Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për politikën e jashtme, Peter Stano, tha se BE-ja ka qenë e njoftuar por jo e konsultuar nga autoritetet e Kosovës për planet për reciprocitet mbi targat e makinave që lëshojnë autoritetet e Serbisë në Kosovë. Megjithatë, ai tha se Kosova ka të drejtë të marrë një vendim të tillë.
“Sipas marrëveshjeve nga dialogu për lirinë e lëvizjes - nga viti 2011 dhe 2016 - Kosova ka të drejtë t’i heqë nga përdorimi targat KM. Por, është e rëndësishme që të jepet kohë e mjaftueshme për implementimin e këtij plani dhe që ai të përgatitet dhe zbatohet në konsultim të afërt me qytetarët dhe në përputhje me praktikat e mira evropiane”, u shpreh Stano.
Më 29 qershor, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për mundësinë e riregjistrimit të veturave me targat e qyteteve në Kosovë - të cilat i lëshojnë autoritetet e Serbisë - në Republikën e Kosovës.
Bëhet fjalë për veturat me targat PR (Prishtinë), KM (Mitrovicë e Kosovës) GL (Gjilan), PZ (Prizren) e kështu me radhë.
Sipas vendimit, riregjistrimi i këtyre veturave do të fillojë më 1 gusht dhe do të zgjasë deri më 30 shtator.
Qeveria, po ashtu, ka miratuar udhëzimin për kalimin e pikave kufitare me dokumente personale, sipas të cilit, të gjithë personat që kanë dokumente të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës, do të duhet të pajisen me një certifikatë që i zëvendëson ato dokumente.
Këto vendime kanë shkaktuar reagime të ashpra në Beograd. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se zyrtarët kosovarë po përgatisin “persekutimin” e popullatës serbe, por nuk ka paraqitur asnjë provë për këtë pretendim.