, tha ai. “E keni të qartë se cili do të jetë rezultati”.

Sipas tij, është mesazh i qartë se e drejta ndërkombëtare nuk u intereson.

“Vendet e QUINT-it gjithmonë do t’i japin mundësi Prishtinës, e kurrë nuk do të marrin ndonjë vendim që do të ishte në favor të serbëve dhe Serbisë”.-  vijoi ai. 

Ora 12:51
Reciprociteti i targave, Vuçiç: Nuk dorëzohemi, se lejojmë vrasjen e popullit serb


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se serbët në Kosovë nuk do të heqin dorë nga targat KM (Mitrovicë e Kosovës), duke paralajmëruar "rezistencë" nëse pas 31 tetorit, Kosova konfiskon targat dhe makinat.

"Nuk ka dorëzim. KM mbetet", tha ai pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe - partisë kryesore të serbëve në Kosovë - në Beograd më 27 tetor.

Targat KM, janë në mesin e disa lloje targash me akronime serbe për qytetet e Kosovës, që Serbia i lëshon për serbët në Kosovë, e të cilat konsiderohen ilegale nga Prishtina. Qeveria e Kosovës ka thënë se afati për riregjistrimin e makinave, përkatësisht konvertimit të targave serbe në ato RKS - Republika e Kosovës, do të përmbyllet më 31 tetor.

“Plani i tyre (i Kosovës) është që ato vetura të lëshojnë (Kosovën) duke moslejuar që të kthehen në territorin e Kosovës”, tha Vuçiç.

“Ajo me siguri do të hasë në rezistencën demokratike nga populli serb dhe shteti i Serbisë nuk do të lejojë persekutimin dhe vrasjen e popullit të saj”, shtoi ai.

Vuçiç tha se "ne jemi të gatshëm t'i vazhdojmë bisedimet, por ka gjëra që nuk mund t'i pranojmë. Ne i kemi njoftuar për këtë, nuk do të hyj në detaje". Presidenti i Serbisë përsëriti se i pranojnë targat neutrale ndaj statusit - KS, por se, sipas tij, pala kosovare nuk dëshiron të dëgjojë për to.

Ora 11:27
Osmani: Serbia po kërcënon me dhunë për shkak se Kosova po zbaton ligjin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Serbia po kërcënon “me dhunë dhe barrikada”, për shkak se Kosova po zbaton ligjin, kur bëhet fjalë për riregjistrimin e makinave nga targat serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.

Këto deklarata të presidentes Osmani vijnë pak kohë pasi Lista Serbe - partia kryesore e serbëve në Kosovë - kërcënoi se do të bllokohen rrugët në veri të Kosovës, nëse autoritetet në Kosovë, pas 31 tetorit – kur thuhet se skadon afati për riregjistrimin e makinave – konfiskojnë targat dhe veturat e qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë.

“Serbia është shtet që kërcënon me masa antiligjore pse Kosova po e zbaton ligjin. Krejt kjo shpjegon gjithçka, pra Serbia po kërcënon me dhunë pse Kosova po zbaton ligjit. Kjo është ajo piktura e madhe që insistojmë që të gjithë ta shohim, që është mbi të gjitha çështje e sundimit të ligjit, çështje e respektimit të parimeve dhe standardeve më të larta ndërkombëtare, të cilat Kosova po i respekton. E tëra që po bëjmë është që po e zbatojmë ligjin dhe po i mbrojmë të gjithë qytetarët pa dallim. Dhe si rezultat i kësaj, Serbia po kërcënon me dhunë, me barrikada të cilat siç e dini janë shkelje e lirisë së lëvizjes”, tha Osmani gjatë një konference për media në Prishtinë pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Osmani tha se Kosova po punon me të gjithë partnerët e saj të që mos lejojë, siç tha ajo “skenarët rusë” për destabilizimin e Ballkanit.

“Ne do të punojmë bashkërisht me të gjithë partnerët tanë që të mos lejojmë që këto skenare ruse të kenë vend në Ballkanin Perëndimor, dhe të mos lejojmë që përderisa Serbia ka zgjedhur të vallëzojë me melodinë e [presidentit rus, Vladimir] Putinit, që të kenë rezultate në tensionimin dhe destabilizimin e rajonit tonë. E gjithë puna jonë është në koordinim me aleatët tanë që ta mbrojmë paqen, stabilitetin, demokracinë e arritur, por mbi të gjitha të sigurojmë sundim të ligjit për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim etnie”, tha Osmani.

Ajo përmendi edhe rastin e fundit të djegies së një veture në Leposaviq më 26 tetor, që sapo kishte konvertuar targat në RKS.

“Ka një kohë të gjatë që qytetarëve serbë që po respektojnë dhe zbatojnë ligjet, që po i ndërrojnë targat, si rezultat i kësaj po u digjen shtëpitë dhe makinat. Të gjitha këto veprime të strukturave ilegale dëshmojnë se kjo në esencë është çështje e sundimit të ligjit”, tha Osmani.

Ora 11:04
Vendosi targat e Kosovës, digjet automjeti në komunën serbe në Veri

Një automjet është djegur në Leposaviç në Veri të Kosovës. Raportohet se mjetit i është vënë flaka pasi kishte konvertuar targat nga serbe në ato të Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë se ende nuk dihet se kush ia vuri flakën makinës.

“Policia e Kosovës dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes për detyrat e tyre, por sidoqoftë mbetet të punohet në drejtim të hetimit të mëtutjeshme për aktorët e mundshëm të këtij akti kriminal”, tha Hoti.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit në fshatin Krajkovë të Leposaviqit të banuar me shumicë serbe. Ky incident vjen disa ditë para se të përmbyllet procesi i riregjistrimit të makinave nga targat e lëshuara nga Serbia, në targat RKS. Të tilla incidente janë raportuar edhe më parë në Kosovë, për mjete të cilat konvertonin targa me ato të Kosovës.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Marrveshje: 27/10/2022 14:51

    Serbia po ka bythe të bëhet lufte ose të zbatoje MARRVESHJET!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?